
Macja ka dalë nga thesi!' Falë senatorit amerikan Lindsey Graham, të gjithë dinë tani një nga arsyet më bindëse që fshihet pas luftës Ukrainë-Rusi. Dhe ajo ka pak lidhje me “sovranitetin”, “demokracinë” dhe “liberalizmin” e Kievit.
Këto të fundit janë thjesht “pika diskutimi” për konsum publik, atë Noam Chomsky dhe Ed Hermann e quajtën “konsensus i prodhuar” në studimin e tyre të famshëm të vitit 1988. Lindsey Graham shprehu me zë të lartë pjesë të një axhende, që zakonisht i fshihet publikut apo medias. Ukraina është një “minierë ari” e vërtetë, e pranoi Graham, dhe Amerika nuk mund ta humbasë kontrollin ndaj saj. Dhe ja si përkthehet akoma më thjesht kjo deklaratë:Lufta po zhvillohet kryesisht për para.
Senatori ynë republikan, i besueshëm dhe agresiv në daljet publike, është i famshëm për deklaratat e tij provokuese. Që në vitin 2022 (në fillim të luftës në Ukrainë) Graham ishte gati për ndryshimin e regjimit në Rusi, kur të gjithë të tjerët në Perëndim po përpiqeshin ta minimizonin një perspektivë të tillë.
Për më tepër, ai citohet të ketë thënë në një konferencë shtypi me Zylensky-n se “rusët po vdesin” në luftë, ndërsa ndihma e SHBA ishte “investimi më i mirë i bërë ndonjëherë”. Por senatori bëri sërish bujë kohët e fundit, duke pranuar në emisionin “Face the Nation” në televizionin CBS, se Rusia s’duhet të lejohet të dominojë në Ukrainë.
Sepse kjo e fundit zotëron depozita të pasura mineralesh shumë të rëndësishme me vlerë 10 deri në 12 trilion dollarë. Ja cilat janë disa nga arsyet, që sipas senatorit Graham justifikojnë domosdoshmërinë e ndihmës ndaj Kievit dhe fitores së tij në luftën me Moskën.
Së pari, qasja e Kremlinit në këto depozita do ta pasuronte Rusinë dhe do të lejonte të pëfitonte edhe Kina. Së dyti, në rast se Ukraina ruan kontrollin mbi mineralet e saj të rëndësishme, ajo mund të jetë “vendi më i pasur në të gjithë Evropën” dhe “partneri më i mirë i biznesit që kemi ëndërruar ndonjëherë”.
Së treti, rezultati i luftës në Ukrainë është një “biznes shumë i madh” për SHBA-në. Kështu, Graham thekson se ajo e Ukrainës është “një luftë që nuk kemi luksin ta humbim”. Pra nga këndvështrimi i Uashingtonit, vendndodhja strategjike, mineralet e rëndësishme dhe sipërfaqja e madhe e tokës së pasur dhe të punueshme, janë ato që i japin vlerë Ukrainës.
Nga ana tjetër, askush nuk duket se merakoset shumë për popullin ukrainas, që është në fakt vlera më e madhe e Ukrainës. Graham shfaqet shumë i sinqertë për rusët që “vdesin”, por edhe shumë ukrainas kanë vdekur dhe do të vazhdojnë të vdesin nëse vazhdon lufta.
Cilido student i historisë, do ta pranonte se nuk ka asgjë befasuese apo unike në deklaratat e senatorit amerikan. S’ka dyshim se Graham nga Karolina e Jugut, ka në zemër interesin më të mirë të Amerikës. Ai i ka shërbyer me besnikëri në ushtri dhe për 21 vjet në Senat.
Ai ka të drejtë:Ukraina ka rezerva të mëdha të mineraleve të rëndësishme, dhe s’ka diskutim se këto lëndë të para janë të një rëndësie të madhe. Njëkohësisht, furnizimi global me shumë nga këto minerale, është bërë më i vështirë pasi ato janë të përqendruara në vende të kufizuara, gjë që i bën ato objekte të gjeopolitikës.
Situata lidhet në një farë mënyre me shqetësimet globale për naftën që nga vitet 1970. Departamenti i Energjisë në SHBA, ka përpiluar një listë të mineraleve jetike, prej së cilës rreth 50 më strategjiket dhe më sasi më të paktë gjenden në Ukrainë.
Në përpjekjet e saj për ta reduktuar varësinë e saj nga Kina, edhe BE-ja ka shfaqur një interes të madh për depozitat minerale të Ukrainës. Shërbimi Gjeologjik i Ukrainës, ka punuar që nga viti 2022 me Bankën Evropiane të Rindërtimit dhe Zhvillimit për të kataloguar depozitat minerare të Ukrainës, me synim tërheqjen e investitorëve perëndimorë.
