TAGS-AT E JAVËS

Aktualitet20 Tetor 2025, 11:02

Zgjedhja e kreut të SPAK/ Zeqir Hoda në konflikt interesi, a do e vlerësojë KLP në një seancë të posaçme?

Shkruar nga Pamfleti

Zgjedhja e kreut të SPAK/ Zeqir Hoda në konflikt interesi, a do e

Kjo do të thotë se KLP-së i duhet të marrë një vendim lidhur me faktin nëse në seancën ku do të votohet për kreun e SPAK, do të jetë ose jo në proces votimi anëtari Hoda...

Këshilli i Lartë i Prokurorisë i ka dhënë ‘ok’ kandidimit të 4 emrave në garën për kreun e Prokurorisë Speciale, të cilët plotësojnë kriteret e përcaktuara për këtë pozicion. Kështu KLP ka konfirmuar se Adnan Xholi, Elvin Gokaj, Doloreza Musabelli dhe Klodian Braho mund të vijojnë garën për kreun e SPAK.

Në mbledhjen e KLP-së, Sokol Stojani, kryetar i Komisionit të Zhvillimit të Karrierës, theksoi se janë 4 kandidatë në garë, të cilët plotësojnë kushtet. Sipas tij, aplikantët duhet të jenë prokurorë të SPAK dhe të mos jenë drejtues.

Po ashtu ai theksoi se një tjetër kusht është fakti që kandidatët duhet të kenë paraqitur platformë dhe të mos këtë masë disiplinore.

“Ne i propozojmë këshillit miratimin e listës së kandidatëve për të qenë në krye të SPAK”, tha ai.

Përpara se Stojani të jepte vlerësimin për 4 kandidatët, anëtari i KLP-së, Zeqir Hoda tha se do të largohej nga mbledhja për shkak se duhej vlerësuar nëse ishte ose jo në konflikt interesi. Hoda tha se ai personalisht nuk mendonte se ishte në një konflikt interesi, por kjo duhej vlerësuar.

“Për të marrë të dhënat e nevojshme, vlerësoj që duhet të largohem nga votimi i seancës për këtë çështje. Po qëndroj meqë nuk është hapur procedura”, tha Hoda, që më pas u largua.

Zgjedhja e kreut të SPAK/ Zeqir Hoda në konflikt interesi, a do e
Anëtari i KLP, Zeqir Hoda

Pas qëndrimit të shfaqur nga Hoda, anëtari tjetër i KLP-së, Vatë Staka, duke reaguar tha “Hoda paraqiti një njoftim mediatik. Disa media kanë botuar para 3 ditësh që një nga kandidatët që ka aplikuar për kreun e SPAK… s’jam në gjendje nëse është në konflikt interesi apo jo, por do e gjykojmë në një seancë të posaçme”.

Kjo do të thotë se KLP-së i duhet të marrë një vendim lidhur me faktin nëse në seancën ku do të votohet për kreun e SPAK, do të jetë ose jo në proces votimi anëtari Hoda. Anëtari i KLP-së, Sokol Stojani tha se për të marrë një vendim na duhet dokumentacioni, kërkesa me shkrim ose propozime me shkrim, gjë që sot nuk e kemi.

“Ne duhet të marrim një vendim bazuar në diçka të shkruar”, tha Stojani.

Për zgjedhjen e kreut të ri të SPAK mjafton një shumicë e thjeshtë votash nga anëtarët e pranishëm në mbledhje, por numri minimal i tyre nuk duhet të jetë më pak se 7, në mënyrë që të konsiderohet kuorumi i nevojshëm.

Pamfleti ka bërë publik fakte, sipas të cilave, Klodian Braho, një prej kandidatëve në garën për kreun e SPAK, ka drejtuar komisionin e vlerësimit për kandidatët që synojnë BKH-në, më konkretisht për hetues financiarë.

Më 29 shtator, në listën përfundimtare të kandidatëve për pozicionin e “Hetuesit Financiar”, emri i Ditmir Hodës shfaqet midis 15 kandidatëve më të vlerësuar, duke u renditur i 6-ti.

Ditmir Hoda është djali i Zeqir Hodës, anëtarit të KLP-së, vota e të cilit, mund të jetë përcaktuese për zgjedhjen e kreut të SPAK-ut. /Pamfleti/

 

Lini një Përgjigje