Babloku me PS-në, do kontrollojë SPAK-un; si Enveri dikur: Partia kontrollon e udhëheq hetuesinë!
Deri tani, kryeministri e kryetari i PS, Edi Rama, ka në vartësi zinxhirin e zbulimit dhe goditjes së krimit: Policinë anti-mafien, anti-trafikun, anti-kontrabandën, Interpol-Tiranën e SHISH.
Por në një takim të fshehtë, të bërë para 1 jave me krerët e PS, Edi Rama u ka dhënë urdhër, të krijojnë një strukturë në parlament, për të kontrolluar punën e institucioneve të drejtësisë.
Këtë skemë e dekonspiroi deputeti Eduard Shalsi, i cili më pas, u mundua ta justifikojë, si gjoja “krijim grupesh pune”, për të kontrolluar veprimtarinë e qeverisë dhe institucioneve të pavarura.
Por, institucione të pavarura në Shqipëri, zyrtarisht janë vetëm institucionet e drejtësisë, që kanë organet e tyre zgjedhëse, emëruese, drejtuese e kontrolluese si ILD, KLGJ, KLP, ndërsa agjencitë dhe autoritetet e tjera, i propozon dhe emëron kryeministri ose parlamenti.
Punët e kryeministrit, të kabinetit qeveritar e të çdo strukture tjetër të pushtetit, dihet që deputetët e PS nuk guxojnë as t’i përmendin, e jo t’i kontrollojnë se çfarë bëjnë me fondet, pasuritë, luftën kundër korrupsionit dhe interesat e vendit.
Prandaj themi, se struktura speciale që do krijohet, nuk ka synim kontrollin e punëve të qeverisë, por kontrollin e punëve të drejtësisë si mjet shantazhi; sidomos ndaj SPAK e Gjykatës së Posaçme, që kanë filluar t’i binden vetëm provave, ligjit e platformës së përbashkët me Drejtësinë Amerikane që bëri reformën.
Fakti, që pas arrestimeve deri në nivel ministrash, SPAK është futur në zonën e krerëve të lartë të politikës e shtetit që kanë mëkate ligjore e nuk janë prekur prej 30 vitesh; ka futur në panik Edi Ramën, familjen dhe klanin e tij mafioz, që janë zhytur në krime ekonomike-financiare ekstreme.
Pas hapjes së hetimit për dosjen “McGonigal” dhe thirrjes së SHBA-BE drejtuar SPAK-ut, që të mos ngelet vetëm te Sali Berisha; duket se të vetmin mjet për të frenuar goditjen e pritshme ndaj tij, Edi Rama ka trembjen dhe ndalimin e SPAK, për mos të goditur te ai dhe familjarët e tij, siç veproi me Berishën, djalin e dhëndrin.
Këtë presion, Edi Rama ka menduar ta bëjë, duke sajuar strukturën e posaçme parlamentare të drejtuar nga PS, për të mbajtur në kontroll të përhershëm SPAK-un dhe organet e drejtësisë.
P.sh., më e 21 janar, Edi Rama, shantazhoi dhe denigroi prokurorët e Tiranës, ndërsa në parlament, kërcënoi prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoj, pse ai arrestoi bandën e Kadastrës.
Madje dërgoi në sallën e gjyqit, zv/kryeministrin Erjon Braçe, i cili i tha prokurorit Arjan Ndoj në mes të sallës, të tërhiqte akuzën dhe anulonte masën e arrestit të zyrtarëve të kadastrës, ose do ta pësonte keq; ndërsa pas disa ditësh, banda “Rraja” e gjurmoi me makinë dhe e plagosi.
Dhe në takimet me degët e PS në zona, kryetari Edi Rama, deklaroi se SPAK-un e ka krijuar ai e PS-ja; dhe mazhoranca duhet ta kontrollojë aktivitetin e saj, madje këtë gjë tha edhe në kongresin e PS më 8 dhjetor, ku SPAK-un e quajti krijesë të PS.
Pra, Edi Rama, thotë se SPAK-un e krijoji partia dhe duhet ta kontrollojë e udhëzojë partia; tamam si Enver Hoxha, që thoshte: - Partia kontrollon dhe udhëheq veprimtarinë e hetuesisë.
Me atë mendësi të partisë mbi shtetin e drejtësinë, Edi Rama, kryetar pasardhës i Partisë Komuniste, ka vendosur të krijojë një strukturë speciale politike me deputetë e patronazhistë të PS, si “levë” për të kontrolluar, diktuar e shantazhuar SPAK-un dhe Gjykatën e Posaçme, për të mos goditur atë, familjen dhe klanin e tij mafioz./Pamfleti
Lini një Përgjigje