TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia29 Maj 2025, 10:45

Spastrim me urdhër të Bablokut: 180 njerëz të Erion Veliajt largohen nga Ujësjellësi i Tiranës

Shkruar nga Pamfleti

Spastrim me urdhër të Bablokut: 180 njerëz të Erion Veliajt

Pas largimeve zinxhir në Bashkinë e Tiranës, rradha i ka ardhur Ujësjellësit. Me urdhër të Anuela Ristanit dhe bekimin e Edi Ramës, nis shkarkimi i 180 “besnikëve” të Veliajt...

Pas spastrimit të qendrës komanduese të Bashkisë së Tiranës nga njerëzit e afërt të Erion Veliajt, fshesa e urdhëruar nga Babloku ka kaluar në një nga ndërmarrjet më të pasura e më të përfolura për abuzime: Ujësjellësi i Tiranës.

Sipas një burimi të sigurt nga grupi i afërt i drejtorit aktual, Skerdi Drenova, kryetarja e komanduar Anuela Ristani, mëkëmbësja zyrtare e Ramës në këtë betejë për të çmontuar klanin e Veliajt, ka nisur shkarkimet masive në UKT. Plot 180 emra janë në listën e kuqe, të etiketuar si “besnikë” të Erion Veliajt.

Urdhri është dorëzuar më 8 prill, vetëm një javë pasi Ristani e emëroi Skerdi Drenovën drejtor të UKT-së, vendim që u bekua edhe me firmën e Entit Rregullator të Ujit, që varet drejtpërdrejt nga qeveria “Rama”.

Por me urdhër të Bablokut, zbardhja dhe ekzekutimi i listës u shty pas 11 majit, për të mos hapur plagë dhe vota të djegura brenda PS-së. Sepse çdo shkarkim i një ushtari të Veliajt, ka pasoja zinxhir përmes rrjeteve familjare dhe patronazhiste në kutitë e votimit.

Ristani e ka nisur operacionin “Zero Veliaj në Bashki” me përpikmëri kirurgjikale. Në UKT, nuk bëhet fjalë për reduktim në organikë. As për ulje shpenzimesh. As për menaxhim më të mirë të ujit, kanalizimeve etj.. Bëhet fjalë vetëm për një operacion politik të Bablokut: Asnjë njeri i Veliajt nuk do mbetet në punë.

Në fakt, në UKT kanë mbetur edhe rreth 200 punonjës fantazmë, që marrin pagë pa e parë ndërmarrjen me sy. Disa prej tyre janë jashtë shtetit, por të punësuar në Tiranë si “patronazhistë honorifikë”.

Ky spastrim është pjesë e hakmarrjes personale dhe politike të Ramës ndaj Veliajt, të nisur që në momentin që Erioni u arrestua, brenda 24 orësh, pa pritur as orën e tretë të procedurës. Fillimisht u godit sekretari i përgjithshëm i Bashkisë, më pas urbanistika, tatim-taksat, IMT-ja, parkimet dhe deri te drejtoria e kopshtit zoologjik.

Kjo është një gjueti e pastër politike, e cila do ta pastrojë Bashkinë nga çdo rrënjë, rrjedhë e frymë që ka lidhje me njeriun që dikur Rama e shiste si trashëgimtarin e tij. Tani që Veliaj është në burg, edhe hijet e tij janë të padëshirueshme.

Dhe ndërsa Tirana vuan mungesën e ujit, çmimet e fryra dhe faturat fiktive, sistemi i UKT është kthyer në instrument hakmarrjeje politike./Pamfleti

anuela ristani spastrim në ukt ujësjellësi i tiranë

Lini një Përgjigje