
Skema që godet shtetin në zemër, pulla fiskale pa standard sigurie, monopol mbi gjurmueshmërinë dhe një sistem që në vend të ndalojë kontrabandën, e lehtëson atë...
Qeveria deklaron se ka forcuar kontrollin ndaj kontrabandës pas hapjes së kapitujve me BE-në. Por faktet tregojnë të kundërtën. Në Shqipëri qarkullojnë pulla fiskale false ose me mangësi sigurie, ndërsa kontrollin mbi prodhimin, shpërndarjen dhe gjurmueshmërinë e tyre e mban një skemë monopoliste e lidhur me qeverinë dhe partnerët arabë të saj.
Qeveria shqiptare i ka garantuar Komisionit Europian se, pas hapjes së kapitujve të negociatave, ka forcuar kontrollin ndaj kontrabandës në kufijtë tokësorë, detarë dhe ajrorë. Por realiteti tregon të kundërtën. Në vend që të mbyllet kontrabanda, në Shqipëri funksionon një linjë e padukshme evazioni fiskal dhe qarkullimi të mallrave të akcizës me pulla fiskale të dyshimta.
Agjenci të inteligjencës ekonomike dhe financiare nga vendet e Bashkimit Europian kanë informuar strukturat partnere shqiptare se kanë konstatuar në disa raste pulla fiskale false ose pulla pa elementët e kërkuar të sigurisë në produkte akcize të lidhura me tregun shqiptar.
Këto raste dolën gjatë proceseve të gjurmueshmërisë ndërkombëtare për mallra që prodhohen, importohen ose eksportohen nga Shqipëria.
Këtu nis thelbi i skandalit. Në vendet e Bashkimit Europian, sistemi i monitorimit të gjurmëve ndalon kontrabandën dhe godet evazionin. Në Shqipëri, i njëjti sistem është kthyer në mbulesë për një skemë që e toleron dhe e ushqen atë.
Në qendër të kësaj skeme qëndron shoqëria “Alb Trace Co”, ku përfshihet shteti shqiptar dhe kompania “O&S Security and Solutions” nga Emiratet e Bashkuara Arabe.
Qeveria e krijoi këtë strukturë në mars 2025 dhe i dha partnerit privat kontroll mbi të gjithë zinxhirin e pullave fiskale, dizajnin, elementët e sigurisë, prodhimin, shpërndarjen, transportin dhe sistemin e gjurmueshmërisë.
Edi Rama ia zhveshi Ministrisë së Financave këtë kompetencë, edhe pse shteti zotëron Shtypshkronjën e Letrave me Vlerë dhe përmes saj mban shumicën e aksioneve në këtë koncesion.
Por shumica formale e aksioneve nuk përkthehet në kontroll real. Kontrollin praktik mbi prodhimin, shpërndarjen dhe sistemin informatik të pullave fiskale e ushtrojnë ortakët arabë të “O&S Security and Solutions”. Ata administrojnë bazën e të dhënave, ata komandojnë rrjedhën teknike dhe mbajnë në dorë nyjen më të ndjeshme të sistemit fiskal.
Gjatë kontrolleve mbi ngarkesat me mallra akcize, agjenci tatimore dhe doganore të vendeve të BE-së kanë konstatuar gjurmë të pullave fiskale false në mallrat që hyjnë në Shqipëri dhe në ato që dalin nga Shqipëria drejt tregjeve të tyre. Kjo do të thotë se problemi nuk kufizohet brenda vendit. Problemi ka kaluar kufirin dhe ka hyrë në radarët e partnerëve europianë.
Kontrollet kanë konstatuar mungesë të elementëve të sigurisë që kërkon standardi ndërkombëtar i gjurmueshmërisë së mallrave. Në pullat fiskale që prodhon dhe shpërndan kjo skemë janë gjetur mangësi në sfondet e sigurisë sipas modelit “Guilloche”. Janë konstatuar edhe mospërputhje mes identifikuesit unik dhe kodeve 2D, të dukshme dhe të padukshme, që duhet të garantojnë ndjekjen e produktit dhe autenticitetin e tij.
Ky nuk është më problem teknik. Ky është problem fiskal, doganor dhe penal. Kur pulla fiskale nuk garanton origjinën, sigurinë dhe gjurmueshmërinë, shteti humbet kontrollin mbi mallin, mbi akcizën dhe mbi taksën. Aty nis kontrabanda, aty nis evazioni, aty nis skema.
Edhe strukturat tatimore dhe doganore në Shqipëri kanë konstatuar gjurmë të pullave fiskale false në mallrat e akcizës. Por ato nuk kanë vepruar me forcën që kërkon ligji. Nuk kanë bllokuar, nuk kanë goditur, nuk kanë çuar përpara kallëzime penale në raport me peshën e problemit. Kjo nuk lidhet me paaftësi teknike. Kjo lidhet me mungesë vullneti dhe me mbrojtje politike.
Për këtë arsye, unë e shoh këtë skemë si pjesë të një modeli më të gjerë. Edi Rama nuk u mjaftua me koncesionin e pullave fiskale. Më 10 korrik 2025 ai u dha të njëjtëve aktorë ekskluzivitetin për shenjimin dhe gjurmueshmërinë e cannabisit. Më 18 mars 2026 ai u dha edhe ekskluzivitetin për shenjimin dhe gjurmimin e karburanteve. Pra, i njëjti qendërzim kontrolli po shtrihet mbi sektorët më të ndjeshëm dhe më të ekspozuar ndaj riskut fiskal dhe kriminal.
Qeveria i tha Brukselit se ka forcuar kontrollin. Por faktet tregojnë se ajo ka përqendruar kontrollin në pak duar dhe ka krijuar terren për abuzim. Kur një sistem që duhet të luftojë kontrabandën prodhon pulla të dyshimta, kur partnerët europianë ngrenë flamur të kuq dhe kur shteti nuk reagon, atëherë nuk kemi shtet të fortë. Kemi shtet të kapur në pikën më të ndjeshme të kontrollit fiskal.
Kjo është arsyeja pse kjo çështje nuk mbyllet te një koncesion. Kjo çështje prek besueshmërinë e shtetit shqiptar përballë Bashkimit Europian, prek luftën kundër kontrabandës dhe vetë sigurinë fiskale të vendit./Pamfleti
Aleanca Izrael- Emiratet e Bashkuara Arabe- Edi Rama është një aleancë grabitqare.Edi Rama le të heq brekët e veta dhe le ti ngul në hu, por ti heqi shtetit shqiptar brekët sikurse po bën, nuk do ta lejojmë kurrë.