Vijon vala e dorëheqjeve dhe shkarkimeve në pushtetin vendor në bashkitë e vendit, pas ultimatumit të Kryeministrit Edi Rama, i cili ka kërkuar rifreskime të stafeve.
Ditën e sotme në Bashkinë Belsh, kanë dhënë dorëheqje një sërë administratorësh dhe drejtorësh lokalë duke i hapur rrugë një faze të re të përzgjedhjes së drejtuesve të rinj mbi bazën e meritës dhe performancës.
Ndërkohë, në Bashkinë Prrenjas, tre administratorë kanë dhënë dorëheqjen që ditën e djeshme, ndërsa aktualisht po kryhet një vlerësim i thelluar i performancës për drejtorët që vijojnë detyrën.
E njëjta situatë është shënuar edhe në bashkitë Peqin, Cërrik dhe Gramsh, ku procesi i dorëheqjeve dhe vlerësimeve është në zhvillim e sipër. Në Librazhd dhe Elbasan, vala e dorëheqjeve masive është bërë që ditën e hënë.
Edhe drejtorët e bashkisë Sarandë kanë dhënë dorëheqjen, ndërsa Konispoli po has në vështirësi për të pranuar kërkesën e Ramës për shkarkim të administratës.
Kryetari i Bashkisë së Konispolit, Ergest Dule, ka refuzuar të shkarkojë drejtorët në varësi të tij, dhe për këtë ka patur debat me Ramën.
Dule është shprehur se “drejtorët janë të rinj dhe të aftë në punë”, ndërsa kryeministri i është përgjigjur duke thënë “jepe ti dorëheqjen nëse nuk i shkarkon”.
Një ditë më parë, ka patur dorëheqje dhe shkarkime të shumta të kryetarëve në njësitë administrative në Elbasan, Korçë, Kukës, Shkodër, Lushnje etj.
Ky proces pritet të shtrihet më tej në kuadër të një reforme që synon të rrisë cilësinë e shërbimeve publike dhe të rrisë përgjegjshmërinë në drejtimin lokal.
Lini një Përgjigje