
“Sa më shumë jeton, aq më i ri bëhesh”, kjo ishte fraza befasuese që përshkoi një bisedë të papritur mes presidentit rus Vladimir Putin dhe atij kinez Xi Jinping, e kapur nga një mikrofon i hapur gjatë një takimi dypalësh. Tematika? Transplantet e organeve dhe ëndrra e pavdekësisë, një koncept që prej shekujsh ka tunduar perandorë, diktatorë dhe më së fundmi... miliarderë.
Sipas përkthyeses së Putin, liderët folën për përparimet në bioteknologji dhe mundësinë e një jete që zgjat deri në 150 vjet. Xi shtoi se në këtë shekull, njerëzit mund të arrijnë jetëgjatësi të paparë: “Në të kaluarën të arrije 70 vjeç ishte mrekulli, sot në atë moshë je ende fëmijë.”
A është e mundur?
Shkenca është më skeptike. Sipas prof. Piergiorgio Messa, nefrolog italian, ideja që njeriu të jetojë shumë më gjatë vetëm nëpërmjet transplanteve të organeve është “shkencërisht e pasaktë dhe biologjikisht e kufizuar”. Deri më tani, të gjitha transplantet bazohen në organe nga njerëz të tjerë, ndërsa teknologjia për organe sintetike apo kafshë është shumë larg realizimit.
Po ashtu, organizmat që marrin transplantet, zakonisht të moshuar, kanë kufij biologjikë që nuk i kalon as organi më i shëndetshëm, dhe mjekimet që duhen për të parandaluar refuzimin e organeve shpesh dëmtojnë jetëgjatësinë, jo e shtojnë.
Nga fantashkenca te realiteti biologjik
Kjo temë ka ndezur imagjinatën e shkrimtarëve prej kohësh. Nobelistit Kazuo Ishiguro në romanin “Mos më lër” përshkruan një botë ku klone njerëzore rriten për të shërbyer si rezervuarë organesh, duke vdekur në heshtje në favor të “njerëzve natyralë”.
Megjithatë, zgjidhja për jetë të gjatë nuk fshihet tek transplantet, por te rigjenerimi celular, një fushë që ende ndodhet në kufijtë e kërkimit. Sipas Messa, rigjenerimi i plotë i organeve mund të na çojë drejt “kimerës së pavdekësisë”, por me kosto të mëdha biologjike: qelizat që nuk ndjekin ciklin normal të plakjes mund të sillen si qeliza kancerogjene.
Paradoxi i pavdekësisë
Në përpjekjen për të ndalur plakjen, shkencëtarët përballen me një zgjedhje të rrezikshme: nëse eliminojnë qelizat e dëmtuara, u hapin rrugë tumoreve. Nëse ndalin këto të fundit, organizmi mbetet i mbushur me qeliza të dobëta dhe joefikase.
Disa kërkime më të fundit, të përmbledhura nga kardiologu amerikan Eric Topol, flasin për teknika si ripërpunimi celular, senolitikët (ilaçe që shënjestrojnë qelizat e plakura), transfuzione nga organizma të rinj, apo përdorimi i rapamicinës, një substancë që zgjat jetën te kafshët, por dëmton sistemin imunitar.
Po 150 vjet jetë?
Një studim i Universitetit të Illinois publikoi së fundmi në “Nature Aging” një analizë që tregon se përmirësimi i jetëgjatësisë njerëzore po ngadalësohet. Sipas tyre, jeta mesatare ka arritur një "tavan", rreth 87 vjet, me pak më shumë për gratë dhe pak më pak për burrat. Disa modele matematikore kanë sugjeruar që njeriu mund të arrijë deri në 150 vjet, por vetëm në teori dhe me shumë “nëse”.
Në praktikë, rastet si ai i Jeanne Calment, gruaja franceze që jetoi 122 vjet, janë përjashtime të rralla.
Çfarë mund të bëjmë realisht?
Ekspertët sugjerojnë se mënyra më e mirë për të jetuar gjatë dhe mirë nuk është të ndjekësh ëndrrën e “pavdekësisë” teknologjike, por të reduktosh rrezikun nga sëmundjet e moshës, si kanceri, sëmundjet kardiake dhe Alzheimeri. Dhe kjo nuk vlen vetëm për të pasurit.
Studime nga Universiteti i Oksfordit tregojnë se 75% e plakjes ndikohet nga mënyra e jetesës, jo nga gjenet. Ushqyerja e shëndetshme, aktiviteti fizik, gjumi cilësor, reduktimi i stresit dhe shoqëria pozitive janë akoma ilaçet më të sigurta, dhe të përballueshme, për jetë më të gjatë. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje