Kompania “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” ka nisur furnizimin e spitaleve para datës së tenderit, me bekimin e ministres Evis Sala dhe drejtoreshës së Blerjeve të Përqendruara, Arlinda Pogaj...
Në 4 dhjetor pritet të zhvillohet tenderi për furnizimin me oksigjen mjekësor të spitaleve, por kompania “GTS-Gazra Teknike Shqiptare” e grupit mafioz italian ’Ndrangheta ka nisur tashmë shpërndarjen e oksigjenit. Kontrata 1.5 milionë euro është paradhënë me miratimin e ministres Evis Sala dhe zyrtares Arlinda Pogaj, duke e kthyer procedurën në një formalitet për të legjitimuar paratë që tashmë janë ndarë.
Një tjetër skandal është zbuluar në Ministrinë e Shëndetësisë.
Tenderi me vlerë 1.5 milionë euro me TVSH, për blerjen e oksigjenit mjekësor për spitalet publike, është kthyer në një farsë të planifikuar.
Megjithëse gara e hapur është shpallur për datën 4 dhjetor 2025, kompania fituese ka filluar furnizimin një muaj më parë, me miratimin e vetë ministres Evis Sala.

Sipas dokumenteve të Buletinit të Prokurimeve Publike të datës 10 nëntor 2025, tenderi ndahet në 7 lote që mbulojnë:
- QSU “Nënë Tereza” Tiranë
- Spitalin “Shefqet Ndroqi” (Sanatorium)
- Spitalin Memorial Fier
- Spitalet Rajonale të Durrësit, Lezhës, Dibrës, Beratit, Gjirokastrës dhe Kavajës.
Operatori ekonomik që furnizon këto spitale është “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”, përfaqësuar në Shqipëri nga Besnik Halili, bashkëshorti i ish-zyrtares së Ministrisë së Shëndetësisë, Luneda Sufali.
Kompania është në pronësi të grupit mafioz italian “Ndrangheta”, i përfshirë më herët në skandale për pastrimin e parave dhe kontrata të dyshimta me sistemin shëndetësor italian.
Megjithëse tenderi do të zhvillohet zyrtarisht në dhjetor, furnizimet kanë nisur që prej një jave, duke përfshirë të gjitha qendrat spitalore.
Burime nga brenda sistemit konfirmojnë se faturat dhe dokumentacioni do të plotësohen pas garës, për të simuluar konkurrencën, ndërsa kontrata është e mbyllur paraprakisht.
Ky është një tender “paradhënie” klasik, që ndjek të njëjtin model të përdorur në shumë sektorë të shëndetësisë: fillohet furnizimi, shpallet gara më pas, dhe fituesi formalizohet me dokumente retroaktive.
Kjo skemë është e mirënjohur në qeverisjen e Edi Ramës, ku tenderët e mëdhenj për ilaçe, oksigjen dhe pajisje mjekësore kontrollohen nga një rreth i ngushtë klientësh të lidhur me ministrat dhe zyrtarët e nivelit të lartë.
Në këtë rast, përveç ministres Evis Sala, përgjegjëse direkte është Arlinda Pogaj, administratore e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, strukturë që deri dy muaj më parë ishte në vartësi të ministrit Blendi Gonxhe.
Pogaj, e njohur si sekserja dhe besnikja e Gonxhes, është autorja e firmës që ka lejuar nisjen e furnizimeve pa zhvilluar garën ligjore.
Të dyja, Sala dhe Pogaj, janë mike të afërta dhe pjesë e të njëjtit rreth politik që ka marrë kontrollin e sistemit të prokurimeve shëndetësore.
Sipas burimeve të “Pamfleti”, ky nuk është tenderi i parë që favorizon “GTS-Gazra Teknike Shqiptare”.
Që nga koha e ish-ministrit Ilir Beqja, kjo kompani ka monopolin e furnizimit me oksigjen mjekësor në të gjitha spitalet publike, pavarësisht se ndaj saj ka dosje të hapura në SPAK për korrupsion dhe lidhje me grupin ‘Ndrangheta’.
Një zinxhir klientelist në ministrinë e Shëndetësisë
Ky rast dëshmon se sistemi i tenderave në shëndetësi funksionon si një rrjet i organizuar klientelist, që lidh ministrat, drejtorët dhe bizneset mafioze:
- Evis Sala, që pason Ogerta Manastiliun dhe Albana Koçiun, vazhdon të mbrojë të njëjtat kompani që kanë pasur kontrata prej një dekade.
- Arlinda Pogaj, e emëruar nga Blendi Gonxhe, firmos kontratat formalisht dhe mbulon procedurat.
- Besnik Halili, përfaqësuesi lokal i “Ndranghetës”, merr paraprakisht fondet dhe shpallet fitues.
Në përfundim, tenderi i oksigjenit është një tjetër skemë e qartë korrupsioni: një kompani e lidhur me mafien italiane furnizon spitalet pa garë, një ministre e re e “rilindjes” e firmos, dhe një administratore e besuar e Gonxhes e legalizon.
Në sistemin e Ramës, edhe oksigjeni i pacientëve është bërë pjesë e klientelës së pushtetit, me kontrata që fryhen, garë që nuk zhvillohet dhe para që ndahen përpara tenderit./Pamfleti
Lini një Përgjigje