Bota13 Prill 2024, 15:39

A do të jetë vërtet shumë ndryshe Turqia pas ikjes së Erdogan?

Shkruar nga Mehmet Y. Yilmaz

A do të jetë vërtet shumë ndryshe Turqia pas ikjes së

Legjenda e Erdoganit që fiton çdo palë zgjedhje, qoftë edhe me kandidatë si Kurum, ka marrë fund. Erdogan nuk e ka më atë lloj pushteti. Tani ne vetëm mund vetëm të hamendësojmë se çfarë lloj 'stuhish' po shpërthejnë në shpirtin e Erdoganit për shkak të kësaj disfate...

Mendoj se lexuesit e mi e kanë lexuar librin “Aventurat e Lizës në Botën e Çudirave” të shkrimtarit anglez Lewis Caroll. Ndaj do ta shmang hyrjen e zakonshme dhe do të shkoj direkt në pjesën ku Liza merr erashkën që i ka rënë lepurit dhe fillon ta përdorë tek vetja:

“E dashur! Sa e çuditshme është gjithçka sot! Dhe të mendosh që dje gjërat ecën si zakonisht. Pyes veten nëse kam ndryshuar gjatë natës? Më lejoni të mendoj: A isha e njëjta kur u ngrita këtë mëngjes? Gati po mendoj se më kujtohet se po ndihesha pak më ndryshe. Por nëse nuk jam e njëjta, pyetja tjetër është, kush dreqin jam unë? Ah, kjo është enigma e madhe!”.

Liza është njëlloj si Turqia, që u zgjua në mëngjesin e 1 prillit me rezultatet e zgjedhjeve lokale, ku opozita kryesore Partia Popullore Republikane (CHP) ruajti kontrollin e saj mbi qytetet kryesore dhe arriti fitore të mëdha edhe në qytete të tjera.

Ose mund t'ia atribuojmë atë frazë presidentit Recep Tayyip Erdogan në një histori ku ai është protagonist. Çfarë? A është ky zhvillim shumë e frikshëm? Në rregull, qetësohu. Çdo gjë është në rregull. Fjalë të ngjashme mund të lexoni edhe tek deklaratat e kreut të CHP-së, Ozgur Ozel.

Gjithçka të çon në të njëjtin vend. Fjalia më e zakonshme që kam dëgjuar ndonjëherë në këtë vend të bukur është: “Ne po jetojmë në ditët në të cilat kemi nevojë më shumë për unitet dhe bashkim”. Unë besoj se duhet të pasohet nga kjo fjali: “Në Turqi asgjë nuk do të jetë kurrë si më parë !”.

Por çfarë ndodhi kur Turqia ndryshoi? Ku shkoi Turqia e vjetër, dhe nga erdhi ajo e reja? Si një i vdekshëm që kam jetuar në këtë vend deri në moshën e mesme, nuk kam parë kurrë ndryshime reale në Turqi, edhe pse “ndryshimi është e vetmja konstante”.

Një pikë kthese

Gjëja e parë që tha Erdogan natën e 31 marsit, pas 'cunamit' të votave të opozitës që u përplas mbi të, ishte se rezultatet nuk ishin “një fund, por një pikë kthese” për Partinë e tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP). Mua më pëlqejnë shumë fjali të tilla. E imagjinoj Napoleon Bonapartin në rrugën e mërgimit drejt Elbës pasi humbi ushtrinë e tij në Betejën e Vaterlosë, duke thënë “Ky nuk është një fund, por një pikë kthese!”.

Është një fjali e shkëlqyer, pavarësisht se si mund ta analizoni. Sepse të lejon të shpërfillësh  gabimet e së kaluarës. Gabime të kryera me vetëdije por edhe koston e veprimeve që çuan në këtë rrugë. Kur dikush e thotë këtë fjali, ne të tjerët mund supozojmë se ai po paguan një lloj kostoje për gabimet që ka bërë.

Natyrisht, ne që jetojmë në Turqi e dimë se çfarë do të thotë në të vërtetë një “pikë kthese”: të rrotullohesh në formë rrethi për të përfunduar në të njëjtin vend. Por Erdogan nuk është personi nga i cili duhet të presim që të nxjerrë mësime nga rezultatet e zgjedhjeve dhe për të ndërmarrë më pas ndryshime.

Në moshën që ka, ai nuk mund të ndryshojë dot personalitetin e tij, që në fakt e ka sjellë në këtë pozicion. Dhe për fat të keq ai nuk ka pranë tij një njeri që t'i thotë: “Vëlla, ke bërë gabim, duhet të ndryshosh rrugë”. Në fakt, këto janë arsyet pse Erdogan është humbësi i vetëm i vërtetë i këtyre zgjedhjeve.

