TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia13 Korrik 2026, 13:20

Nga makineritë e bixhozit në Bavari te kullat e Tiranës dhe resortet bregdetare: rrjeti austriak dhe shqiptar i Dajlan Avdisë

Shkruar nga Pamfleti
Nga makineritë e bixhozit në Bavari te kullat e Tiranës dhe
Foto ilustruese/

Një hetim i Pamfletit ndjek gjurmën dokumentare të biznesmenit Dajlan Avdia përmes regjistrave tregtarë të Gjermanisë, Austrisë dhe Shqipërisë. Rezultati është një hartë shoqërish që nis në vitin 2007 me pajisjet e lojërave të fatit dhe arrin, dy dekada më vonë, te trojet bregdetare të Sarandës dhe kullat në qendër të Tiranës

Rrjeti i Dajlan Avdisë shtrihet nga një depo makinerish bixhozi në një qytezë bavareze, te kullat që ngrihen në zemër të Tiranës dhe resortet "strategjike" në bregdetin e Jugut. Një rrjet i ndërtuar mbi para të pista, me struktura në Austri, Gjermani, Çeki, Holandë, Londër dhe Dubai. Mjeshtri i pastrimit të parave të mafies kryeministrore.

Dajlan Avdia, i lindur më 20 qershor 1968 në Tiranë dhe me shtetësi gjermane, e ka ngritur perandorinë duke kaluar nga aparatet e lojrave të fatit te betoni i Tiranës dhe Sarandës. Paratë e pista kthehen në pasuri të ligjshme përmes strukturave ndërkufitare. Prapa investimeve miliona euro në kulla e resorte, qëndrojnë financime të pista me burim drogën, bixhozin dhe pastrim parash të mafies.

Gjurma gjermane: nga Sintec te AlpenCasino

Në gusht 2009, në Freilassing të Bavarisë, pak kilometra nga kufiri austriak, u regjistrua te Amtsgericht Traunstein me numër HRB 19375 një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar. Fillimisht quhej Sintec GmbH, më vonë u riemërua AlpenCasino GmbH, një shoqëri me kapital 25 mijë euro, e specializuar te aparatet e lojërave të fatit.

Dajlan Avdia ishte administrator i AlpenCasino GmbH nga 1 shtatori 2009 deri më 7 tetor 2010. Ishte gjithashtu bashkëpronar. Listat e ortakëve të datës 22 dhjetor 2009 dhe 13 gusht 2010, të depozituara në regjistrin tregtar gjerman, e lidhin praninë e tij me shoqërinë austriake që ai zotëron edhe sot: Complitex GmbH.

AlpenCasino ekziston ende. Në maj 2021, selia u transferua nga Freilassing në Forstinning, pranë Mynihut, ku sot regjistrohet te Amtsgericht München me numër HRB 265809. Dajlan Avdia nuk figuron më si pronar apo drejtues. Por fillimi i tij në këtë biznes është i dokumentuar. Dhe ai fillim përkon me strukturat që do të shërbenin për të kaluar paratë përtej kufijve.


Guacka austriake me miliona euro

Në Linz të Austrisë, Dajlan Avdia zotëron dhe drejton Complitex GmbH, e regjistruar te Landesgericht Linz me numër FN 336417g, me seli në Ferdinand-Markl-Straße 22. E krijuar më 27 nëntor 2009 me kapital 35.000 euro, Avdia është administrator dhe ortak i vetëm i saj që nga themelimi.

Ajo që e bën të veçantë këtë shoqëri janë aktivet: 4.86 milionë euro në 2019 dhe 4.6 milionë euro në 2020. Pikërisht vitet kur Avdia e kishte kthyer fokusin nga bixhozi te betoni në Shqipëri. Pyetja që SPAK-u duhet ta bëjë: nga vijnë këto para?

Lidhja austriake dhe shqiptarët brenda saj

Lista e ortakëve e AlpenCasino e datës 17 gusht 2017 tregon se pronësia e shoqërisë kishte kaluar te një grup holdingesh austriake:

APEX Holding GmbH (Gutau, FN 325151p) me 40 për qind, e lidhur me grupin austriak të teknologjisë së lojërave të fatit që graviton rreth fondacionit Privatstiftung Schloß Tannbach dhe familjes Weißengruber.

INTGH Beteiligungs dhe Consulting GmbH (FN 346898w) me 25 për qind, e drejtuar nga Josef Zaunmayr, dikur drejtues te Apex Gaming Europe.

