
Fjalimi i presidentit rus, Vladimir Putin para kombit mund të duket si diçka e madhe.
Vjen vetëm tri ditë para përvjetorit të parë të luftës së paprovokuar të Rusisë kundër Ukrainës, dhe një ditë pas vizitës së papritur të presidentit amerikan, Joe Biden në Kiev.
Biden e ka konsideruar luftën e Moskës në Ukrainë si sulm “brutal” ndaj një shteti sovran.
Në Moskë duket se së fundi ka pasur shume zhvillime.
Kushtetuta e Rusisë i kërkon presidentit të mbajë fjalim para Parlamentit çdo vit, diçka që Putin nuk e ka bërë prej prillit të vitit 2021.
Edhe dy dhomat e Parlamentit të Rusisë do të mbajnë ato që janë prezantuar si sesione të paplanifikuara, të përcjella me marsh masiv dhe koncert në Moskë – shenja që tregojnë se mund të ndodhë diçka.
Mirëpo në fjalimet tjera, qoftë para apo pas nisjes së luftës, Putin ka përsëritur disa herë narrativa të rreme për Ukrainën dhe e ka kritikuar Uashingtonin dhe Perëndimin, pa thënë diçka të re apo diçka që pasqyron synimet e tij për të ardhmen.
Prandaj, pa dhënë shenja për dhënie fund të luftës në Ukrainë dhe me shtypje të të gjitha formave të pakënaqësive në Rusi, fjalimi i Putinit mund të mos prodhojë shumë substancë.
Në vazhdim janë renditur disa gjëra që duhet t’i dini për fjalimin e 21 shkurtit.
Pas zmbrapsjeve ushtarake të vitit të kaluar dhe humbjes së territorit ukrainas që e kanë fituar forcat ruse në fillim të luftës, Rusia është duke zhvilluar një ofensivë të re në lindje të Ukrainës, kryesisht në Donbas – rajoni i përbërë nga Donjecku dhe Luhansku – ku janë shtuar sulmet në fund të muajit janar.
Analistët ushtarakë kanë thënë se Rusia nuk i ka punët mirë, pasi është duke u përballur me humbje të mëdha dhe me fitore të vogla e graduale.
Ukraina ende e ka kontrollin e qytetit të Bahmutit, pavarësisht sulmeve të vazhdueshme, derisa numri i madh i viktimave në betejën për qytezën Vuhledar ka vënë në pah problemet me të cilat përballet ushtria ruse.
Ka pasur edhe sugjerime se Rusia mund të nisë ofensivë të re të shkallës së gjerë në muajt në vazhdim, duke dërguar më shumë trupa në Ukrainë me qëllim të fitoreve të reja, pavarësisht zmbrapsjeve – ku përfshihet dështimi për të kontrolluar Kievin në javët e para të luftës dhe problemet me organizim dhe moralin e ulët të ushtarëve.
Putin mund të jetë i etur për të bërë deklarata bindëse kundrejt atyre të Bidenit, pasi vizita e tij e papritur në Kiev është parë si mbështetje për Ukrainën dhe qortim për presidentin rus.
“Kur Putini e ka nisur luftën gati një vit më parë, ai ka menduar se Ukraina është e dobët dhe se Perëndimi është i ndarë. Ai ka menduar se mund të na e kalonte neve. Mirëpo e ka pasur shumë gabim”, ka thënë Biden në një deklaratë të lëshuar më 20 shkurt, pa e përmendur emrin dhe titullin e Putinit. /REL
Lini një Përgjigje