Të gjithë duket se presin shpërblimin. Pavarësisht vazhdimit të luftës, investitorët perëndimorë qëndrojnë në radhë, edhe nga distanca të tilla si Australia dhe Japonia. Dhe është kompania amerikano-ukrainase, BGV Group, ajo që ka aksionet më të mëdha dhe më të ndryshme në mineralet më të rëndësishme të Ukrainës.
Gjatë 2 viteve të fundit, SHBA-ja dhe Britania e Madhe kanë vazhduar të sabotojnë mundësitë dhe përpjekjet e Rusisë dhe Ukrainës për të rifilluar dialogun e drejtpërdrejtë, duke ushtruar presion mbi Evropën dhe madje edhe ndaj pjesës tjetër të botës, ku njerëzit duhet të zgjedhin anë në këtë konflikt.
Por këto nisma nuk lindin në mënyrë spontane. Përkundrazi, ato burojnë nga një politikë e jashtme amerikane e konceptuar keq dhe e zbatuar prej dekadash. Mungesa e reflektimit historik, është shpesh arsyeja kryesore pse shumë vende shpesh bëjnë gabime në vendimet kryesore që marrin.
Perëndimi është shembulli kryesor, por nuk është i vetëm (p.sh mosmarrëveshja midis Kinës dhe Indisë). Në vend se të vazhdojë Luftën e Ftohtë (edhe 35 vjet pas përfundimit të saj), SHBA mund të dëshirojë të ri-mendojë nismat e saj të politikës së jashtme, të cilat të përkojnë më mirë me synimet e saj.
Angazhimi me një kundërshtar të mundshëm, nuk ka nevojë të distilohet në një zgjedhje “fitore ose qetësim”. Ta bësh këtë, do të thotë të mbetesh i bllokuar në mentalitetin e Luftës së Dytë Botërore apo të Luftës së Ftohtë, ku zgjedhjet e konsideruara (ku tani përfshihen armët bërthamore) nuk mund të jenë më as luftë as qetësim, por ku pasojat për qytetërimin janë shumë të rënda.
Koncepti i përpjekjes për bashkëpunim midis fuqive të mëdha dhe jo i përplasje në kampe rivale, nuk është i ri për ne. Nga ky orientim lindi Lidhja e Kombeve dhe Kombet e Bashkuara. Është e vërtetë, krijimi i tyre pati të metat dhe për fat të keq konfliktet mbeten.
Por premisa e përgjithshme pas krijimit dhe ekzistencës së tyre mbetet e qëndrueshme dhe është ajo e ndërtimit të “paqes pa fitore“. Ideja është të nxitet bashkëpunimi midis fuqive të mëdha (në vend të përplasjeve që kemi parë më herët por edhe sot) për t’u marrë me çështje të vështira diplomatike, përpara se të nisin të fluturojnë raketat.
Kjo ide jo vetëm që nuk u ndoq në Ukrainë, por u orkestrua ndryshe për arsye politike dhe ekonomike. Mjerisht administrata e Biden dhe aleatët e saj, i kanë shpërfillur mësimet e dhimbshme të luftës në shekullin XX-të. Ato kanë lënë pas dore edhe paralajmërimet e paraardhësve të tyre duke na vënë të gjithëve në rrezik, pa pasur vërtet nevojë.
Ky është një kapitullim i diplomacisë amerikane. Dhe kjo është ajo që ndodh kur një vend i madh si Shtetet e Bashkuara lejon, ka për dekada një udhëheqje mediokër që zhvillon nisma të politikës së jashtme që nuk janë në përputhje me atë që është në interesin më të mirë të saj dhe të popullit (Vietnam, Irak, Siri, Afganistan, Ukrainë)
Ne trashëgojmë sot rezultatet e një marrëzie të tillë. Që të garantojë hegjemoninë ekonomike dhe politike të Amerikës përmes lidershipit strategjik dhe jo me bomba, Amerika ka nevojë për një politikë të jashtme për ta mbështetur, gjë që sot nuk ekziston. Retorika si ajo e senatorit nga Karolina e Jugut nuk është zgjidhje. Ajo pritet të dëmtojë atë që është në interesin më të mirë të Amerikës./ Marrë nga "Eurasia Riview”, përshtati "Pamfleti"
Shënim:F.Andrew Wolf Jr, nënkolonel në pension i ushtrisë amerikane dhe profesor i Shkencave Humane, Filozofisë së Fesë dhe Filozofisë.
Lini një Përgjigje