Presidenti amerikan Donald Trump ka përfunduar një mbledhje të jashtëzakonshme me ekipin e tij të sigurisë kombëtare në dhomën e situatave të Shtëpisë së Bardhë, takim që zgjati më shumë se një orë dhe që vjen në një moment kyç, ndërsa ai po shqyrton mundësinë e një përfshirjeje më të thellë të Shteteve të Bashkuara në përplasjen mes Izraelit dhe Iranit.
Trump e ndërpreu një ditë më herët pjesëmarrjen në samitin e G7 në Kanada për t’u kthyer në Uashington, një lëvizje që sinjalizon seriozitetin e çështjes. Sipas burimeve të CNN, Izraeli ka kërkuar nga SHBA një "qëndrim mbrojtës i pastër", pa përfshirje direkte në luftim, por me mbështetje logjistike dhe operative.
Në funksion të kësaj kërkese, më shumë se 30 avionë amerikanë për furnizim ajror KC-135 janë vendosur në rajon gjatë ditëve të fundit, në përgatitje për mundësinë që Trump të urdhërojë ndihmë për karburim në ajër për avionët izraelitë, ndërsa këta të fundit kryejnë goditje në hapësirën ajrore iraniane.
Ndërkohë, opinioni publik dhe Kongresi po ndjekin me vëmendje çdo zhvillim, pasi çdo vendim për përfshirje më të thellë mund të kërkojë jo vetëm miratim ligjor, por të hapë edhe një faqe të re të përplasjes globale në Lindjen e Mesme. Në këtë fazë, SHBA po manovron mes presionit izraelit për ndihmë dhe kufizimeve kushtetuese të brendshme, ndërsa vendimet e ardhshme të Trump do të jenë vendimtare për drejtimin që do të marrë ky konflikt.
Lini një Përgjigje