TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 4 Dhjetor 2025, 14:56

Ilir Proda ringjall “ushtarin” e bandave: Ulian Shpataraku po tenton të rikthehet drejtor policie në Korçë

Shkruar nga Pamfleti
Ilir Proda ringjall “ushtarin” e bandave: Ulian Shpataraku po tenton
Ilir Proda dhe Ulian Shpataraku /

Oficeri i pezulluar për lirimin e trafikantëve dhe lidhjet me bandat e Elbasanit, po promovohet nga drejtori i Policisë së Shtetit, pavarësisht kundërshtimeve të Europol...

Ulian Shpataraku, i pezulluar dhe i proceduar penalisht për lirimin e trafikantëve, është rikthyer në lojë falë mbrojtjes së Ilir Prodës. Raportet e SHISH dhe AMP lidhin Shpatarakun me bandat e Elbasanit dhe Durrësit, ndërsa Proda ka tentuar disa herë ta emërojë në poste drejtuese. Pas anulimit të emërimit nga presioni ndërkombëtar, Proda po kërkon ta rikthejë përsëri në drejtim, duke shkelur premtimin për pastrimin e policisë nga elementët e inkriminuar.

Më 12 nëntor 2025, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit njoftoi zhvillimin e garës për drejtues policie në qarqe dhe struktura të ndryshme, ku ndër kandidatët ishte edhe Ulian Shpataraku. Sipas informacionit, për postin e Drejtorit të Policisë së Korçës, kryepolici Ilir Proda ka piketuar mikun e tij Ulian Shpataraku, të cilit në maj 2025 i dha gradën “Drejtues”.

Ky është skandali i radhës i Ilir Prodës, sepse Ulian Shpataraku ka aktivitet kriminal si “ushtar” i bandave të Elbasanit. Ai u mbrojt gjatë kohës kur ishte shef i Sektorit të Anti-trafiqeve dhe Anti-narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit, ku Ilir Proda ishte drejtor.

Një provë nga dosja penale “Shpataraku”

Më 31 janar 2023, Ulian Shpataraku u pezullua nga detyra dhe u procedua penalisht. Ai u çua për gjykim sepse më 14 shtator 2022 kapi të shumëkërkuarin për trafik droge E. Filja, por fshehu kapjen dhe e liroi, duke mos zbatuar vendimin e prokurorisë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore dhe Prokuroria e pezulluan nga detyra dhe e hetuan. Vendimi u mbështet nga Gjykata e Elbasanit dhe u la në fuqi nga Gjykata e Lartë.

Gjatë hetimit për lirimin e trafikantit, u konstatua se Ulian Shpataraku kishte bashkëpunuar me mikun e tij Ilir Prodën, që në atë kohë ishte zëvendësdrejtor i Krimeve në Drejtorinë e Policisë së Elbasanit. Emri i Ulian Shpatarakut është gjetur edhe në disa dosje të bandave të Elbasanit dhe Durrësit, për dekonspirim aksionesh, mosraportim të aktivitetit kriminal dhe fshehje denoncimesh.

Sipas raporteve të SHISH, Antimafias dhe AMP-së, Ulian Shpataraku dhe Ilir Proda kanë pasur lidhje me biznesmenin trafikant Mond Mëhalla, i cili u vra me atentat në Elbasan.

Ky oficer, i identifikuar si mbrojtës i bandave dhe trafikantëve, jo vetëm nuk është përjashtuar nga Ilir Proda, por ai po tenton ta emërojë drejtor policie në Korçë, pasi e promovoi në gradën “Drejtues”.

Ky promovim nuk është rastësor. Ai është pjesë e blindimit të tij në kupolën e policisë nga Ilir Proda.

Më 3 tetor 2024, ditën që Proda u emërua Drejtor i Policisë së Shtetit, në vend të tij në Elbasan komandoi Ulian Shpatarakun. Më 13 shkurt 2025 e emëroi në Zyrën e Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Më 12 korrik e emëroi drejtor policie në Korçë, por pas reagimit të Europol dhe agjencive partnere, Proda e anuloi vendimin.

Tani po tenton ta emërojë përsëri.

Për çfarë u betua Ilir Proda?

Në ditën e marrjes së detyrës dhe betimit para Flamurit Kombëtar dhe flamurit të Policisë, Ilir Proda deklaroi se do të luftonte krimin pa tolerancë dhe do të pastronte policinë nga të inkriminuarit.

Por një orë pas betimit, ai komandoi si zëvendës të tij në Elbasan pikërisht Ulian Shpatarakun, “ushtarin” e bandave kriminale. Më 27 nëntor 2025, Ilir Proda e përfshiu si pjesë të delegacionit të policisë në Asamblenë e Interpolit në Marok, ku diskutohej strategjia për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Ndërkohë që Ulian Shpataraku i ka kapur dhe i ka lëshuar trafikantët në Shqipëri./Pamfleti

 

ilir proda ulian shpataraku

Lini një Përgjigje