Yjet e 32 viteve, që e kanë plaçkitur, shitur e zhytur vendin në errësirë/ Një vit e gjysmë pas shpalljes “non- grata” të Sali Berishës dhe 6 vite pas denigrimit të Ilir Metës me epitetin “Like floriri”, kryeministri Edi Rama ndryshoi ligjin, duke i nderuar ata me dekoratën me të lartë të kombit dhe i bëri pjesë të ceremonive shtetërore...
Me urdhër të Edi Ramës dhënë deputetëve të shumicës parlamentare, më 22 dhjetor 2022 u miratua ligji i ri i për dekoratat, shumicën e të cilave, Babloku ia hoqi si kompetencë Bajramit e i kaloi vetes.

Sipas ligjit, presidenti ka të drejtë të japë vetëm 11 lloje dekoratash të nivelit të ulët, por në numër total, jo më tepër se 23 të tilla në vit, ndërsa ato nivelit të lartë i jep vetëm Edi Rama.
Mirëpo në ligjin e ri të dekoratave, Babloku është kujdesur të vlerësojë me titull të lartë nderi Sali Berishën e Ilir Metën, njeri “non- grata” e tjetri gati për “non- grata”, të dy me disa dosje familjare krimesh e korrupsioni në SPAK.
Publikisht, Edi Rama i quan Sali Berishën e Ilir Metën “llumi i historisë së Shqipërisë” dhe i denigron moralisht, por në nenin 8, pika 4 të Ligjit 94/2023 që ai ndryshoi për dekoratat, thuhet se kush ka qenë Kryeministër, President e Kryetar Kuvendi, quhet “Ylli i Madh i Shqipërisë”.
Sipas ligjit, Sali Berisha e Ilir Metaj, si ish-presidentë, kryeministër e kryetar kuvendi, qysh prej datës 13 janar 2023, kanë përfituar dekoratën “Ylli i Madh i Shqipërisë”, që është e baraz vlefshme me dekoratën e lartë shtetërore e kombëtare “Urdhri i Skënderbeut”.
Por nderimi i Sali Berishës e Ilir Metës nuk mbaron vetëm me kaq, mbasi në pikën 5 të nenit 8 ligjit, thuhet: - Mbajtësit e dekoratës “Ylli i Madh”, janë pjesë e përparësisë në aktivitetet ceremoniale shtetërore të Republikës së Shqipërisë.
Ndërsa në pikën 6 të ligjit, përcaktohet si detyrim i Protokollit Shtetëror, që mbajtësit e dekoratës “Ylli i Madh” Sali Berisha e Ilir Metaj, pas vdekjes t’u bëhen homazhe e shoqërohen për në varreza, me ceremoni zyrtare e nderime ushtarake.
Pra, 1 vit e gjysmë pas shpalljes “non- grata” të Sali Berishës dhe 6 vite pas denigrimit të Ilir Metës me epitetin “Like floriri”, kryeministri Edi Rama ndryshoi ligjin për dekoratat, duke i nderuar me dekoratën më të lartë të shtetit e kombit dhe i bëri pjesë të ceremonive shtetërore.

Gjatë mbajtjes së detyrës e pas lënies së saj, “Yll i Madh i Shqipërisë” quhen Bajram Begaj e Lindita Nikolla; por dhe Gramoz Ruçi, Servet Pëllumbi, Rexhep Mejdani, Skënder Gjinushi, Alfred e Moisiu, Mabule Çeço, Jozefina Topalli e Bamir Topi, të cilët do përcillen me shtrat topi.
Nuk themi që të mos shpallen “Yje” udhëheqës të politikës e shtetit, por duket qesharake për ta e tallje me shqiptarët, mbasi gjatë 32 viteve, në vend që ta ndriçonin Shqipërinë, e kanë plaçkitur, shitur, zhytur e lënë në errësirë./Pamfleti
Lini një Përgjigje