KLSH gjen shkelje të shumta në Spitalin Memorial të Fierit...
Spitali Memorial i Fierit është kthyer në një çerdhe abuzimi. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar një auditim në këtë spital për periudhën 2021-2023 dhe ka gjetur pa fund shkelje.
Parregullsitë janë të shoqëruara me efekte financiare për buxhetin e shtetit, ku janë kërkuar 3,338,561 lekë dëmshpërblim dhe 28,857,448 lekë shpenzime pa efektivitet dhe pa eficencë. Pra në total janë afro 30 mld lekë të vjetra të shpërdoruara.
Kanë rezultuar parregullsi në fushën e prokurimeve, në regjistrimin dhe inventarizimin e pasurisë, në kontabilizimin e llogarive bankare, në procedurat e ndjekura për zbatimin e buxhetit dhe cilësinë e auditit të brendshëm, etj.
Ajo që bie në sy është, se shumë para kanë shkuar në xhepat e mjekëve turq në kundërshtim me ligjet shqiptare. Sipas KLSH, mjekët turq marrin para për fjetje, lavanderi dhe ushqim. Por pagesat janë kryer në kundërshtim me VKM 660, datë 03.11.2021 ku në nenin 5 është përcaktuar që pala shqiptare merr përsipër vetëm shpenzimet e akomodimit dhe jo të ushqimit dhe të lavanderisë.
Nga shpenzimet totale që Spitali ka paguar për shpenzimet e akomodimit dhe të ushqimit për vitet 2021,2022,2023 për stafin mjekësor turk u konstatuan shpenzimet si më poshtë vijon:

Pra vetëm për akomodimin e turqve janë shpenzuar 624 mln lekë të reja në tre vite. Por abuzime ka dhe me karburantin që ata përdorin.
“Për vitin 2021 nga Sektori i Shërbimeve në asnjë rast nuk është bërë një planifikim i lëvizjeve të përafërta të automjeteve të cilat janë për lëvizjet e stafit mjekësor turk nga aeroporti i Rinasit drejt Hotelit, SRMF dhe anasjelltas si dhe lëvizjet ditore nga Hoteli drejt SRMF në mënyrë që të realizohet një menaxhim dhe planifikim sa më i mirë i konsumit të karburantit me ekonomicitet eficence dhe efektivitet. Mungesa e regjistrave për lëvizjet e automjeteve si dhe parregullsitë e kostatuara në dokumentet autorizuese nga personi përgjegjës dhe drejtuesit e automjetit dhe nuk janë nënshkruar fletë udhëtimet për lëvizjen e tyre e fletë udhëtimeve, vërtetojnë se regjistrimi i të dhënave është jo të besueshëm mungon saktësia e rekordeve të mbajtura. Nga dokumentacioni i mbajtur në ditarin e magazinës për konsumin e karburantit të makinave me qira dhe për autoambulancat, konstatohet se regjistrimet janë kryer në mënyrë jo kronologjike”, thekson KLSH.
Po ashtu konstatohet se për periudhën Maj 2021-Dhjetor 2023, janë punësuar 250 punonjës turq në profesionin “Infermierë”, të cilët nuk janë licencuar nga urdhri i Infermierit në vendin tonë.
“Bazuar në legjislacionin shqiptar çdo shtetas i huaj i cili ushtron profesionin e mjekut dhe infermierit në Republikën e Shqipërisë duhet të licencohet nga Urdhri i Mjekëve dhe Urdhri i Infermierëve. Mjekët dhe infermierët turq nuk janë të licencuar në shtetin e tyre, pasi në shtetin turk nuk njihet procedura e licencimit të stafit mjekësor. Pjesë e Protokollit të hartuar mes palës shqiptare dhe asaj turke është detyrimi i palës shqiptare të bashkëpunojë me urdhrat përkatës për lëshimin e lejeve të ushtrimit të profesionit për të gjithë profesionistët mjekësor turq”, thekson KLSH.
Pagesat e punonjësve turq dhe shqiptar
Pagesat e punonjësve turq dhe atyre shqiptar kryhen referuar VKM nr. 555, datë 11.08.2021, i ndryshuar. Referuar lidhjes 10 të VKM, është përcaktuar shpërblimi i punonjësve të caktuar nga pala turke në SRMF si personel mjek si edhe në pozicionet “Menaxher spitalor në spitalet universitare e rajonale”, ku rezulton se pagat bruto të stafit shqiptar janë në nivelet nga 77,800 –168,000 lekë, kurse pagat bruto të stafit turk (duke përfshirë bonusin i cili është në varësi të pozicioneve 205,000-300,000 lekë) janë në nivelin 282,800-468,000 lekë.
“Konstatohen diferenca në paga krahasuar me stafin shqiptar për të njëjtat pozicione pune. Ky diferencim dhe sjellje preferenciale, mund të sjellë pakënaqësi të shoqëruar me ulje të performancës në punë dhe shërbimin ndaj pacientëve të palës shqiptare. Veprimet e mësipërme janë në kundërshtim me Kodin e Punës”, thekson KLSH.
