Anti-Mafia 9 Tetor 2023, 10:26

“Trimat” e SPAK: Arben Ahmetajt, këmba-këmbës me pranga në dorë; rrinë si “mumje” para Ilir Beqjes

Shkruar nga Pamfleti
“Trimat” e SPAK: Arben Ahmetajt, këmba-këmbës me
Altin Dumani, si "mumje" para Ilir Beqjes

Të dështuar në mungesë të provave zyrtare për landfillet, SPAK, i është vërsulur Arben Ahmetajt me një akuzë tjetër për privatizimin e Fabrikës së Bukës-Tiranë; po nuk fillon procedim për Ilir Beqjen që ka provat e 370 milionë Euro PPP dhe korrupsionit me tenderët e 185 milionë Euro fonde investimesh në QSUT, Spitalin e Trumës, Spitalin “Shefqet Ndroqi” e 11 spitalet rajonale...

Ish-zv/kryeministri Arben Ahmetaj, ka reaguar pas lajmit se SPAK e akuzën “Për shpërdorim detyre”, lidhur me procedurat dhe vlerën e privatizimit të Fabrikës së Bukës-Tiranë.

Ahmetaj e ka quajtur këtë akuzë të SPAK, si skenar të sajuar, urdhëruar dhe nxitur nga “koka e madhe e zezë” që organizoi skenarin e prangosjes së tij, duke përdorur bosët e inceneratorëve, mediat e paguara të qeverisë dhe segmentet e manipuluara brenda SPAK-ut.

Nuk mund të shprehim dyshime për pavarësinë e SPAK-ut, lidhur me akuzat ndaj Arben Ahmetajt, por mungesa e provave ndaj tij është publike, mbasi vetë SPAK deklaroi në dosjen hetimore për inceneratorin e Tiranës, se ish-ministri Arben Ahmetaj ka qenë kundër deri në fund.

Në dosjen hetimore, është cituar se Ahmetaj e ka refuzuar 4 herë inceneratorin e Tiranës e përfundimisht, me shkresa zyrtare dërguar krye bashkiakut të Tiranës, Erjon Veliaj; ish-Ministrit Lefter Koka dhe kryeministrit Edi Rama, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm, Engjëll Agaçi.

Mirëpo, përveç Lefter Kokës që është në burg për landfillet Elbasan e Fier; nga katërshja Rama, Ahmetaj Agaçi, Veliaj, vetëm Arben Ahmetaj që refuzoi, u hetua brenda 3 muajsh dhe heqje imuniteti e leje arrestimi brenda 3 ditësh, ndërsa 3 të tjerët nuk janë marrë në hetim.

Edhe për akuzën në lidhje me privatizimin e Fabrikës së Bukës në Tiranë, Arben Ahmetaj deklaroi se skenaristi “koka e zezë e madhe” dhe SPAK-u i përdorur, do dalin huq si me inceneratorin, mbasi sipas tij, ka dokumente që provojnë se ai ka zbatuar ligjin.

Gjithsesi kompetencat, të dhënat dhe përgjegjësia janë të SPAK. Altin Dumani me varësit, bënë mirë që gjurmon abuzimet e zyrtarëve, por në qëndrimin e tij ka klientelizëm, mbasi po vepron me dy standarde, duke i ndarë në “qeveritarë të prekshëm” dhe “qeveritarë të paprekshëm”.

P.sh., brenda 6 muajve, ndaj Arben Ahmetaj janë kryer dy hetime: Për inceneratorin e Tiranës me urdhër arresti e sekuestro pasurie, dhe procedim penal për privatizimin e Fabrikës së Bukës.

Por SPAK, nuk ka marrë të pandehur ish-ministrin Ilir Beqja, megjithëse prej 4 vitesh ka nisur hetimi i aferave 370 milionë Euro me koncesionin e pajisjeve kirurgjikale, të Check-up e laboratorëve mjekësor, të cilët i ka sajuar, urdhëruar  dhe firmosur ai me letra false; paçka se për pajisjet kirurgjikale, u arrestua gjithë grupi i tenderimit të ministrisë e biznesmeni Ilir Rrapaj.

Por as për korrupsionin e zbuluar nga KLSH, bërë nga Ilir Beqja me tenderët 185 milionë Euro investime në QSUT, Spitalin e Traumës, Spitalin “Shefqet Ndroqi” e 11 spitalet rajonale, ku rezulton se 60% e fondeve u vodhën me situacione e punime fikive dhe gjoja pajisje moderne.

Para disa ditësh, kreu i SPAK, Altin Dumani, deklaroi se nuk kanë frikë nga askush dhe nuk do tolerojnë këdo qoftë, por qëndrimi brenda qeverisë tregon se ka frikë ose është i molepsur.

P.sh., Arben Ahmetajt pa prova për inceneratorin, SPAK i është qepur këmba-këmbës me pranga në dorë nëpër botë, ndërsa para Ilir Beqjes që ka prova të shumta falsifikimesh e vjedhjesh, po qëndron si “mumje” megjithëse është drejtor në kryeministri e me shumë biznese.

Po kështu, Altin Dumani tha se së shpejti do ketë surpriza të bujshme; por siç duket, surpriza paska qenë përsëri me Arben Ahmetajn, kur shqiptarët presin surpriza për Ramën, Beqjen, Agaçin, Kumbaron, Klosin, Çuçin, Manastirliun e Veliajn./Pamfleti

altin dumani ilir beqja mumje ahmetaj me pranga në dorë