Një parti e sunduar nga një njeri i vetëm

Partitë politike janë si një lloj organizmi i gjallë, i formuar nga njerëzit që janë mbledhur rreth një ideje. Megjithatë AKP e Erdoganit, nuk tregon asnjë shenjë të tillë jete. Ai i ka eliminuar etërit themelues të partisë, dhe të gjithë ata që mund ta pengonin që të shndërrohej në një udhëheqës të një partie pa njollë.

Dhe kjo qasje do të sjellë edhe fundin e sundimi të tij. Është pikërisht AKP, parti e sunduar nga vetëm një njeri, që emëroi një personazh si Murat Kurum fillimisht si Ministër të Mjedisit dhe Urbanizimit dhe më pas kandidat për kryetar të bashkisë së Stambollit.

Nëse kalon edhe vetëm 5 minuta me Kurum, një person me inteligjencë normale do të pyeste me siguri veten se si ka mundësi që ky i ri ka arritur në pozicione të tilla. Nuk ka një përgjigje logjike. Nuk ka dyshim se rënia ekonomike në Turqi ndikoi tek rezultatet e zgjedhjeve lokale.

Ne e pamë se zhurma e stomakut bosh të shumicës së turqve mund ta mbyste edhe zërin e Erdoganit. Megjithatë, AKP mori rreth 30 për qind të votave në ditën e saj më të keqe. Ajo mund të dëmtohej më pak në këto zgjedhje po të mos ishte kthyer në një parti private të Erdoganit.

Rivalët e Erdoganit

Një aspekt i përbashkët i kandidatëve humbës të AKP-së, ishte proifili i ulët publik që mbajtën, sepse Erdogan nuk dëshiron asnjë udhëheqës tjetër në parti. Gjëja më e rëndësishme që na treguan këto zgjedhje, është se Erdogan ka humbur epërsinë e tij psikologjike.

Legjenda e Erdoganit që fiton çdo palë zgjedhje, qoftë edhe me kandidatë si Kurum, ka marrë fund. Erdogan nuk e ka më atë lloj pushteti. Tani ne vetëm mund vetëm të hamendësojmë se çfarë lloj 'stuhish' po shpërthejnë në shpirtin e Erdoganit për shkak të kësaj disfate.

Dhe do ta shihni, Erdogan nuk do të përjetojë ndonjë ndriçim apo të ndërmarrë ndonjë pikë kthese të papritur. Ai nuk do të ndryshojë. Zgjedhjet e ardhshme presidenciale janë pas 4 vjetësh dhe tani Erdogan ka dy rivalë të mundshëm: kryebashkiakun e Ankarasë Mansur Yavas dhe atë të Stambollit Ekrem Imamoglu.

Unë besoj se i pari është një politikan më i frikshëm për Erdoganin. Turqia nuk është mësuar që një politikan të largohet për t'i lënë vendin një kandidati tjetër. Dhe besoj se ky do të jetë një problem thelbësor për opozitën në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.

Një garë e vështirë

Imamoglu apo Yavas? Që të dy janë si kandidatë presidencialë në SHBA nga një film hollivudian. Ata kanë gjithçka. Janë të rinj në moshë dhe shumë fotozhenikë së bashku me bashkëshortët dhe fëmijët e tyre. Populli i do ata të dy pavarësisht nga rreshtimi politik.

Unë nuk e di nëse do të hidhnin një monedhë kokë a pil, apo do të përpiqen fshehurazi ta lodhin njëri-tjetrin. Do të jetë një garë e vështirë mes të dyve, dhe nëse Erdogan do të dëshironte që Imamoglu dhe Yavas të ktheheshin kundër njëri-tjetrit.

Rreth 4 milionë votues të rinj morën pjesë në zgjedhjet lokale të 31 marsit dhe votat e tyre u ndanë nga CHP dhe Partia Islamike Sërish Mirëqenie (YRP). Pra votuesit kanë ndryshuar preferencat e tyre, dhe kjo është e rëndësishme në planin afatgjatë.

Votuesit kanë ndryshuar parti dhe mund ta bëjnë sërish këtë. Ndryshimi i parë që është më i vështiri. Albert Ajnshtajn citohet të ketë thënë “Zoti nuk luan zare me Universin”. Ndodhi një herë, mund të ndodhë sërish. Sugjerimi im për Erdoganin, në moshën e tij të shtyrë, është që të shkojë të kalojë kohë me nipërit e mbesat e tij dhe të reflektojë mbi gabimet që ka bërë ndaj qytetarëve të tij./Përshtati Pamfleti nga “Worldcrunch”

turqia erdogan ndryshe