Bota22 Mars 2023, 11:02

Nikollai Patrushev; kush është njeriu që një ditë që mund të pasojë Putinin në krye të Rusisë

Shkruar nga Pamfleti
Nikollai Patrushev; kush është njeriu që një ditë
Presidenti rus Vladimir Putin, i shoqëruar nga Sekretari i Këshillit të Sigurimit të Rusisë, Nikolai Patrushev

Ai po e shijon këtë konflikt, dhe po e hedh poshtë nocionin e Perëndimit se bota luhatet mes konfliktit dhe paqes. Ashtu si Putin, edhe Patrushev beson se lufta është një vazhdimësi e politikës me mjete të tjera. Dhe pushtimi i Ukrainës, është vetëm një pjesë e luftës së rusëve kundër Perëndimit.  

Shkruan Mark Hollingsworth, The Spectator

Boris Ratnikov, një ish-oficer i KGB-së dhe kryekëshilltar në pension i shërbimit rus të sigurisë, FSB, dha një intervistë të jashtëzakonshme në vitin 2016. Ratnikov, që vdiq në vitin 2020, pohoi se shefi i tij kishte depërtuar dhe kishte arritur të lexonte mendjen e Medlin Ollbrajt kur ishte Sekretare e Shtetit të SHBA-së në mesin e viteve 1990.

Ratnikov tha se eprori tij përdori një foto për të depërtuar në nënndërgjegjen e Ollbrajt, duke zbuluar mendimet e saj sekrete rreth synimit të SHBA-së për të marrë Siberinë dhe Lindjen e Largët nga Rusia. Zyrtari i lartë ishte Georgi Rogozin, një oficer i lartë i KGB-së gjatë viteve 1969- 1992, që më pas u bë zëvendësshefi i shërbimit të sigurisë së presidentit Boris Jelcin.

Ai kreu eksperimente sekrete, duke u përpjekur të përdorte telepatinë, hipnozën dhe astrologjinë për të depërtuar te CIA dhe qeveria amerikane. Kur ishte me punë në Kremlin, gjenerali i KGB-së merrej me okultizmin, thërriste shpirtrat e të vdekurve, dhe besonte se mund të depërtonte në nënndërgjegjen e njerëzve duke përdorur fotot e tyre.

Ai shtrihej në një divan dhe binte në një gjendje hipnotike, përmes së cilës ai mund të komunikonte me Ollbrajt dhe në këtë mënyrë lexonte mendjen e saj, depërtonte në shpirtin e saj dhe zbulonte agjendat e saj sekrete. Bazuar në këto metoda, Rogozin i dërgoi një raport zëvendësit të tij Ratnikov me një “zbulim shumë emocionues” mbi politikën e jashtme amerikane.

“Në mendimet e Ollbrajt kemi zbuluar një urrejtje patologjike që ajo ka ndaj sllavëve. Ajo është e indinjuar nga fakti se Rusia ka rezervat më të mëdha minerale. Sipas saj, në të ardhmen rezervat e Rusisë duhet të menaxhohen jo nga një vend, por nga i gjithë njerëzimi nën mbikëqyrjen e Shteteve të Bashkuara. Po ashtu, bazuar në mendimet e Ollbrajt, ushtria amerikane po përdorte një lloj arme kimike dhe biologjike në Jugosllavi, me koka luftarake që përmbajnë elemente radioaktive”, kujtoi më vonë Ratnikov.

Nuk ka nevojë të thuhet se zonja Ollbrajt nuk e ka mbrojtur kurrë - privatisht apo publikisht - aneksimin e Siberisë. Gjithçka ishte një trillim. Gjithsesi, “mendimet e saj sekrete” i përshtateshin agjendës së Putinit se SHBA-ja kishte për qëllim dominimin global dhe destabilizimin e Rusisë me synim qasjen në rezervat e saj të mëdha të naftës dhe gazit. 

Në kohë normale, halucinacionet e një zyrtari tashmë të vdekur të Kremlinit dhe KGB-së nuk do të merreshin seriozisht. Por në vitin 2015, Nikollai Patrushev - njeriu i dytë më i plotfuqishëm i Rusisë dhe zyrtari i saj i lartë i sigurisë kombëtare - deklaroi për revistën "Kommersant": "Juve me siguri ju kujtohet deklarata e ish-Sekretares amerikane të Shtetit, Medlin Ollbrajt, se as Lindja e Largët dhe as Siberia nuk i përkasin Rusisë”.

Natyrisht, Ollbrajt nuk e ka bërë kurrë një deklaratë të tillë. “Komenti” i saj ishte sërish pjesë e fantazisë së ish-zyrtarit të çmendur të KGB-së dhe Kremlinit. Patrushev duhet ta ketë ditur se “deklarata” ishte një gënjeshtër, sepse në atë kohë - në vitin 1997 - ai ishte kreu i Sigurisë së Brendshme të FSB-së, shërbimi i sigurisë ruse.