KaNd Investment GmbH (FN 340931w) me 15 për qind. ortak Kastriot Ndoja.

Pikërisht KaNd Investment përbën lidhjen më interesante. Administrator i saj është Kastriot Ndoja, nga Kukësi, i cili e drejton që nga 25 marsi 2010. Ortak i vetëm i saj sot është një shoqëri shqiptare, GREEN LINE HOLDING sh.p.k., me numër NUIS L01321041C, e regjistruar më 21 janar 2010 në Tiranë.

Emri KaNd rrjedh nga inicialet e Kastriot Ndojës. Dhe Ndoja figuron në listat e ortakëve të AlpenCasino qysh më 13 gusht 2010, pra në të njëjtën fazë të hershme ku shfaqej edhe Complitex e Dajlan Avdisë.

Dy shqiptarë brenda së njëjtës strukturë austriake të lojërave të fatit në fillim të viteve 2010: Dajlan Avdia përmes Complitex, Kastriot Ndoja përmes KaNd Investment dhe GREEN LINE HOLDING. 

Autoritetet gjermane kanë sjellë në SPAK jo pak fakte për rrjetet ndërkombëtare të drogës dhe pastrimit të parave, por pyetja mbetet: a do të hetohen njëherë e mirë kompanitë e bixhozit të Dajlan Avdisë dhe Kastriot Ndojës në Gjermani, për të parë nëse ato janë përdorur si kanale për transferime kapitali dhe dërgime parash drejt projekteve të lidhura me ndërtimin në Shqipëri?

GREEN LINE HOLDING: ndërtim dhe bixhoz në të njëjtin objekt

GREEN LINE HOLDING sh.p.k., me NIPT L01321041C, u regjistrua më 21 janar 2010. Objekti i saj përfshin themelimin dhe administrimin e shoqërive, ndërtimin, energjinë, pasuritë e paluajtshme dhe lojërat e fatit.

I njëjti model biznesi që ndërthur ndërtimin me bixhozin; i njëjti model që ndjek edhe Dajlan Avdia. 

Kastriot Ndoja zotëron gjithashtu SIX STONE INVESTMENT GROUP me NIPT M41623031T (hapur më 23 prill 2024), NDOJA GAZ me NIPT L73006601G në Gjirokastër (regjistruar më 6 qershor 2017) dhe figuron  te shoqëria AM & AN, me NIPT K61812008F, që nga viti 2006.

Perandoria shqiptare e ndërtimit

Në Shqipëri, Avdia shfaqet në regjistrat tregtarë që në 2007. Pothuajse gjithmonë bashkë me vëllain e tij, Glendi Abdin (Gledi Avdia). TECHNO-ALB që nga 14 qershori 2007. LINEA STYLE që nga shkurti 2014. Blue Holding në pronësi 100 për qind të Avdisë që nga 1 maji 2015. TDT & PARTNERS që nga qershori 2016 bashkë me Natasha Matën. INVEST SOCIETY që nga nëntori 2016.

TECHNO-ALB nuk ka qenë gjithmonë e Avdisë. Kjo kompani i ka përkitur Ilir dhe Natasha Matës, deri në vitin 2017, kur Dajlan Avdia e bleu atë. Natasha Mata (Saliu) është personi që ka "kopsitur" dokumentet për Dajlan Avdinë. Lidhja e çiftit Mata me bosin e APEX do të trajtohet në një artikull tjetër.

Por vala më e re është ajo që meriton vëmendjen më të madhe. Në tetor 2025 u regjistrua AZURÉE MANAGEMENT. Në dhjetor 2025, BlueKey Hospitality. Më 27 prill 2026, CAPITAL GAMING – një shoqëri aksionare e lojërave të fatit.

Pra, në të njëjtën kohë kur publiku mendon se Avdia është "investitori i ndërtimit", ai po rikthehet te bixhozi dhe po ndërton hotelerinë. Betoni mbulon gjurmët, por struktura është e njëjtë.

Shitja e APEX-it dhe kthimi te betoni

Më 1 qershor 2018, pak muaj pasi bixhozi u nxor jashtë ligjit në Shqipëri, Avdia ia shiti 16 për qind të aksioneve të APEX-AL kompanisë austriake Apex Enterprise GmbH, me adresë në Gutau, Austri. Çmimi: rreth 500 mijë euro. E njëjta Apex Enterprise GmbH vepron në të njëjtin juridiksion me Complitex GmbH. I njëjti qark, e njëjta logjikë.

