TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia10 Nëntor 2025, 11:36

Deputeti i PD Kliti Hoti, biznesmen i ilaçeve të rimbursuara nga shteti, në shkelje të ligjit për konflikt interesi

Shkruar nga Pamfleti

 Deputeti i PD Kliti Hoti, biznesmen i ilaçeve të rimbursuara nga

Shoqëria e tij “Novartis” përfiton 500 mijë euro në vit nga fondet publike të shëndetësisë, ndërsa Hoti mban njëkohësisht statusin e deputetit, konsullit të nderit të Hungarisë dhe kryetar i Shoqatës së Farmacive.

Dokumentet e siguruara nga “Pamfleti” zbulojnë se deputeti i PD-së në qarkun e Shkodrës, Kliti Hoti, është kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe FSDKSH për tregtimin e ilaçeve të rimbursueshme, duke përfituar drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit. Përmes firmës së tij “Novartis”, Hoti shkel ligjin për konfliktin e interesit dhe nenin 70 të Kushtetutës, që ndalon deputetët të përfitojnë nga pasuritë publike.

Sipas dokumenteve zyrtare që disponon “Pamfleti”, deputeti i Partisë Demokratike, Kliti Hoti, ndodhet në shkelje të rëndë të Ligjit nr. 9367, datë 7 prill 2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave”, pasi përfiton fonde publike përmes kompanisë së tij farmaceutike.

Deputeti i PD Kliti Hoti, biznesmen i ilaçeve të rimbursuara nga

Hoti, që përfaqëson qarkun e Shkodrës, është pronar dhe administrator “de facto” i kompanisë “Novartis”, e cila figuron kontraktore e Ministrisë së Shëndetësisë dhe e Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) për furnizimin e farmacive dhe spitaleve me ilaçe të rimbursueshme.

Në listën e fundit të barnave të rimbursueshme të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë, kompania e Hotit zotëron 78 lloje ilaçesh që financohen nga fondet publike.
Në fillim të vitit 2025, “Novartis” kishte 53 medikamente, por pas përditësimit të tetorit, ministrja Evis Sala dhe drejtori i FSDKSH, Arti Papajani, i shtuan edhe 25 produkte të reja, duke zgjeruar ekskluzivitetin e kompanisë në tregun farmaceutik.

Deputeti i PD Kliti Hoti, biznesmen i ilaçeve të rimbursuara nga

Sipas të dhënave financiare, përfitimi vjetor i kompanisë “Novartis” nga buxheti i shtetit arrin në rreth 500 mijë euro, një shumë që vjen direkt nga rimbursimet e barnave të shitura në farmacitë private dhe spitalet publike.
Kjo do të thotë se një deputet i Kuvendit të Shqipërisë është njëkohësisht përfitues i fondeve publike, duke krijuar konflikt të pastër interesi dhe shkelje të Kushtetutës.

Sipas nenit 70, pika 3 të Kushtetutës, “deputetët nuk mund të kryejnë asnjë veprimtari fitimprurëse që buron nga pasuria e shtetit, ose e pushtetit vendor, dhe as të fitojnë pasuri të këtyre”.
Ndërsa neni 5 i Ligjit për konfliktin e interesit ndalon çdo funksionar të zgjedhur të angazhohet në veprimtari private me qëllim fitimi ose të marrë pjesë në organizata fitimprurëse.

Përveç përfitimeve nga fondet publike, Kliti Hoti merr të ardhura edhe nga dy funksione të tjera private:

- Konsull Nderi i Hungarisë në Shqipëri, që është post përfaqësues me interes ekonomik;

- Kryetar i Shoqatës Shqiptare të Farmacive, organizatë që përfaqëson kompanitë farmaceutike në negociatat me qeverinë dhe FSDKSH-në.

Ky kombinim rolesh e bën Hotin rast flagrant të konfliktit institucional dhe moral, pasi si deputet duhet të ushtrojë kontroll ndaj qeverisë, por në të njëjtën kohë përfiton prej saj përmes kontratave të kompanisë së vet.
Në të kaluarën, PD ka kërkuar heqjen e mandatit për deputetët socialistë Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj, për arsye të ngjashme: përfituan prona shtetërore apo fonde publike.
Por në rastin e Hotit, PD nuk ka bërë asnjë kërkesë, ndërsa PS deri më tani hesht.

Nëse zbatohen standardet që vetë opozita ka kërkuar për kundërshtarët e saj, Hoti duhet të humbasë mandatin.
Në të kundërt, heshtja e dyanshme e PS-së dhe PD-së dëshmon se klasa politike mbron njëri-tjetrin përtej ngjyrave, kur bëhet fjalë për përfitime nga shteti.

Ky rast është më shumë se një çështje ligjore, është provë e degradimit moral të elitës politike shqiptare, ku deputetët, pavarësisht partisë, janë shndërruar në klientë të buxhetit të shtetit.
Nëse institucionet e drejtësisë nuk ndërhyjnë, “Novartis” e Kliti Hotit do të vazhdojë të përfitojë gjysmë milioni euro çdo vit nga paratë e taksapaguesve shqiptarë, ndërsa Kuvendi do të mbetet strehë e biznesmenëve me imunitet politik./Pamfleti

kliti hoti novartis konflikt interesi

1 Komente

  1. A
    Agron katiaj

    Kalistrën e kishim me ringurtsim ky zotëria na i ka bër me lek

    Lini një Përgjigje