Gjykata Kushtetuese vlerëson se Gjykata e Lartë nuk bëri kontroll efektiv mbi proporcionalitetin e masës “Arrest në burg”, nuk analizoi alternativat më të lehta dhe nuk iu përgjigj pretendimeve për cenimin e dinjitetit dhe prezumimit të pafajësisë.
Gjykata Kushtetuese ka publikuar vendimin e arsyetuar për ankimin kushtetues të Erion Veliajt, duke pranuar pjesërisht kërkesën e tij dhe duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë për masën e sigurisë “Arrest në burg”.
Në vendimin nr. 57, datë 25 maj 2026, të shpallur më 1 korrik 2026, Gjykata Kushtetuese ka vendosur që çështja të kthehet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë, pasi ka konstatuar probleme kushtetuese në mënyrën se si kjo gjykatë ka trajtuar pretendimet e Veliajt.
Në dispozitivin e vendimit, Gjykata Kushtetuese shprehet: “Pranimin e pjesshëm të kërkesës. Shfuqizimin e vendimit nr. 00-2025-1153 (176), datë 08.07.2025 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Dërgimin e çështjes për shqyrtim në Gjykatën e Lartë.”
Thelbi i vendimit lidhet me faktin se, sipas Kushtetueses, Gjykata e Lartë nuk ka ushtruar kontroll efektiv mbi masën më të rëndë të sigurisë personale, atë të arrestit në burg, veçanërisht në raport me funksionin publik të Veliajt si kryetar i Bashkisë së Tiranës, i zgjedhur me votë të drejtpërdrejtë.
Gjykata Kushtetuese vëren se në rekurs ishin ngritur pretendime thelbësore për mungesën e proporcionalitetit të masës, por Gjykata e Lartë, sipas saj, është mjaftuar kryesisht me miratimin e arsyetimit të GJKKO-së së Apelit.
Në vendim thuhet: “Gjykata e Lartë është mjaftuar, në thelb, me miratimin e arsyetimit të GJKKO-së së Apelit, pa verifikuar, në raport me pretendimet konkrete të ngritura në rekurs, nëse ai arsyetim u kishte dhënë përgjigje të mjaftueshme pretendimeve të kërkuesit për nevojën e një arsyetimi të individualizuar”.
Një nga pikat më të rëndësishme në favor të Veliajt është analiza e Gjykatës Kushtetuese mbi proporcionalitetin e masës “Arrest në burg”. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë nuk rezulton të ketë verifikuar në mënyrë konkrete nëse rreziqet e pretenduara nga organet e drejtësisë ishin individualizuar mjaftueshëm, apo nëse mund të përdoreshin masa më pak kufizuese.
Gjykata Kushtetuese thekson: “Arsyetimi i Gjykatës së Lartë nuk tregon se është verifikuar në mënyrë konkrete nëse gjykatat e posaçme kishin analizuar mundësinë që nevojat e sigurimit të garantoheshin përmes një mase më pak të rëndë ose përmes kufizimeve të tjera më pak intensive”.
Në mënyrë të veçantë, Kushtetuesja ndalet te “garancia pasurore”, një nga masat alternative të kërkuara nga mbrojtja. Sipas vendimit, Gjykata e Lartë nuk ka dhënë një përgjigje të mjaftueshme se përse kjo masë, e vetme ose e kombinuar me kufizime të tjera, nuk do të ishte e aftë të garantonte nevojat e procedimit penal.
Në vendim thuhet: “Në veçanti, lidhur me ‘Garancinë pasurore’, pretendimi i kërkuesit lidhej me nevojën për të shpjeguar përse kjo masë, e vetme ose e kombinuar me kufizime të tjera, nuk mund të përmbushte qëllimet e procedimit penal.”
Një tjetër element me peshë është lidhja e masës së arrestit me të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të ushtruar funksionin publik. Gjykata Kushtetuese vëren se Veliaj kishte pretenduar se paraburgimi ndikonte drejtpërdrejt në ushtrimin efektiv të mandatit si kryetar bashkie, të fituar përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta.
Sipas Gjykatës, ky pretendim meritonte një përgjigje të posaçme nga Gjykata e Lartë, por nuk rezulton të jetë trajtuar në mënyrë të veçantë.
