Taksat e shqiptarëve, po fluturojnë drejt klientëve koncesionarë të Bablokut, maskuar me letra tenderësh, si gjoja investime në shërbim të zhvillimit ekonomik...
Një njoftim i Drejtorisë Rajonale të OSHEE-Vlorë në Buletinin e Prokurimeve Publike, zbulon një tjetër favor financiar mbi gjysmë milionë Euro, që Babloku po i bën si “thelë mbi bisht” kompanisë koncesionare “VIA” të Aeroportit të Vlorës.
Më 8 tetor 2023, Drejtoria e OSHEE-Vlorë, ka shpallur tenderin me objekt: “Ndërtimi i linjës Kabllore 35 kv n/st Mifol-Aeroporti i Vlorës, për sigurimin e furnizimit të këtij Aeroporti me energji elektrike me rrjet të veçantë.
Fondi që qeveria i ka akorduar OSHEE-s për këtë investim në favor të koncesionarit privat, që po ndërton e do bëjë biznes për 35 vite me Aeroportin e Vlorës, është 720 milionë lekë të vjetra me TVSH e tenderi do bëhet më 23 tetor, ndërsa punimet për ndërtimin e linjës do zgjasin 6 muaj.

Pra, linjën nga nënstacioni elektrik në Mifol, deri te Aeroporti i Vlorës, do ta financojë shteti nga taksat e shqiptarëve; kur këtë investim e ka detyrim privati, përcaktuar në Nenin 24, Pika 6 e Kontratës Koncesionare datë 20 prill 2021, lidhur mes qeverisë dhe grupit koncesionar turko-kosovar “Matebex Group&YDA Insaat Sanayi Ve Ticaret Anonim Sirketi&2A Group”.
Në kontratë, thuhet: Shoqëria koncesionare, ka për detyrë që me shpenzimet e veta, si dhe në pajtim me ligjin, të kujdeset që objekti të furnizohet vazhdimisht dhe në sasi të mjaftueshme me ujë të pijshëm e energji elektrike; dhe për të shmangur dyshimet e abuzimit, Autoriteti Kontraktor duhet t’i sigurojë mundësinë e ndërtimit të linjës së ujit energjisë elektrike.
Ky financim i një investimi që e ka detyrim ta bëjë privati, por po e financon qeveria; është i paligjshëm, ose më saktë vjedhje me maskë letrat shtetërore, që dihet se këtë qokë 720 milionëshe nuk ka këllqe ta bëjë drejtori i OSHEE, por vetëm urdhri i Bablokut.
E njëjta gjë në favor të koncesionarit të Aeroportit të Vlorës, do bëhet edhe me linjën e furnizimit me ujë, të cilën do ta financojë qeveria nga taksat e shqiptarëve./Pamfleti
Lini një Përgjigje