TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia 9 Janar 2026, 10:04

Olsi Rama në dosjen gjermane të “Milton Group”: rrjeti 'call-center' po kthehet në rrezik politik

Shkruar nga Pamfleti
Olsi Rama në dosjen gjermane të “Milton Group”: rrjeti
Olsi Rama /

Hetimi i Prokurorisë së Bambergut për bosin izraelito-gjeorgjian të mashtrimeve financiare rihap pistën shqiptare dhe vë në provë mbrojtjen e SPAK-ut për vëllain e kryeministrit...

Me vendim të Prokurorisë së Përgjithshme të Bambergut në Gjermani, kanë nisur hetimet për shtetasin izraelito-gjeorgjian Mikheil B., organizator i rrjetit kriminal ndërkombëtar të call-center “Milton Group”, me aktivitet mashtrimi financiar.

Hetimi i tij, përveç Amant Josifit që është arratisur në Dubai dhe është në kërkim nga drejtësia spanjolle, ka prishur qetësinë edhe për vëllain e kryeministrit Edi Rama, të famshmin Olsi Rama, pasi rezulton i përfshirë në mashtrime dhe vjedhje milionëshe euro, përmes qendrave call-center në Shqipëri.

Frikën e përfshirjes në hetim si pjesë e rrjetit mafioz “Milton Group”, Olsi Rama po e përjeton për faktin se në dosjen e Prokurorisë Gjermane përmendet edhe aksioni i kryer më 8–9 nëntor 2022 në Shqipëri nga drejtësia e Spanjës, Gjermanisë, EUROJUST, SPAK dhe Policia Shqiptare.

Emri i Olsi Ramës ndodhet në dosjet hetimore të Spanjës dhe Gjermanisë, madje është deklaruar edhe nga dy të arrestuarit, Erindi Pisqyli dhe Berlando Saraçaj, se Olsi Rama ka qenë “shefi” faktik, organizator, ortak dhe drejtues i aktivitetit të call-center të grupit kriminal maltezo–gjeorgjiano–izraelit “Milton Group” në Shqipëri.

Por drejtuesit e Policisë Shqiptare dhe të SPAK-ut e hoqën emrin e Olsi Ramës nga lista e personave që drejtonin aktivitetin call-center, ndërsa për ortakun Amant Josifi u mashtrua sikur nuk po gjendej, duke e njoftuar paraprakisht për aksionin dhe duke e lejuar të arratisej në Dubai.

Gjurmët e hetimit të nisur në Gjermani për bosin e arrestuar izraelito-gjeorgjian Mikheil B., për krimet e kryera në Shqipëri, do të çojnë sërish te Olsi Rama dhe Amant Josifi, si përfaqësues, drejtues dhe ortakë të rrjetit mashtrues.

Me këtë hetim, drejtësia gjermane i është afruar për herë të dytë Olsi Ramës si personazh i krimit që ka mashtruar dhe vjedhur edhe 1200 qytetarë dhe biznesmenë gjermanë përmes mashtrimeve me call-center.

Rasti i parë, në të cilin drejtësia gjermane e skedoi Olsi Ramën, ishte për përfshirjen në bandën e trafikut dhe përpunimit të kokainës në laboratorin e Xibrakës, fakt i vërtetuar nga përgjimet, filmimet ambientale dhe sistemi kufitar TIMS.

Rasti i dytë i skedimit të Olsi Ramës nga drejtësia gjermane është për përfshirjen e tij në mashtrimin me rrjetin call-center.

Rasti i tretë lidhet sërish me rrjetin call-center, pas arrestimit dhe ekstradimit të bosit izraelito-gjeorgjian të “Milton Group” dhe rihapjes së hetimit në Gjermani edhe për grupin e tij “Olsi–Amant”, me 20 qendra në Shqipëri.

Në rastin e parë të hetimit për aktivitetin call-center, ish-drejtuesi i SPAK-ut Altin Dumani e shpëtoi Olsi Ramën, duke mos e përfshirë në dosjen hetimore, ndërsa për Amant Josifin deklaroi se po hetohej nga drejtësia spanjolle dhe se nuk kishte hetim në Shqipëri. Në fakt, hetimi kishte nisur, u bënë sekuestrime pasurish dhe u shpall në kërkim, por më pas hetimi u ndërpre dhe u fshi nga regjistri i çështjeve penale.

Për rastin e dosjes “Xibraka”, SPAK rifilloi hetimin pas kallëzimit të deputetit Gazment Bardhi, por pas një muaji e pushoi çështjen, duke deklaruar se nuk kishte prova që Olsi Rama kishte qenë i përfshirë në bandën e trafikimit dhe përpunimit të kokainës.

Pyetja që shtrohet është kjo:

A do ta mbrojë dhe shpëtojë SPAK-u sërish Olsi Ramën, nëse drejtësia gjermane kërkon ta marrë në pyetje, ta hetojë dhe ta procedojë penalisht për krimin e mashtrimit me call-center?/Pamfleti

 

milton group olsi rama

Lini një Përgjigje