Prandaj përsëritja prej tij e një gënjeshtre të tillë përbën një shembull tipik të qasjes së tij ndaj politikës së jashtme. Sot Patrushev mbetet këshilltari më me ndikim dhe më i rëndësishëm në Rusi i presidentit Putin, dhe është një mbështetës i palëkundur dhe i pamëshirshëm i luftës në Ukrainë.

Madje ai është edhe më i ashpër se shoku dhe bashkëpunëtori i tij i ngushtë. Si sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, Patrushev e akuzoi SHBA-në se po ndjek një agjendë të fshehtë për të shkaktuar “kolapsin e Federatës Ruse”. 

Lufta e Ukrainës ka çimentuar ndikimin e tij mbi Putinin, dhe ai mbetet favoriti për ta pasuar atë si president. Për Mark Galeottin, analistin dhe ekspertin e Kremlinit, Patrushev ka qenë prej kohësh “Djalli mbi supin e Putinit, që i pëshpërit gjëra mizore në vesh”.

I lindur më 11 korrik 1951, në Leningrad, Nikollai Patrushev u rrit gjatë kulmit të Luftës së Ftohtë. Pasi studioi fizikë dhe matematikë në shkollën e mesme nr.211 të Leningradit dhe më pas inxhinieri, u bë pjesë e KGB në vitin 1974. Një vit më pas iu bashkua njësisë së kundërzbulimit në rajonin e Leningradit, kohë kur u takua për herë të parë me Putinin.

Ata përndiqnin disidentët dhe gjurmonin spiunët. Më pas Patrushev u promovua në një post më të lartë, ndërsa Putin u transferua në Drezsden të Gjermanisë Lindore. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, Putini u rikthye në Leningrad, i njohur tashmë si Shën Petersburg, ndërsa ish-shoku i tij në KGB u bë kreu i kundërzbulimit të FSB-së.

Në vitin 1998, Patrushev dhe Putin u ribashkuan në Kremlin si nënkryetar i administratës së presidentit Jelcin. Në këtë kohë Patrushev, një vit më i madh në moshë, ishte më lart si post, por Putini ishte më pranë Jelcinit, ndaj u shpërblye me punën e lakmuar si kreu i FSB-së. 

Ndërkohë, Patrushev u emërua shef i Sigurisë Ekonomike të FSB-së - një rol vendimtar ku shumë nga ”Siloviki” (të fortët e shërbimeve të sigurisë) mësuan zanatin e tyre. Ai ishte gjithashtu zëvendës i Putinit, dhe nga prilli 1999 ata krijuan një dyshe të frikshme, pavarësisht karakteristikave të ndryshme personale.

Patrushev është siloviki pijanec, i ashpër dhe i hapur; kurse Putini është asket, nuk pi, është strategjik dhe i matur në mendimet dhe komentet e tij. Por që të dy ndajnë një armiqësi të fortë ndaj Shteteve të Bashkuara dhe një pikëpamje konspirative mbi botën.

Patrushev e konsideron SHBA-në si dekadente, imperialiste dhe në kundërshtim me pikëpamjen e tij konservatore autoritare botërore mbi vlerat tradicionale. Ai po riprodhon Luftën e Ftohtë. Dhe kjo pikëpamje e mbështet qasjen e tij ndaj luftës në Ukrainë.

Ndërsa vazhdon lufta në Ukrainë, Patrushev i referohet vazhdimisht kujtimeve të fitores së sovjetikëve kundër Gjermanisë fashiste në Luftën e Dytë Botërore, si një mënyrë për të forcuar nacionalizmin rus dhe mbështetjen për pushtimin.

Kur u pyet për kërkesën e Ukrainës për të mbyllur kufirin rus, këshilltari më i afërt i Putinit e krahasoi bllokadën e mundshme të Donbasit me rrethimin e Stalingradit. Ai e quajti qeverinë e Ukrainës një juntë fashiste dhe shpiku teori konspirative mbi “kriminelët neonazistë”, të cilët sipas tij po përdoren nga vende të tjera për organizimin e grushtit të shtetit dhe misioneve sabotuese.

Perspektiva e Patrushev për ta pasuar Putinin në krye të vendit është shumë reale. Kryetari i Këshillit të Sigurisë Kombëtare është vetëm 71 vjeç, dhe mbetet në krye të elitës brenda Kremlinit. Për Patrushev - një mik dhe njeri i besuar i Putinit për gati 50 vjet - tensioni në rritje me SHBA-në dhe Ukrainën vetëm sa e rrit bazën e tij të pushtetit.

Ai po e shijon këtë konflikt, dhe po e hedh poshtë nocionin e Perëndimit se bota luhatet mes konfliktit dhe paqes. Ashtu si Putin, edhe Patrushev beson se lufta është një vazhdimësi e politikës me mjete të tjera. Dhe pushtimi i Ukrainës, është vetëm një pjesë e luftës së rusëve kundër Perëndimit.  

 

putin rusia