
Partitë e reja po bëhen të pabesueshme me zgjedhjen e tyre për të mos qenë pjesë e qeverisjes së ardhshme dhe duke luftuar mes tyre, sesa për të rrëzuar qeverinë.
Madje ka dyshime se këto forca mund të jenë të lidhura në hije me një nga dy forcat e mëdha. Fakti që dy partitë PS e PD nuk i sulmojnë, ngrenë akoma më shumë dyshimet.
Kështu u shpreh juristi Kreshnik Spahiu në ‘Frontline” për shifrat e sondazhit të Report Tv dhe “Piepoli”, në lidhje me besueshmërinë te forcat e reja politike që garojnë më 11 maj dhe shansin e tyre të humbur duke deklaruar refuzimin e koalicionit qeveritar pas zgjedhjeve.
Madje edhe shifrat e pakënaqësisë së fushatës elektorale tregojnë sipas tij se Berisha vijon me stilin e vjetër, si më 1992 ku i ka mbetur ora, ashtu dhe Rama me fushatën tallava.
“Pëlqyeshmëria për partitë e reja është pozitive dhe e lartë. Por me rëndësi do ishte që kjo të përkthehej edhe në votë, pra të ishte votë e lartë. Për besueshmërinë, partitë e reja nuk kanë pabesueshmëri si të reja, por tashmë ato kanë treguar se nuk kërkojnë të qeverisin duke vetpërjashtuar veten. Por më e rëndësishme është se kanë edhe antagonizëm brenda tyre, nuk bashkohen, kanë përçarje dhe kanë ndasi të thella duke shkuar edhe deri në konfrontime fizike dhe akuza. Këta sikur e kanë luftën me njëri-tjetrin”, theksoi Spahiu.
Madje sipas tij, mund të ketë edhe dyshime për lidhje të këtyre partive të reja me një nga dy forcat e mëdha, lidhje në hije, por që ai nuk e besonte. Fakti që dy partitë e mëdha nuk po i sulmojnë forcat e reja, ngre një lloj dyshimi.
“Asnjëherë nuk përjashtohet mundësia e lidhjeve të fshehta, e hijeve te partitë e reja, edhe pse unë nuk dyshoj dhe nuk besoj. Por kanë dyshime te këto parti të reja apo moskonseguencë kur nuk kanë përmendur njëherë emrin e Sali Berishës apo nuk kanë folur kur u arrestua Ilir Meta, sikurse edhe për situatën e çmimeve etj. Mbase nuk kanë dashur, mbase kanë frikë. Por makineria e baltës që kanë partitë e mëdha jep efekt, të përjashton apo të asgjëson. Nëse ato të vihen, të jesh të bindur se për një javë të baltosin dhe mbi 70% e popullit e beson se ai lider është imoral, i korruptuar etj. Dhe e besoj se nuk e kanë bërë, pasi nëse do e bënin do i kishin nxjerrë jashtë kësaj gare me kohë, duke i gjetur një histori, një dokument, një ngjarje apo implikim”, tha juristi.
Lini një Përgjigje