
Rritet numri i ankesave për abuzime me tenderët...
Tenderët vijojnë të jenë gangrena e administratës publike. Si në raportet e SHBA ashtu dhe të Bashkimit Europian theksohet se prokurimi publik është një rrezik i madh korrupsioni. Të gjithë e dimë se si qepen letrat e tenderëve, por këtë e tregojnë edhe shifrat.
Gjatë vitit që lamë pas janë kontestuar mbi 1 mijë procedura tenderimi. Të dhënat janë bërë publike nga Komisioni i Prokurimit Publik, në raportin vjetor të punës për vitin 2024.
Sipas raportit gjatë periudhës 1 janar 2024 - 31 dhjetor 2024, janë regjistruar pranë Komisionit të Prokurimit Publik, 1151 ankesa në total, prej të cilave 1144 (99.4 %) ankesa janë paraqitur për procedurat e prokurimit publik, 5 (0.4 %) ankesa për procedurat e ankandit publik, 1 (0.1 %) ankesë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë dhe 1 (0.1 %) ankesa për leje minerare. Numri total i ankesave për procedura unike të ankimuara gjatë vitit 2024 është 825 (pa përfshirë 13 ankesa të cilat janë për blerje të vogla).
Nga 1151 (një mijë e njëqind e pesëdhjetë e një) ankesa të paraqitura në total, 437 prej tyre ose rreth 38 %, janë ankesa të paraqitura për dokumentet e tenderit dhe 714 ankesa ose rreth 62 % e tyre, janë ankesa të paraqitura për fazën e vlerësimit të ofertave.
“Në vitin 2024, Komisioni i Prokurimit Publik ka shqyrtuar 1135 ankesa, nga të cilat për 327 ankesa i ka kërkuar autoritetit kontraktor të bëjë modifikimet e specifikuara në vendim. Gjatë vitit 2024, pas tejkalimit të afatit ligjor, KPP iu ka dërguar 99 kërkesa drejtuar autoriteteve kontraktore për zbatim - vendimi, në krahasim me 78 kërkesat në vitin 2023. Shpejtësia mesatare e zbatimit të vendimit nga autoriteti kontraktor është 6.1 ditë nga data e dërgimit të kërkesës për zbatim vendimi. Komisioni i Prokurimit Publik ka analizuar dhe vlerësuar ankesat e pranuara gjatë vitit 2024 në përputhje me llojin e tipit të kontratës. Nga të dhënat e prezantuara, shihet se numri më i lartë i ankesave ka të bëjë me kategorinë e mallrave, ku u regjistruan 728 ose 63.2 % ankesa, vijon me kategorinë shërbime me një numër prej 310 ose 27 % ankesash, punë publike 112 ose 9.7% ankesa dhe leje minerare 1 ose 0.1 % ankesa”, thekson raporti.
Gjatë vitit 2024, muaji qershor ka numrin më të lartë të ankesave, me 124 ankesa secili, dhe ai me numrin më të ulët të ankesave është muaji janar, me 53 ankesa.
Më tej thuhet se nga 7168 procedura unike të publikuara në Sistemin e Prokurime Elektronike (SPE) gjatë vitit 2024, për prokurime publike me vlerë totale prej 329,947,555,156.52 Lekë, janë paraqitur 1151 ankesa për 825 procedura unike të ankimuara me vlerë totale prej 32,786,519,587 Lekë pa TVSH, për 231 Autoritete Kontraktorë, nga 341 Operatorë Ekonomikë.
Nga 231 autoritete/ente kontraktorë, 128 janë autoritete kontraktorë të qeverisjes vendore dhe 31 janë autoritete kontraktorë të qeverisjes qendrore, 2 prej tyre janë ente publike, 39 prej tyre janë SH.A. dhe 31 institucione të pavarura. Më poshtë po pasqyrojmë institucionet ku janë gjetur shkelje. /Pamfleti























Lini një Përgjigje