Duhet hetuar si krim i organizuar financiar, për faktin se anëtarë të bordeve që miratojnë bilancet me gjoja humbje, janë funksionar të Ministrisë së Financave e Energji Infrastrukturës; madje prej 5 vitesh, Kryetar Bordi në Portin e Vlorës është Erlis Hereni, këshilltar i Belinda Ballukut dhe drejtor i kompanisë shtetërore ortake me Alabbar...
Në 3 vitet e fundit, Portet Detare të Vlorës e Sarandës dhe prej 10 vitesh Porti i Shëngjinit, raportojnë humbje, megjithëse kanë të ardhura nga shërbimet portuale të mallrave, pasagjerëve e mjetet lundruese, ndërsa qeveria u financon 100% të investimeve e shpenzimeve administrative.
Porti Detar i Vlorës, nga bilanci me fitim 28 milionë lekë në vitin 2019, çuditërisht si me pult komandimi dhe pa asnjë pasojë fatkeqësie natyrore, në vitin 2020 ka raportuar 1 milion Euro humbje, ndërsa për vitin 2021 ka raportuar 550 milionë lekë humbje.
Për vitin 2022, paçka se Qendra Kombëtare e Biznesit nuk po publikon bilancin, Porti i Vlorës ka raportuar 1.7 milionë Euro humbje; ndërsa për vitin 2023, sipas burimeve që “Pamfleti” ka siguruar nga Ministria e Financave, humbja do raportohet në vlerën 2 milionë Euro.
Drejtor në Portin e Vlorës, është Ilir Banushi, ish-drejtues finance i fondit mafioz “Besa” dhe 10 vite zv/kryetar i Bashkisë-Vlorë për financat, tenderët dhe pasuritë deri më 5 dhjetor 2022 kur u emërua në krye të portit detar.
Kryetar Bordi është Erlis Hereni, këshilltar i Belinda Ballukut dhe drejtor i kompanisë shtetërore, ortake me kompaninë piramidale të Muhamed Alabbar në kullat e Durrësit; ndërsa anëtarë Bordi janë Oriana Arapi e Bejko Late, të dy Drejtorë në Ministrinë e Financave.
Porti i Sarandës, në vitin 2019 doli me 410 milionë lekë fitim e qysh nga viti 2005 ishte me fitim; ndërsa më 2020-ën doli me 624 milionë lekë humbje e më 2021 me 410 milionë lekë humbje.
Për vitin 2022, paçka se QKB nuk po publikon bilancin, Porti i Sarandës ka raportuar 940 mijë Euro humbje; ndërsa për vitin 2023, humbja do raportohet në vlerën 1.1 milionë Euro.
Drejtor i Portit të Sarandës, është zyrtar i PS, Alket Qëndro, i dënuar për pengim të drejtësisë, ish-Drejtor i Tatimeve nga 3 janari 2014 deri në korrik 2020 kur u emërua drejtor Porti.
Ndërsa anëtarë Bordi, janë Denis Demiri, zyrtar i Autoritetit Konkurrencës dhe Vikrita Çuto e Ina Dhaskali, të dyja drejtoresha te Ministria e Infrastrukturës dhe te Ministria e Financave.
Porti Detar i Shëngjinit, për vitet 2020-2022 doli me 985 milionë lekë humbje e me humbje ka dalë qysh prej vitit 2013; ndërsa vitin 2023 humbja do raportohet afro 600 mijë Euro.
Drejtor i Portit të Shëngjinit është Sandër Marashi, ndërsa anëtarë Bordi janë Erjola Muka, ish-Drejtore e “Albpetrol” dhe aktualisht Drejtore e Politikave të Infrastrukturë-Territorit te Ministria e Infrastrukturës; Mimoza Dhëmbi, Drejtoreshë e Buxhetit te Ministria e Financave dhe Violeta Cara një mikeshë e ministres Delina Ibrahimaj
Fakti që në vitet 2022-2023, qeveria, përveçse nuk u ka marrë asnjë qindarkë nga të ardhurat, i ka financuar këto 3 porte detare me vlerë 55 milionë Euro në total, por drejtuesit i kanë nxjerrë me humbje, madje prej disa muajsh nuk po u japin as pagat punëtorëve.
Këto gjoja humbje, duhen hetuar si krim i organizuar financiar, për faktin se drejtues e anëtarë të bordeve që miratojnë shpenzimet dhe bilancet në këto 3 porte detare, janë funksionar të Ministrisë së Financave dhe Ministrisë së Energji Infrastrukturës./Pamfleti
Lini një Përgjigje