Edhe nën hetim, AKSHI i jep tender Armand Sharës, kryenegociatorit të ri pas largimit të Ermal Beqirit, i cili përmes rrjetit të kompanive që kontrollon vijon të paracaktojë tenderët e teknologjisë, të mbajë jashtë konkurrencën dhe të marrë qindra mln euro nga buxheti i shtetit...

Edhe pse AKSHI ndodhet nën hetim dhe një pjesë e procedurave janë pezulluar ose në shqyrtim, institucioni dje shpalli fitues pa bërë zhurmë rreth 2 milionë euro mirëmbajtje kryenegociatorin e ri Armand Shara, përmes procedurës së prokurimit “Mirëmbajtja e sistemit e-receta për Fondin e Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor”.

Në këtë procedurë shpallet fitues Armand Shara, pothuajse në vlerën e plotë të fondit limit, duke e kthyer garën në një formalitet dhe duke konfirmuar modelin e paracaktimit që shfaqet prej vitesh në tenderët e teknologjisë të administruar nga AKSHI.
Ky fakt nuk qëndron i shkëputur nga panorama e mëparshme, sepse Armand Shara është personi që del në çdo hallkë të këtij sistemi, edhe pse emri i tij mungon në dosjet që analizojnë vetëm procedurat dhe dokumentet. Përmes TAG Engineering, kompani që ai zotëron 100 për qind, Shara kontrollon një rrjet subjektesh që shfaqen rregullisht si fituese, furnitore ose konkurrente në tenderët e AKSHI-t, ndërsa përfitimi real mbetet i përqendruar te i njëjti kontroll.

Aq i madh mbetet presioni i AKSHI-t në treg sa askush nuk guxon të konkurrojë me kompanitë e lidhura me Armand Sharën, edhe kur bëhet fjalë për kontrata shumë milionëshe dhe për sisteme kritike të shëndetësisë. Ky presion nuk shfaqet në dokumente, por reflektohet te mungesa totale e konkurrencës dhe te fakti që i njëjti emër shpallet fitues herë pas here, edhe në kushte hetimi.
Ndërkohë që procedura të tjera paralizohen dhe rishikohen për shkak të hetimeve, asgjë nuk e ndalon Armand Sharën të vijojë të marrë kontrata të reja, duke komanduar në praktikë komisionet e brendshme të institucionit që miratojnë procedura pa garë dhe i çojnë fondet publike drejt të njëjtit rrjet.
Kjo kontratë e fundit për mirëmbajtjen e e-recetës e bën edhe më të qartë atë që artikulli i parë ngriti si pyetje qendrore, sepse ndërsa hetimet mbi AKSHI-n ndalen te letra dhe te firmat, “elefanti” mbetet jashtë kornizës së hetimit. Armand Shara vijon të funksionojë si qendra e vendimmarrjes së tenderëve të teknologjisë, duke marrë dhjetëra milionë euro nga buxheti dhe duke e mbajtur të paprekur modelin e paracaktimit të kontratave.../Pamfleti
Lini një Përgjigje