TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 6 Prill 2026, 22:13

Nga vera te pengmarrja, SPAK çon në 8 numrin e akuzave ndaj Ergys Agasit; policia dështon në kapjen e “koordinatorit”

Shkruar nga Pamfleti
Nga vera te pengmarrja, SPAK çon në 8 numrin e akuzave ndaj Ergys
Agasi dhe koleksioni i verërave, foto ilustruese

Tre akuza të reja nga SPAK, Agasi ende jashtë kontrollit të policisë...

Prokuroria e Posaçme ka ngritur një “mal me akuza” për Ergys Agasin, i quajtur tani si “koordinator i krimit”, por policia nuk e gjen dot se ku fshihet.

Sot pati edhe një akuzë të rëndë nga kreu demokrat Sali Berisha, pasi sipas tij policia nuk lëshon urdhër-arrest ndërkombëtar për të.

Agasi u shpall në kërkim pas skandalit me AKSHI-n, por jo vetëm që nuk u arrestua, por mori me vete edhe qindra shishe verë me vlerë miliona euro.

Rreth një muaj më parë SPAK bëri me dije se dosja e zhdukjes së verës është transferuar nga Prokuroria e Tiranës drejt SPAK. Por mësohet se SPAK ka regjistruar 3 vepra penale shtesë për Agasin, duke e bashkuar rastin me dosjen e AKSHI. Ai akuzohet edhe për “Kontrabandë mallrash për të cilat paguhet akcizë”, “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

"Mbi bazën e tyre të kompetencave lëndore, Prokuroria e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm të Tiranës ka shpallur moskompetencën për procedurën penale Nr. 9545/1 të vitit 2026, ndaj shtetasit E.A., i akuzuar për kryerjen e veprave penale të kryera nga nenet 172, 179/2 dhe 287 të Kodit Penal. Në këtë rast, Prokuroria e Posaçme, përmes vendimit të datës 2.3.2026, ka pranuar pranimin e akteve dhe bashkimin e tyre me procedurën penale nr. 20/1-2025. Ky veprim procedural është i vendosur për të garantuar një hetim të plotë të gjithanshëm brenda kompetencave dhe zbulimit të informacionit", shprehet zyrtarisht SPAK.

Shishet e verës u sekuestruan gjatë kontrolleve të kryera nga SPAK në pronat e Agasit, në kohën kur ai u shpall në kërkim bashkë me Ermal Beqirin. Të dy dyshohen si drejtues të një grupi kriminal që, sipas hetimeve, rrëmbente biznesmenë dhe i detyronte të tërhiqeshin nga gara për tendera të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI).

Pas sekuestrimit, sasia e verës iu la në ruajtje një kushëriri të Agasit. Megjithatë, kur autoritetet doganore shkuan një ditë më pas për ta marrë dhe magazinuar, konstatuan se shishet ishin zhdukur.

Për këtë rast, kushëriri i Agasit po hetohet nga Prokuroria e Tiranës për veprime që dyshohet se kanë penguar zbardhjen e së vërtetës, pasi nuk ka dhënë shpjegime për vendndodhjen e verës së sekuestruar.

Sipas aktit të ekspertimit, vlera e verës së gjetur në qilar arrin rreth 1.4 milionë euro. Ekspertët vlerësojnë se, nëse shishet do të shiteshin individualisht në treg, vlera e tyre mund të rritej të paktën dyfish.

Ndërkohë, SPAK dhe Byroja Kombëtare e Hetimit kanë nisur edhe verifikime për të zbuluar rrethanat që mundësuan zhdukjen e verës së sekuestruar. Hetimi është fokusuar në identifikimin e zyrtarëve që dyshohet se urdhëruan largimin e forcave të policisë dhe të hetuesve doganorë nga shërbimi i ruajtjes së objektit.

Sipas burimeve pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, po verifikohen veprimet dhe mosveprimet e zinxhirit drejtues të Policisë së Shtetit, nga drejtuesit e komisariatit që mbulon zonën ku ndodhet prona e Agasit, deri te punonjësit e policisë të caktuar për ruajtjen e saj.

Hetime me të njëjtin objekt kanë nisur edhe për strukturat e doganave, për të zbuluar nëse është dhënë urdhër për largimin e hetuesve doganorë nga shërbimi pranë vilës së Agasit, çka mund të ketë krijuar mundësinë për largimin e verërave të sekuestruara.

Po ashtu, nën verifikim janë marrë edhe disa zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, për të parë nëse janë respektuar detyrimet ligjore për hetimin e veprimeve të mundshme të paligjshme të punonjësve të policisë në këtë rast.

Në funksion të hetimit, SPAK ka administruar dokumentacionin e plotë të procedurës së kontrollit në pronën e Agasit, përfshirë procesverbalet e sekuestrimit, aktet e vlerësimit financiar, filmimet dhe listën e personave të ngarkuar me ruajtjen e provave materiale.

Ndërkohë, lidhur me skandalin e AKSHI-t, SPAK ngriti ndaj tij akuzat: Konkurrencë të paligjshme përmes dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë në tendera, pastrim parash dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Pra kemi 8 akuza ndaj tij dhe policia nuk arrin ta gjejë dot.

Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri janë shpallur në kërkim ndërkombëtar për akuzat e konkurrencës së paligjshme përmes heqjes së paligjshme të lirisë dhe pjesëmarrjes në grup kriminal. Sipas hetimeve të SPAK, ata dyshohen se kanë urdhëruar rrëmbimin e biznesmenit Gerond Meçe dhe e kanë detyruar të tërhiqte ankesat e tij lidhur me tenderat e AKSHI-t.

Në këtë dosje, nën masën e “arrestit në shtëpi” ndodhen ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, dhe ish-zëvendësdrejtoresha Hava Delibashi, ndërsa ndaj disa biznesmenëve dhe një zyrtari policie janë vendosur masa më të lehta sigurie. /Pamfleti

agasi vere s

1 Komente

  1. M
    Mondi durres

    Si nuk kapin vangjush mostren. Vilen e ka ngjitur me ergysin ne bllok te durresit. Ka vila ne dhermi te papuli, vila te gjiri lalezit, hotel me 200 dhoma te shkembi kavajes, 100mije m2 magazina ne fllake. Spaku flen gjume. Plot me verera 2miljon euro e ka vilen ne durres. Ja con te gjatit ne darke. Pastaj i gjati i fut te gjatin.

    Lini një Përgjigje