Vendimi nr. 131 i 13 marsit 2026 autorizon grantin për Bashkinë Tiranë në emër të riciklimit, energjisë së pastër dhe edukimit mjedisor. Por pas skandalit të mbetjeve, fondi i ri ngre pyetje të forta për përfituesit, kriteret dhe efektin real të këtyre milionave...
Komisioni i Ndihmës Shtetërore miratoi një fond prej 937.4 milionë lekësh për Bashkinë Tiranë, me argumentin e zhvillimit të qëndrueshëm, riciklimit dhe reduktimit të ndotjes. Në letër, projekti tingëllon i gjelbër. Në praktikë, pa transparencë për përfituesit dhe rezultatet, kjo skemë rrezikon të shihet si një tjetër kanal shpërndarjeje fondesh publike.
Pas aferës së mbetjeve dhe hijes së rëndë që vijon të mbulojë landfillin e Tiranës, qeveria ka hapur një tjetër kanal financimi në emër të riciklimit, energjisë së pastër dhe edukimit mjedisor.
Dokumenti zyrtar që mban numrin 131 dhe datën 13 mars 2026 autorizon ndihmën shtetërore për Bashkinë Tiranë në formën e grantit, me titull “Mbështetje me grante për zhvillimin e qëndrueshëm në fushat e riciklimit, energjisë së pastër, reduktimit të ndotjes dhe edukimit mjedisor në Bashkinë Tiranë”.
Sipas vetë vendimit, procedura ka nisur me shkresën nr. 5231, datë 5 shkurt 2026, të dërguar nga Bashkia Tiranë. Në të kërkohet miratimi i ndihmës shtetërore për një grant me vlerë 937.4 milionë lekë.

Pra, nuk bëhet fjalë për një fond të vogël simbolik. Bëhet fjalë për afro 1 miliard lekë që kalojnë në emër të një projekti që premton zhvillim të qëndrueshëm, mbrojtje të mjedisit, ndarje të mbetjeve në burim, riciklim dhe nxitje të ekonomisë qarkulluese.
Në letër, çdo gjë tingëllon e pastër. Por pikërisht këtu nis problemi. Në një qytet ku fusha e mbetjeve është ndër më të ngarkuarat me dyshime, kontrata, para publike dhe skandale, një fond i tillë nuk mund të trajtohet si nismë rutinë.
Pyetja e parë është e drejtpërdrejtë, kujt do t’i shkojnë konkretisht 937.4 milionë lekët?
Pyetja e dytë është po aq e rëndë, me çfarë kriteresh do të përzgjidhen përfituesit?
Dhe pyetja e tretë është ajo që ndan propagandën nga rezultati, si do të matet efekti real i kësaj skeme në terren?
Vendimi flet për mbështetje të zhvillimit të qëndrueshëm në fushat e riciklimit, energjisë së pastër, reduktimit të ndotjes dhe edukimit mjedisor. Por pa listë përfituesish, pa thirrje të qartë publike, pa standarde të matshme dhe pa mekanizëm të hapur monitorimi, ky fond rrezikon të perceptohet si një tjetër mekanizëm shpërndarjeje parash me efekt më shumë propagandistik sesa real.
Kjo çështje bëhet edhe më e rëndë po të kujtohet se Tirana nuk vuan nga mungesa e strukturave, agjencive, kontratave apo instrumenteve në fushën e mbetjeve. Përkundrazi, është një sektor që prej vitesh ka gëlltitur para publike dhe ka prodhuar më shumë hije sesa zgjidhje.
Pikërisht për këtë arsye, 937.4 milionë lekë për “edukim mjedisor” nuk mund të kalojnë në heshtje. Bashkia Tiranë dhe qeveria duhet të publikojnë menjëherë projektin e plotë, kriteret e përzgjedhjes, përbërjen e komisionit, listën e përfituesve dhe mënyrën si do të raportohen rezultatet.
Sepse kur afro 1 miliard lekë shpërndahen në emër të qytetarit, por pa transparencë të plotë, dyshimi lind vetvetiu./Pamfleti
Lini një Përgjigje