Problemet
-Regjistrime jo korrekte në ditarin e magazinës duke pasqyruar gjendjen jo reale të inventarëve dhe dhënien jo korrkete të evidencave dhe regjistrave. Në Pasqyrat Financiare të vitit 2021 llogaria 218 “Inventar ekonomik” me vlerёn 55,377,721 lekë nuk paraqitet me shumat reale. Nga dokumentacionin vërtetues konstatohet se nuk janë regjistruar në regjistrin e aktiveve disa aktive
-Nga regjistri i mbetjeve spitalore sasia e administruar që prej përfundimit të marrëveshjes kuadër të 2023 për periudhën 01.04.2024-15.07.2024 është 6594 kg, nga verifikimi në terren i grumbullimit dhe administrimit të tyre, nuk është kryer ndarja sipas llojit dhe kategorisë përkatëse. Spitali Rajonal Memorial Fier në cilësinë e prodhuesit të mbetjeve spitalore, ka grumbulluar dhe ka magazinuar mbetjet infektive spitalore duke tejkaluar afatin ligjor prej 45 ditë.
-Spitali Rajonal Memorial Fier për 3 shërbimet kryesore të mbarëvajtjes spitalore dhe në funksion të pacientëve të hospitalizuar për një periudhë 4 muaj, nuk ka ofruar Shërbimin e lavanderisë, Shërbimin e trajtimit dhe asgjësimit të mbetjeve spitalore dhe Shërbimin e gatimit dhe shpëndrajes së ushqimit, për të cilat nuk janë realizuar procedurat e prokurimit.
-Në hartimin e Pasqyrave të PBA (2024-2026) dhe relacionin sqarues për planifikimin e shpenzimeve dhe të ardhurave, nuk janë paraqitur kërkesat reale buxhetore sipas Drejtorive/departamentet/pavioneve. Në zbatimin e buxhetit janë konstatuar tejkalime shpenzimesh, janë kryer shpenzime për investime me fonde buxhetore dhe nga të ardhurat e krijuara pa miratim nga Bordi Drejtues. Grupi i auditimit konstatoi se me financimin e FSDKSH janë blerë pajisje kompjuterike dhe mjekësore.videncat e shpenzimeve dhe të ardhurave nuk rakordojnë me shpenzimet e konstatuara në ditarin e bankës dhe arkës. Janë lidhur kontrata pa pasur fonde në dispozicion.
-Nё Pasqyrat Financiare janë konstatuar mangësi në regjistrimin e të dhënave kontabile për llogaritë e të ardhurave, të shpenzimeve për paga dhe shpërbime, të sigurimeve shoqërore e shëndetsore, në kontabilitet nuk perputhen me tё dhёnat sipas dokumenteve vērtetues, ku të ardhurat e krijuara nuk janë regjistruar mbi bazën e metodës së detyrimeve dhe të drejtave të konstatuara.
-Në procedurën e prokurimit “Shërbimi i Lavanderisë”, grupi punës për llogaritjen e fondit limit është bazur në kontratat e ngjashme të realizuara nga Autoritete Kontraktore të tjera. Konkretisht AK i është referuar kontratës së shërbimit nr.3983/3 prot., datë 19.08.2015 e QSU “Nënë Tereza” Tiranë dhe jo kontratës aktuale të shërbimit, me një diferencë me vlerën e përllogaritur prej 315,299 lekë mbi fondin limit.
-Spitali Rajonal “Memorial” Fier ka kryer pagesë për personelin turk në vlerën 1,000 lekë/dita për shërbim ushqimi në total 9,310,000 lekë për periudhën 01.05.2022-31.12.2022.
-Nga auditimi i procedurës së prokurimit me objekt: “Blerje materiale mjekimi të përgjithshme për nevoja spitalore", rezultoi se, vlera e fondit limit nga 10,689,340 lekë pa TVSH e llogaritur në procedurën e anuluar është prokuruar pas një periudhë rreth 3 muaj në vlerën 13,705,188 lekë pa TVSH, e cila nuk është argumentuar nga grupi i punës për llogaritjen e vlerës së kontratës. Pra vlera 3,015,848 lekë pa TVSH ka sjellë efekt financiar negativ për buxhetin e SRMF.
-Nga auditimi i kryer për shpenzimet e karburantit për vitet 2021-2023, u konstatuan mangësi në evidentimin e lëvizjeve të tyre, si në dokumentet autorizues edhe në dokumentet justifikues, nuk janë nënshkruar nga personat përgjegjës dhe drejtuesit e mjeteve fletë udhëtimet, urdhrat e punës, etj. Evidentohen sipas normativave të konsumit dhe distancave/km të përshkruar tejkalime të pajustikuara në sasinë e karburantit për 10599 litra si edhe 1700 litra diferencë e konsumit të karburantit për makinat e marra me qira të cilat janë deklaruar si të reja por në fakt janë të përdorura dhe normativa faktike është më e lartë, si rrjedhojë është shkaktuar dëm ekonomik për SRMF në shumën 2,123,085 lekë. /Pamfleti
Lini një Përgjigje