Anti-Mafia 4 Korrik 2023, 11:13

Pritet “furtuna” ndaj hajdutëve në kupolën e tatimeve; gati prangat për Ceno Klosin

Shkruar nga Pamfleti
Pritet “furtuna” ndaj hajdutëve në kupolën e
Ceno Klosi

Belinda Balluku po përpiqet të shpëtojë nga shkarkimi e prangat, “mikun” e saj Drejtor të Përgjithshëm, Ceno Klosi, megjithëse mes shumë vjedhjeve me kontrata qiraje zyrash e tenderë, KLSH i zbuloi 450 milionë Euro të zhdukura gjatë vitit 2022 me evazion fiskal e mashtrim TVSH-je, nëpërmjet letrave false me bizneset pranë pushtetit...

Zullumi i trashur i korrupsionit të hapur, masiv e në nivele ekstreme, ka detyruar kryeministrin Edi Rama, të urdhërojë goditje dhe në sektorin e tatimeve, që konsiderohet “bunkeri i tij” ku bëhen falsifikimet dhe vjedhjet e të ardhurave të buxhetit, por që ky brez hajdutësh nuk i duhet më.

Ministrja e Financave, Delina Ibrahimaj ka marrë urdhër  për të filluar “furtunën” në kupolën qendrore të tatimeve dhe sidomos në degët Tiranë, Durrës, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Kukës e  Shkodër, ku qarkullojnë miliona Euro mallra në muaj, me një evazion të tmerrshëm fiskal.

Kjo goditje duhej të kishte nisur në mesin e muajit qershor me shkarkime e kallëzime penale në SPAK, por Babloku e shtyu urdhrin e dhënë, ngaqë filloi sulmin mbi zyrtarët e Kadastrës, të cilëve u kërkoi dorëheqje, ndërkohë që shumë prej tyre janë piketuar të çohen në pranga.

Ndërsa goditja në kupolën e tatimeve, është shtyrë pas sezonit të plazhit, kur Babloku edhe për show para shqiptarëve e SHBA-BE si gjoja luftë kundër korrupsionit, do bëjë një takim me drejtuesit e tatimeve, të cilët do t’i denigrojë dhe do përsërisë refrenin e ndjesës publike.

Në fakt, vetë Babloku i ka lënë tatimorët, të falsifikojnë bilancet e oligarkëve dhe biznesmenëve të lidhur me krerët e pushtetit si familjarë, sponsorë, ortakë e pagues ryshfetesh, ndërsa bizneset pa lidhje me pushtetin, i kanë shkatërruar me gjoba, sekuestro, ryshfete e bllokime.

Në 6 vitet e fundit, krimi ekonomiko- financiar ka zbuluar 52 raste të vjedhjes me fatura TVSH-je false në vlerën totale 217 milionë Euro; dhe 154 raste të përfitimit në vlerë 116 milionë Euro, duke qarkulluar mallra importi dhe në tregun e brendshëm pa fatura tatimore, siç janë rastet e Irfan Hysenbelliut, Paqësor Buzit të Lushnjës etj., etj.

Edhe sipas 4 raporteve të viteve të fundit të FMN e Bankës Botërore, rezulton se informaliteti dhe evazioni fiskal ka arritur nga 28% gjatë vitit 2017 kur e mbikëqyri “Taskë Forca” e BE, në  49% gjatë vitit 2022, shifër që tregon se informaliteti e evazioni nuk janë çështje teknike, por skemë mashtrimi, korrupsioni e vjedhjesh.

Sipas informacionit, në listën e atyre që do godasë “furtuna” e Bablokut, i pari është Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ceno Klosi, i cili gjatë 2 viteve në këtë detyrë, ka afera korrupsioni në vlerë totale 12 milionë Euro tenderë, investime, kontrata qiraje zyrash, blerje makinash, shpërblime, shpenzime luksi për udhëtime e bankete brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Shumë e shqetësuar është Belinda Balluku, e cila po përpiqet të shpëtojë nga shkarkimi e prangat, “mikun” e saj Drejtor të Përgjithshëm Ceno Klosi, megjithëse mes shumë vjedhjeve, KLSH i zbuloi e çoi në SPAK, dosjen 450 milionë Euro të zhdukura gjatë 9 muajve të parë të vitit 2022, me evazion fiskal e mashtrim TVSH-je, nëpërmjet letrave false me bizneset.

Të shohim, se deri në cilin nivel e në çfarë numri drejtuesish janë planifikuar shkarkimet dhe dërgimet në SPAK, por dihet që pas plazhit, do bëhen shumë “kurbanë”.

Jo se Bablokut i po “digjet barku” për të bërë drejtësi e për të shpëtuar buxhetin dhe bizneset e ndershme nga hajdutët e tatimeve, por do t’i zëvendësojë me hajdutë të tjerë siç bëri para 2 vitesh në Doganë, AZHBR, Shëndetësi, Kadastër e Ujësjellës, ndërsa para SHBA-BE krijon imazhin e luftës kundër korrupsionit./Pamfleti

ceno klosi tatime fortuna