Gjatë një kontrolli në vilën e Ergys Agasit, agjentët e BKH zbuluan një sasi verërash të shtrenjta pa pullë fiskale, me vlerë të përllogaritur mbi 1 milion euro. Shishet u bllokuan dhe u lanë nën ruajtje, por të nesërmen rezultuan të zhdukura pasi rojet policore dhe hetuesit doganorë ishin larguar nga objekti. Dy muaj pas ngjarjes, SPAK ka nisur hetim të veçantë për të identifikuar zyrtarët që urdhëruan tërheqjen e forcave nga vila, duke përfshirë drejtues të Policisë së Shtetit, Doganave dhe Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, nuk mundën ta arrestonin Ergys Agasin, ngaqë ai ishte larguar jashtë Shqipërisë, para se të prangosej; dyshuar se u njoftua nga zyrtarë të policisë, BKH-s, SPAK-ut apo Gjykatës së Posaçme, që kishin dijeni për urdhër-arrestin.
Gjatë kërkimit për Ergys Agasin në vilën e tij, agjentët e BKH, zbuluan një qilar me shishe verërash të shtrenjta prodhime shumë-vjeçare e pa pullë fiskale, që sipas akt-vleresimit e kalonin vlerën totale 1 milionë Euro.
Në zbatim të ligjit për anti-kontrabandën, Byroja Kombëtare e Hetimit dhe SPAK, bllokuan shishet e verërave, dhe në bashkëpunim me Hetimin Doganor e Policinë, i vunë në ruajtje 24 orëshe, deri në sekuestrim dhe transferim të tyre në mjediset doganore.
Por të nesërmen kur shkuan t’i sekuestronin, shishet e vërerave ishin hequr nga Eno Agasi, ngaqë drejtuesit e policisë dhe të doganave i lanë terren të lirë, duke urdhëruar largimin e rojeve policore dhe hetuesit doganorë nga vila.
Dy muaj pas këtij skandali, SPAK dhe BKH kanë filluar hetimin si çështje të veçantë penale, për të zbuluar ata drejtues policie, që urdhëruan largimin e trupës roje nga qilari i verërave të Ergys Agasit.
Sipas informacionit të ardhur në “Pamfleti”, nga burime brenda Byrosë Kombëtare të Hetimit, procesi hetimor ka nisur për verifikimin e veprimeve dhe mos veprimeve të Drejtorit të Përgjthshëm të Policisë së Shtetit dhe zinxhirit të strurkturës zbatuese, nga drejtuesit e komisaratit që mbulon territorin ku ndidhet vila e Ergys Agasit e deri tek policët e rojet pranë saj.
Po kështu, hetim me të njëjtin objekt, ka filluar dhe për zinxhirin drejtues e zbatues të doganave, për të zbuluar ata që kanë urdhëruar largimin e hetuesve doganorë, nga shërbimi i rojes në vilën e Ergys Agasit, duke i lënë terren të lirë Eno Agasit, për të larguar verërat e sekuestruara.
Thuhet, se nën hetim janë marrë dhe zyrtarë të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, të cilët, nuk kanë zbatuar detyrimin ligjor dhe as bashkëpunimin me SPAK-un, për të hetuar ata zyrarë të policisë, që urdhëruan largimin e forcave policore nga vila e Agasit.
Në funksion të hetimit, SPAK ka marrë të gjithë dokumentat e procedurës së kontrollit të vilës, sasisë së verërave, filmimet, akt-vlerësimin numerik e financiar të tyre, personat përgjegjës për procedurën, urdhërat dhe emrat e policëve e hetuesve doganorë, të ngarkuar me shërbim për garantimin e paprekshmërisë së objektit të bllokuar dhe provës së krimit.
Nuk do jetë çudi, që gjurmët e hetimit, për të zbuluar se cilët urdhëruan largimin e policisë dhe hetuesve doganorë, për të lejuar heqjen e verërave nga qilari; ta çojnë SPAK-un te kryeministri Edi Rama, shefi i “kordinatorit” Ergys Agasi./Pamfleti
Lini një Përgjigje