TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia14 Prill 2025, 11:00

SPAK po heton 16 drejtues policie; kanë dalë nga Shqipëria e kanë hyrë jashtë sistemit TIMS

Shkruar nga Pamfleti

SPAK po heton 16 drejtues policie; kanë dalë nga Shqipëria e

Në hetimin paraprak, SPAK ka zbuluar se ata kanë shkuar ilegalisht në Dubai, Itali, Qipro, Turqi, Spanjë, Brazil e Meksikë, ku fshihen shumë shqiptarë eksponentë të krimit; ndërsa vetë ata drejtues policie, janë personazhe në dosjet SKY-ECC dhe në raportet e SHISH, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar e Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave...

Prej 2 javësh, ka nisur një duel i heshtur mes drejtuesve të SPAK dhe Policisë e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, lidhur me hetimin e një skandali të rëndë të kryer nga shërbimet.

Sipas informacionit, në adresë të SPAK është dërguar një denoncim nga zyrtarë të policisë kufitare, lidhur me daljen nga Shqipëria, të 16 ish-drejtuesve dhe drejtuesve aktualë të Policisë së Shtetit, pa u regjistruar në sistemim “TIMS”.

Edhe hyrja e tyre në Shqipëri, është bërë pa u regjistruar, në shkelje të ligjit, që sipas denoncimit në SPAK, inspektorët e kontrollit policor kufitar në Rinas, i kanë lejuar me urdhër të shefave të tyre.

Dalja dhe hyrja nga Shqipëria, është bërë në data të ndryshme gjatë muajve shkurt- mars 2025, me nga 5-6 ditë qëndrimi jashtë vendit, emrat dhe destinacionet e të cilëve i disponon SPAK-u.

Nëpërmjet verifikimit elektronik konfidencial me “Çelësin e Unifikuar”, SPAK ka konstatuar se emrat e tyre nuk figurojnë në “TIMS”, dhe i ka kërkuar sqarim policisë për këtë devijim.

Policia ka mohuar, që nga Rinasi të kenë dalë e të kenë hyrë drejtues e ish-drejtues policie dhe asnjë qytetar i pa regjistruar në sistemin TIMS, por SPAK ka shprehur mosbesim, ngaqë e njëjta gjë, ka ndodhur me sistemin TIMS, ku drejtuesit fshinin gjurmët e kalimit të kriminelëve.

SPAK i ka dhënë Policisë të dhënat e identiteteve e funksioneve të tyre në polici, konstatuar nga kamerat e sigurisë në pikën kalimit kufitar të Rinasit, ku SPAK dhe prokurorët e rretheve kanë akses të plotë, në kuadër të bashkëpunimit sipas ligjit Anti-Mafie dhe protokoll- marrëveshjes me SHISH, FBI e EUROPOL.

SPAK ka nisur një hetim për këtë skandal, por ende nuk ka regjistruar çështje penale, duke qëndruar në pritje të përgjigjes korrekte nga Policia e Shtetit, duke kërkuar dhe bashkëpunimin me Agjencitë e Mbikëqyrjes Policore, drejtuesit e së cilës nuk kanë reaguar

Sipas korrespondencës në rrjetin konfidencial me policinë, rezulton se në hetimin paraprak, janë të dhënat që SPAK ka siguruar nga policitë kufitare të shteteve ku kanë shkuar direkt e tranzit ata 16 drejtues e ish-drejtues policie, konkretisht në Dubai, Itali, Qipro, Turqi, Spanjë, Brazil e Meksikë, ku fshihen shumë shqiptarë eksponentë të krimit.

Se përse kanë shkuar në këto shtete, ende nuk dihet dhe po hetohet me agjencitë brenda e jashtë Shqipërisë, por SPAK ka konstatuar, se këto drejtues e ish-drejtues policie, janë personazhe kryesorë në dosjet SKY-ECC dhe në raportet e SHISH, Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar e Drejtorisë së Parandalim-Pastrimit të Parave./Pamfleti

spak

Lini një Përgjigje