“Edhe pse ky pretendim meritonte një përgjigje të posaçme nga Gjykata e Lartë në kuadër të kontrollit të proporcionalitetit, ai nuk rezulton të jetë trajtuar në mënyrë të veçantë”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja sqaron se funksioni i kryetarit të bashkisë nuk e përjashton në vetvete zbatimin e masave të sigurisë, por nënvizon se gjykata duhet të analizonte pasojat që masa sillte mbi ushtrimin efektiv të një funksioni publik të fituar me votë.
“Ky përfundim nuk nënkupton se funksioni i kryetarit të bashkisë, në vetvete, e përjashton zbatimin e masave të sigurimit personal ose se interesi për ushtrimin e këtij funksioni ka përparësi absolute ndaj nevojave të procedimit penal. Megjithatë, kjo nuk e përjashtonte nevojën që Gjykata e Lartë t’i jepte përgjigje pretendimit se masa e kundërshtuar sillte pasoja edhe mbi ushtrimin efektiv të një funksioni publik të fituar përmes zgjedhjeve të drejtpërdrejta”, thekson vendimi.
Në përfundim të kësaj pjese, Gjykata Kushtetuese arrin në konkluzionin se vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përmbush standardin kushtetues të arsyetimit.
“Në këtë kuptim, vendimi i Gjykatës së Lartë nuk përmbush standardin kushtetues të arsyetimit në kontrollin e proporcionalitetit të kufizimit të lirisë personale, të lidhur edhe me të drejtën për t’u zgjedhur”, shprehet gjykata.
Një tjetër pikë e rëndësishme e vendimit lidhet me pretendimin e Veliajt për qëndrimin në kafaz ose kabinë xhami gjatë seancave gjyqësore. Ai kishte pretenduar se kjo praktikë cenonte dinjitetin dhe prezumimin e pafajësisë.
Gjykata Kushtetuese vëren se ky pretendim ishte ngritur në rekurs, por Gjykata e Lartë nuk i kishte dhënë përgjigje.
“Kolegji Penal nuk e ka marrë në shqyrtim këtë pretendim, duke mos i dhënë kërkuesit përgjigje në lidhje me të”, thuhet në vendim.
Kushtetuesja vlerëson se pretendimet për dinjitetin, trajtimin në sallën e gjyqit dhe prezumimin e pafajësisë kanë natyrë thellësisht kushtetuese, aq më tepër në një proces me interes të lartë publik.
“Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për nga natyra e tij, për sa kohë ka të bëjë me dinjitetin të lidhur me trajtimin në sallën e gjyqit përpara gjykatës, por edhe në sytë e vet publikut, si dhe me parimin e prezumimit të pafajësisë, duhej të ishte shqyrtuar nga Gjykata e Lartë”, vijon arsyetimi.
Në këtë pjesë, Gjykata Kushtetuese arrin në përfundimin se pretendimi i Veliajt është i bazuar për shkak të mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë.
“Gjykata vlerëson se pretendimi i kërkuesit për cenimin e dinjitetit dhe parimit të prezumimit të pafajësisë për shkak të qëndrimit në kafaz/kabinën e xhamit është i bazuar për shkak të mungesës së arsyetimit në këtë drejtim nga Gjykata e Lartë”, shprehet gjykata.
Në përfundimin e saj, Gjykata Kushtetuese shprehet se pretendimet e Veliajt për cenimin e lirisë personale, në drejtim të proporcionalitetit të masës së sigurisë, të lidhur edhe me të drejtën për t’u zgjedhur dhe me dinjitetin, janë të bazuara për sa i përket mungesës së arsyetimit nga Gjykata e Lartë.
“Në përfundim, Gjykata vlerëson se pretendimet e kërkuesit për cenimin e aspektit substancial të lirisë personale, në drejtim të proporcionalitetit të masës së sigurimit personal të lidhur edhe me të drejtën për t’u zgjedhur dhe me dinjitetin janë të bazuara, për sa i përket mungesës së arsyetimit në këtë drejtim nga Gjykata e Lartë, ndaj kërkesa pranohet pjesërisht”, deklaron gjykata.
