
Nga Igli Haxhiaj te Ilir Proda, nga Rinas te FAST Albania, faktet tregojnë se Policia e Shtetit funksionon si mekanizëm paralel i krimit dhe jo si institucion i ligjit
Kryeministri dhe drejtuesit e policisë e quajnë vazhdimisht strukturën “Organizatë”, por faktet e viteve të fundit tregojnë se termi i përket më shumë realitetit kriminal se retorikës politike. Arrestimet e oficerëve të përfshirë në trafik droge, punësimi i eksponentëve të krimit në agjenci shtetërore, dekonspirimet e operacioneve, ndërhyrjet në listat e kërkimit dhe rikthimi i 218 drejtuesve të përjashtuar për korrupsion dhe lidhje me bandat, e ngrejnë pyetjen e domosdoshme: çfarë “organizate” është në të vërtetë Policia e Shtetit?
Në çdo dalje publike, kryeministri Edi Rama, ish-ministrat e Brendshëm që kanë qenë dhe Albana Koçiu që është aktualisht, ish-drejtorët e policisë dhe Ilir Proda që është në detyrë, policinë e quajnë “Organizatë”. Ndoshta e quajnë kështu për risi, por në terminologjinë e anti-krimit, antimafies dhe hetimit, “organizatë” quhet grupi i organizuar kriminal, por quhen edhe organizatat e PS.
Funksioni paralel i oficerëve në shërbim të krimit
Policia ka si funksion shërbimet për sigurinë publike, gjurmimin dhe goditjen e krimit, por “de facto” ka funksionarë dhe efektivë që paralelisht janë përfshirë aktivisht në organizata kriminale.
Këtë e themi sepse, duke iu referuar rasteve të shumta të zbulimit dhe arrestimit të oficerëve të policisë të përfshirë në grupe kriminale, lind e drejta logjike për t’i pyetur kryeministrin, ministren e Brendshme dhe drejtorin e policisë:
Çfarë “organizate” është realisht Policia e Shtetit?
Dy ditë më parë u arrestua oficeri i Antiterrorit dhe ish-oficer i Drejtorisë Operacionale të Policisë së Shtetit, Igli Haxhia, për bashkëpunim me një organizatë kriminale të trafikimit të drogës, në rolin e dekonspiruesit të operacioneve. Ai u arrestua në mjediset e Akademisë së Policisë, ku kryente trajnimin për ngritje në detyrë, megjithëse prej një viti kishte informacione nga agjencitë partnere dhe denoncime se ishte përfshirë në një rrjet trafiku si informator.
Dy javë më parë, një atentat në Rinas zbuloi se një eksponent i krimit, i lidhur me drejtues të PS dhe policisë, ishte punësuar si oficer në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore pa certifikatë sigurie, dhe garantonte lëvizjet e mikut të tij, eksponent krimi, duke i dhënë informacione policore.
Disa pyetje të mbështetura në fakte:
· Çfarë organizate është policia, kur kryepolicit Ilir Proda, SPAK i ka sekuestruar telefonin për dekonspirim aksionesh te bandat kriminale, me të njëjtën akuzë si oficeri i Antiterrorit, Igli Haxhia, drejtori i Operacionales Oltion Bistri dhe shefi i krimeve Dedan Gjoni e të tjerë?
· Çfarë organizate është policia, kur drejtori Ilir Proda mban në polici dhe gradon në detyra të larta mikun e tij, Ulian Shpatarakun, shef të Hetimit të Narkotikëve dhe Trafiqeve në Elbasan, të proceduar penalisht për lirimin e një trafikanti droge?
· Çfarë organizate është policia, kur drejtori Ilir Proda është ortak biznesi importi dhe tregtimi makinash me trafikantin Ylli Cara?
· Çfarë organizate është policia, kur 70 drejtues të saj në Drejtorinë e Përgjithshme dhe në strukturat bazë kanë dalë në përgjimet SKY-ECC për lidhje me eksponentë të krimit?
· Çfarë organizate është policia, kur drejtuesit e saj hoqën emrin e trafikantit Ervin Mata dhe të Amant Josifit nga listat e kërkimit “FAST Albania”, por hoqën edhe emra dhe prova krimesh nga dosjet?
· Çfarë organizate është policia, kur 9 oficerë në Rinas lejonin kalime me dokumente false?
· Çfarë organizate është policia e shtetit, kur drejtues të saj të lartë vjedhin natën databazën e të dhënave sekrete të policisë dhe i vënë në dijeni kriminelët?
· Çfarë organizate është policia, kur për lidhje interesash dhe me urdhra politikë janë rikthyer në strukturë 218 ish-drejtues të përjashtuar për korrupsion, trafik droge dhe lidhje me krimin?
· Çfarë organizate është policia e shtetit, kur drejtuesit e saj kanë ndërprerë procesin e vettingut, sepse e dinë se brenda kupolës dhe strukturave të policisë ka drejtues të lidhur me krimin?/Pamfleti
Fiks organizate kriminale jane se sebashku bejne edhe shperthime me tritol.