Pas shitjes së aksioneve të bixhozit, Avdia u zhvendos te ndërtimi. Dhe lejet erdhën të dendura në zonat më të lakmuara të Tiranës. Kullat e ish-Bllokut në nëntor 2017 përmes INVEST SOCIETY. Book Building pranë Sahatit në shkurt 2018 përmes TECHNO-ALB. Kulla mbrapa Presidencës në qershor 2018. Dhe më 4 qershor 2025, leja për Kullën 47-katëshe "Embassy Tower" përballë ambasadës amerikane.

Rasti i Book Building flet vetë. Një kat i katërt nëntokësor pa leje, 1800 metra katrorë, i shtuar gjatë izolimit të pandemisë në prill 2020. Gjoba 650 mijë euro në nëntor 2022. Dy kërkesa për legalizim të refuzuara. Por më 22 maj 2025, Gjykata Administrative e Apelit e rrëzoi gjobën; jo për arsye themeli, por sepse ishte vendosur jashtë afateve. Një tjetër "pazar" i mbyllur.


"Investitor strategjik" në Sarandë dhe Krorëzë

Projekti më ambicioz i Avdisë nuk është në Tiranë. Në korrik 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi lejen për resortin e Lëkurësit në Sarandë. 30 mijë metra katrorë poshtë Kalasë së Lëkurësit, mijëra vila dhe hotel 5-yje me 140 dhoma. Ndërtuesi: TDT & PARTNERS e Avdisë. Status "investimi strategjik" me vendimin nr. 23, datë 09.07.2024.

Por projekti që ngre dyshime serioze është ai i Gjirit të Krorëzës. Në nëntor 2024, KKTU miratoi lejen për kompleksin turistik në këtë zonë. Zhvilluesi: INVEST SOCIETY e Avdisë. Projekti u hartua nga studioja Luca Dini në Firence.

Gjiri i Krorëzës është një nga grykëderdhjet e fundit të virgjëra të Rivierës shqiptare, i aksesueshëm vetëm me varkë ose pas një ore e gjysmë ecje. Tani, kjo zonë e mbrojtur do të mbushet me mijëra vila në 68 hektarë. Dajlan Avdia thotë se do të investojë 1 miliard euro në këtë projekt. Por pyetja është: a janë këto thjesht fjalë për të shtënë në dorë pasurinë kombëtare? Avdia nuk ka asnjë kapacitet të ligjshëm për një investim të tillë. Monumentet natyrore dhe kulturore; mes tyre kisha antike;  rrezikojnë të sakrifikohen. 

Rrjeti zgjerohet. Në qendër, i njëjti emër: Dajlan Avdia, pastruesi i parave të mafies kryeministrore, i shpallur "investitor strategjik" pikërisht atje ku natyra dhe ligji nuk duhet të prekeshin.

Prapa investimeve miliona euro që Avdia ka bërë në kulla e resorte në Tiranë e Sarandë, qëndrojnë financime të pista me burim drogën, bixhozin dhe pastrim parash të mafies . Në librin "Albanian Files", Avdia ka një rol të rëndësishëm; libër që po hetohet nga SPAK, por me gjasa Dajlan Avdia nuk do të hetohet kurrë. Pse? Për shkak të lidhjeve të tij në drejtësi dhe me rrethin e ngushtë të vëllait të kryeministrit.

Dajlan Avdia ka qenë administrator dhe pronar i një shoqërie gjermane të bixhozit. Zotëron një shoqëri austriake me aktive miliona euro. Kontrollon në Shqipëri një grup shoqërish që kanë kaluar nga tregtia te ndërtimi dhe hoteleria. Ka marrë leje për resortet "strategjike" në Sarandë dhe Krorëzë.

Nga vijnë aktivet e Complitex? Si u financuan kullat në Tiranë? Kush qëndron pas holdingeve austriake?

Këto pyetje SPAK-u i ka në tryezë. Por Avdia nuk preket. Lëviz rehat në rrethin e ngushtë të vëllait të kryeministrit, një lidhje që i ka hapur dyert e të gjitha projekteve "strategjike". Nga Bavari te Tirana, nga makineritë e bixhozit te kullat e betonit, perandoria e tij është ndërtuar mbi para të pista. Dhe askush; as SPAK-u, as gjykatat, madje as opozita nuk ka guxim ta prekë. /Pamfleti

dajlan avdia

Lini një Përgjigje