Vendimi shoqërohet edhe me mendime paralele, ku disa anëtarë të Gjykatës Kushtetuese shkojnë më tej në argumentim. Gjyqtarët Fiona Papajorgji, Sonila Bejtja, Sandër Beci dhe Genti Ibrahimi shprehen se Gjykata duhej të kishte konstatuar jo vetëm mungesën e arsyetimit nga Gjykata e Lartë, por edhe vetë shkeljen e parimit të proporcionalitetit.
Në mendimin paralel thuhet: “Në rastin konkret masa ‘Arresti në burg’, e caktuar ndaj kërkuesit, në situatën që ai vijon të ushtrojë detyrën e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, për shkak të shfuqizimit nga Gjykata të VKM-së për shkarkimin e tij nga detyra, e bën caktimin dhe vazhdimin e kësaj mase joproporcionale.”
Sipas këtij mendimi paralel, paraburgimi i Veliajt nuk prek vetëm të drejtat e tij individuale, por edhe të drejtat e zgjedhësve që e kanë votuar.
“Kufizimi i lirisë personale të kërkuesit dhe qëndrimi i tij në paraburgim cenojnë jo vetëm të drejtat e tij kushtetuese si individ, por edhe të drejtat e zgjedhësve për t’u qeverisur nga organi i zgjedhur i njësisë së qeverisjes vendore, të cilit ata i kanë dhënë besimin përmes votës së tyre”, thuhet aty.
Gjyqtarët që kanë firmosur mendimin paralel vlerësojnë se masa e arrestit në burg, për sa kohë i ka pamundësuar Veliajt ushtrimin efektiv të detyrës si kryetar i Bashkisë së Tiranës, tejkalon masën e nevojshme të ndërhyrjes në të drejtat kushtetuese.
Ata shprehen: “Masa e arrestit, për sa kohë ka sjellë pamundësinë e kërkuesit që të ushtrojë efektivisht detyrën e tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe për sa kohë që nuk rezulton se një masë tjetër nuk do garantonte në të njëjtën mënyrë interesin publik në mbarëvajtjen e procedimit penal, është joproporcionale.”
Me këtë vendim, Gjykata Kushtetuese nuk ka vendosur lirimin e Veliajt dhe nuk është shprehur mbi fajësinë apo pafajësinë e tij. Çështja kthehet në Gjykatën e Lartë, e cila duhet ta rishqyrtojë duke dhënë përgjigje të arsyetuar për pretendimet kushtetuese të ngritura në rekurs.
Megjithatë, vendimi përbën një zhvillim të rëndësishëm juridik në favor të Veliajt, pasi Kushtetuesja ka konstatuar se Gjykata e Lartë nuk ka përmbushur standardin kushtetues të arsyetimit për disa nga pretendimet më thelbësore: proporcionalitetin e arrestit në burg, mundësinë e masave më të lehta, ndikimin mbi mandatin e fituar me votë dhe pretendimet për cenimin e dinjitetit e prezumimit të pafajësisë.
Në thelb, Kushtetuesja i kërkon Gjykatës së Lartë të mos mjaftohet me miratimin formal të vendimeve të gjykatave më të ulëta, por të kryejë një kontroll real, konkret dhe të individualizuar mbi masën e sigurisë, veçanërisht kur ajo prek jo vetëm lirinë personale të një individi, por edhe ushtrimin e një funksioni publik të dalë nga vota. /Pamfleti
Mos po fillon e fryn ERË SIKTERi për Ols DADON ? Kjo duhet parë nashti….
Gjykata e Larte nuk è ka trajtuar ceshtjen hollesisht....? E verteta eshte se Gjykata è Larte qellimisht e trajtoi çeshtjen ne ate forme qe te kushte mundesi te shorehej kushtetuesja sot keshtu. Sdq keto veramente ordinere te te dy gjykatave konfirmojne faktin qe: - Ne Gjykaten e Larte ka akoma mbetje - Gjykata Kushtetuese eshte teresisht derivat i ekzekutivit, perjashto vetem dy gjyqtare me integritet qe jane aty - Veliaj nuk del me nga burgu, jo per inat, por per 13 akuza te renda qe nuk ka Trupe Gjykuese qe ta zbuse sadopak.