Burime shumë serioze të Pamfletit thonë se, pas shkarkimit, ish-kreu i Policisë ka nisur të nxjerrë informacion të detajuar për kapjen e strukturave policore nga politika, oligarkia dhe grupet kriminale. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për përmbajtjen e plotë të kësaj dosjeje, por ajo përshkruhet si një material me peshë të rëndë institucionale dhe penale...
Pamfleti ka mësuar nga burime konfidenciale se Ilir Proda, pas largimit nga detyra, ka vendosur të flasë për ndërhyrjet politike në polici, emërimet e komandura, urdhrat verbalë për mosveprim dhe mbrojtjen e rrjeteve kriminale në portet, kufijtë dhe strukturat kyçe të sigurisë. Nëse kjo dosje provohet me dokumente, Shqipëria mund të përballet me një nga skandalet më të rënda të kapjes së Policisë së Shtetit.
Shkarkimi i Ilir Prodës u mbyll në heshtje. Por, sipas burimeve shumë serioze të Pamfletit, kjo heshtje nuk ka për të zgjatur gjatë. Ish-kreu i Policisë ka nisur të kundërveprojë dhe të hapë fijet e errëta të një sistemi që, sipas të njëjtave burime, e ka përdorur Policinë e Shtetit si instrument të politikës, të oligarkëve dhe të grupeve kriminale të lidhura me ta.
Pamfleti ka mësuar se, menjëherë pas largimit nga detyra, Proda ka nisur lëvizje të kujdesshme për të vënë në dispozicion informacione të ndjeshme që lidhen me raste konkrete, emra konkretë dhe mekanizma konkretë të deformimit të strukturës policore. Burimet thonë se bëhet fjalë për një material me peshë të rëndë, që prek nivelet më të larta të pushtetit, të policisë dhe të botës kriminale.
Sipas burimeve tona, Proda nuk po lëviz me deklarata publike, por me informacion. Jo me zhurmë, por me fakte, episode, emërime, urdhra dhe zinxhirë ndikimi. Pikërisht kjo e bën këtë histori më të rëndë se sa një konflikt i zakonshëm pas shkarkimit. Kjo e kthen në një çështje që mund të prekë vetë zemrën e kapjes së Policisë së Shtetit.
Burimet thonë se informacionet që ai po sistemon prekin një fushë shumë të gjerë, nga emërimet preferenciale në qarqe e komisariate, deri te ndikimi mbi strukturat e kufirit, forcat speciale, sektorët e antitrafiqeve, pastrimit të parave, antiterrorit dhe antikontrabandës. Sipas të njëjtave burime, në këtë dosje përfshihen skema ndikimi dhe marrëveshje informale që kanë prodhuar një polici të komanduar nga jashtë policisë.
Pamfleti ka mësuar se një nga pikat më të rënda të informacionit lidhet me ndërhyrjet për të mos prekur aktivitetin kriminal në pikat më të ndjeshme të vendit, portet e Durrësit, Vlorës, Sarandës e Shëngjinit, si dhe pikat kryesore kufitare tokësore. Nëse ky informacion provohet, atëherë nuk do të bëhet më fjalë për dobësi të rendit publik, por për tolerim të komanduar të krimit.
Burimet konfidenciale thonë gjithashtu se dosja që po përgatitet përmban të dhëna për urdhra verbalë, presione dhe bllokime informacioni, me qëllim që të dhënat për grupe kriminale të mos kalonin aty ku duhej, te strukturat e hetimit dhe të drejtësisë. Nëse kjo del e dokumentuar, atëherë kemi të bëjmë me një akuzë shkatërruese për funksionimin vertikal të Policisë së Shtetit.
Pesha e kësaj historie rritet edhe nga vetë profili i Ilir Prodës. Ai nuk është figurë periferike. Ai ka kaluar në pozicione kyçe të policisë për rreth dy dekada. Ka qenë në qarqe të rëndësishme, në struktura delikate dhe në drejtimin qendror. Kjo do të thotë se, nëse ka vendosur të flasë, ai nuk flet nga jashtë. Ai flet nga brenda mekanizmit.
Pikërisht për këtë arsye, ajo që burimet e Pamfletit përshkruajnë si “kasaforta e zezë” e policisë, mund të ketë vlerë shpërthyese. Sepse nuk bëhet fjalë vetëm për episodet e korrupsionit të zakonshëm, por për arkitekturën e tërë të nënshtrimit të policisë ndaj interesave politike, oligarkike dhe kriminale.
Deri në këtë moment, nuk ka konfirmim zyrtar për ekzistencën dhe përmbajtjen e plotë të kësaj dosjeje. Por burimet e Pamfletit insistojnë se bëhet fjalë për një material që mund të ekspozojë emra, skema, marrëveshje dhe ndërhyrje që kanë mbajtur peng kupolën e policisë për vite.
Kjo është edhe arsyeja pse çështja nuk duhet parë si hakmarrje individuale. Ajo duhet parë si alarm i mundshëm institucional. Sepse nëse një ish-drejtues i lartë del dhe tregon se policia është përdorur për të mbrojtur krimin, për të toleruar trafiqet dhe për të shërbyer interesat e pushtetit, atëherë nuk kemi më krizë personash. Kemi krizë të shtetit.
Pyetja tani është vetëm një, a do të mbetet kjo dosje në errësirën e pazareve dhe të frikës, apo do të dalë e plotë dhe do të tregojë se kush e ka komanduar realisht Policinë e Shtetit?
Nuk dihet, nëse Ilir Proda po e bën këtë si hakmarrje që e keqpërdoren dhe e ‘hodhën si leckë’; ose si kontribut për shkatërrimin e rrjetit që ka marrë peng policinë, apo si “Pentito”, ngaqë edhe vetë, ka qenë në shërbim të grupeve kriminale dhe synon lehtësojë pozitat e tij./Pamfleti
Ilir Proda ishte nje nga drejtuesit me liberale,i thjeshte i ndershem dhe bashkepunues me vartesit e tij,jo drejtues i piset me policet, si pothuajse te gjithe te tjeret para tij.Per rrjedhoje edhe puna ne pergjithesi i shkoj shume me mire se paraardhesit.Kete tregou si Drejtor I Pergjithshem, se ça thuhet para se te behej Drejtor me gjase xhelozia dhe klanet filluan te funksionojne pa narre detyren. Vazhdon nje kaste ne hije ne polici,interesagji e nepotike,te cilet luajne me mjeshteri dhe nese te rreshqet pak kemba, keto te japim edhe nje te shtyre te plote e te hedhin ne humnere.
Tani do shkruaj liber se doli ne pension dhe do ta dorzoje be BKH
Ky e kishte mendjen jo vetem tek leket por i mbante te gjitha per vete