TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 4 Shtator 2025, 17:49

A është vërtet Venezuela kërcënimi më i madh i SHBA për kokainën?

Shkruar nga Pamfleti

A është vërtet Venezuela kërcënimi më i madh i

Trump shpall Venezuelën si kryeqendër të kokainës, faktet e OKB dhe DEA tregojnë të kundërtën...

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi këtë javë se një anije në Karaibe, që sipas tij i përkiste bandës së njohur kriminale “Tren de Aragua”, u shkatërrua nga forcat amerikane ndërsa transportonte drogë drejt SHBA-së. Sipas tij, në këtë sulm u vranë 11 persona, të cilët ai i quajti “terroristë”.

Kjo ndërhyrje erdhi vetëm disa ditë pasi raportohej për lëvizjen e anijeve luftarake amerikane drejt ujërave të Venezuelës. The Neë York Times njoftoi se Trump kishte firmosur një urdhër sekret, që i lejonte Pentagonit të përdorte forcë ushtarake ndaj karteleve të drogës në Amerikën Latine, të shpallura organizata terroriste.

Sipas agjencisë Reuters, tre luftanije amerikane të klasit “Aegis” dhe më shumë se 4.500 trupa, përfshirë 2.200 marinsa, janë pozicionuar afër brigjeve venezueliane. Megjithatë, nuk është dhënë asnjë deklaratë zyrtare për misionin e saktë të kësaj flotiljeje ushtarake.

A ishte sulmi i ligjshëm?

Shumë ekspertë ligjorë dhe ndërkombëtarë kanë ngritur alarmin mbi ligjshmërinë e këtij akti ushtarak. Profesori Salvador Regilme nga Universiteti i Leiden-it thotë se çdo ndërhyrje ushtarake në ujërat ndërkombëtare duhet të respektojë të drejtën për jetë dhe parimet e proporcionalitetit, siç përcaktohet në Konventën e Kombeve të Bashkuara për të Drejtën e Detit (UNCLOS).

Eksperti amerikan Bruce Fein e cilësoi sulmin si antikushtetues, duke theksuar se çdo përdorim force nga ushtria amerikane pa sulm të drejtpërdrejtë ndaj SHBA-ve kërkon miratim të Kongresit, siç parashikohet nga Akti i Fuqive të Luftës.

Megjithatë, Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi pas një takimi me presidenten meksikane Claudia Sheinbaum se sulmet ndaj anijeve të drogës do të vazhdojnë. “Ajo që do t’i ndalojë nuk është kapja, por shkatërrimi”, tha ai.

Si reagoi Venezuela?

Presidenti Nicolás Maduro reagoi duke thirrur mbështetësit për t’u bashkuar me milicitë popullore, për të mbrojtur vendin nga çdo sulm i huaj. Milicia Bolivariane, një forcë e armatosur paralele e frymëzuar nga Simón Bolívar, është vënë në gatishmëri.

Maduro akuzoi Uashingtonin për akt agresioni dhe përpjekje për destabilizim të Venezuelës përmes ndërhyrjeve ushtarake dhe ekonomike.

Akuzat e Trump: Drogë dhe terrorizëm

Trump dhe administrata e tij vazhdojnë të akuzojnë qeverinë e majtë të Venezuelës për bashkëpunim të drejtpërdrejtë me kartelet e drogës, veçanërisht me bandën “Tren de Aragua”, të cilën e shpalli organizatë terroriste ditën e parë të mandatit të tij të dytë.

Në vitin 2020, një gjykatë federale në SHBA akuzoi Maduro-n për trafik ndërkombëtar droge dhe terrorizëm, ndërsa në gusht 2025, Departamenti Amerikan i Drejtësisë dyfishoi shpërblimin për kapjen e Maduro-s në 50 milionë dollarë, duke e cilësuar si “një nga trafikantët më të mëdhenj të kokainës në botë”.

Trump gjithashtu ka aktivizuar një ligj të vitit 1798, që i lejon presidentit të deportojë shtetas të vendeve armike. Me këtë ligj, mbi 230 venezuelianë janë deportuar në burgun famëkeq CECOT në El Salvador.

A janë akuzat të vërteta?

Sipas një raporti të klasifikuar të Komunitetit Amerikan të Inteligjencës, të përgatitur në prill, nuk ka prova që lidhin drejtpërdrejt regjimin e Maduro-s me Tren de Aragua. Raporti tregon se qeveria venezueliane ka toleruar veprimtarinë e karteleve, por nuk ka bashkëpunim të dokumentuar me to. Të gjitha 18 agjencitë e inteligjencës amerikane, përveç FBI-së, e mbështesin këtë përfundim.

Sa kokainë kalon nga Venezuela?

Raporti i OKB-së për Drogën 2023-2024 tregon se burimi kryesor i kokainës në botë është Kolumbia, e ndjekur nga Peruja dhe Bolivia. Venezuela përdoret si një korridor tranziti, kryesisht për kokainën kolumbiane që kalon nëpër Karaibe, por nuk është pjesë qendrore e trafikut drejt SHBA-së.

Sipas DEA-s, 84% e kokainës së sekuestruar në SHBA ka origjinë kolumbiane – Venezuela nuk përmendet si burim kryesor.

Pas sulmit të paprecedentë në Karaibe, politika e jashtme amerikane është futur në një terren të rrëshqitshëm. Me një kongres që nuk është konsultuar, me mungesë provash dhe me tensione të larta në hemisferën perëndimore, ky është një precedent i rrezikshëm që mund të përshkallëzohet në një konflikt të hapur SHBA-Venezuelë. /Përshtatur nga “Al Jazeera”

Lini një Përgjigje