TAGS-AT E JAVËS

Anti-Mafia22 Korrik 2026, 17:52

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për privatizimin e 360 ha tokë publike në Fier, ku është SPAK?

Shkruar nga Pamfleti
Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për
Foto ilustruese/

Ish-gjyqtar dhe kryebashkiak i Fierit, Subashi u dha bandave dhe oligarkëve 360 hektarë tokë publike për fotovoltaikë duke uzurpuar kompetencat e ministrit dhe duke hapur rrugën e privatizimit...

Armando Subashi, kryebashkiak i Fierit që prej korrikut 2015, ka uzurpuar kompetencat që ligji ia njeh vetëm Ministrisë së Ekonomisë dhe ka futur në qarkullim mbi 3.6 milionë metra katrorë tokë publike të kategorisë "pa frut". Bëhet fjalë për më shumë se 360 hektarë, një sipërfaqe e krahasueshme me gjithë qytetin e Lushnjes, e nxjerrë në treg pa objekt përdorimi, pa procedurë konkurrimi dhe pa kaluar asnjëherë nëpër duart e autoritetit të vetëm që ka tagrin ligjor për ta bërë këtë.

Gati njëzet vendime të Këshillit Bashkiak Fier, të gjitha me të njëjtën firmë dhe të njëjtën shkelje

Dosja përbëhet nga gati njëzet vendime të Këshillit Bashkiak Fier të nxjerra mes viteve 2017 dhe 2026, të cilat Pamfleti i ka analizuar një për një përmes dokumenteve. Asnjë nga këto vendime nuk ka kaluar nëpër Ministrinë e Ekonomisë, asnjë nuk përmban objekt përdorimi të specifikuar, asnjë nuk dokumenton procedurë konkurrimi. Të gjitha së bashku përbëjnë shkelje të pastër të VKM-së nr. 54, datë 5 shkurt 2014, "Për Përcaktimin e Kritereve, të Procedurës e të Mënyrës së Dhënies me Qira, Enfiteozë apo Kontrata të Tjera të Pasurisë Shtetërore", të ndryshuar.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

Kreu I, pika 6, shkronja c, e këtij akti ligjor është i prerë dhe nuk lë shteg për interpretime:

"Të drejtën e lidhjes së kontratës së qirasë dhe të përcaktimit të afateve të dhënies me qira e kanë: c) ministria përgjegjëse për ekonominë, për tokat e pafrytshme." Bashkia Fier nuk është ministria. Armando Subashi nuk është ministër. Ligji ia ndalon shprehimisht këtë veprim. Subashi e bëri gjithsesi, në shkallë industriale dhe në dritë të diellit.

Goditja e parë erdhi më 19 dhjetor 2017, kur Këshilli Bashkiak Fier miratoi vendimin nr. 101 për dhënien me qira të tetë parcelave kadastrale, të gjitha brenda Zonës Kadastrale 3358, me një sipërfaqe totale prej 1,046,000 metrash katrorë, ose mbi 104 hektarë.

Dokumenti rendit një për një pasuritë: 552 me 181 mijë m2, 286/2 me 112 mijë m2, 48 me 53 mijë m2, 554/1 me 181 mijë m2, 287/5 me 113 mijë m2, 49/2 me 150 mijë m2, 556 me 180 mijë m2, 90/2 me 76 mijë m2.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

VKM 54, Kreu II, pika 5a, kërkon që urdhri i titullarit të specifikojë qartë qëllimin e dhënies me qira, sipërfaqen dhe detyrimin monetar mujor. Vendimi nr. 101 i Bashkisë Fier nuk përmban asnjë nga këto të dhëna. Njëqind e katër hektarë tokë publike u dhanë pa e ditur askush se për çfarë do të përdoreshin.

Tre vjet më vonë, më 20 nëntor 2020, Këshilli Bashkiak iu rikthye të njëjtës zonë kadastrale me vendimin nr. 94, duke nxjerrë në qarkullim edhe 99,061 metra katrorë të tjerë përmes pesë parcelave të reja, sërish pa objekt përdorimi dhe jashtë çdo kompetence ligjore. Brenda këtij grupi parcelash ndodhet pasuria 9/10 me sipërfaqe 6,660 m2, e cila tregon më qartë se çdo gjë tjetër mekanizmin e falsifikimit që funksionon në Bashkinë Fier. Në vitin 2020, VKB 94 e trajton këtë parcelë si "tokë pa frut". Në vitin 2025, VKB 13 e trajton të njëjtën parcelë si "tokë arë", domethënë tokë bujqësore. Midis dy akteve, në vitin 2022, VKB 84 vendos rivlerësimin e bonitetit të kësaj toke. E njëjta pasuri nuk mund të jetë njëkohësisht pa frut dhe bujqësore. Njëri prej dokumenteve gënjen hapur dhe të gjithë mbajnë vulën e të njëjtit institucion.

Parcelat bregdetare pa emër: kush i mori 62 mijë metrat katrorë afër detit

Më 30 nëntor 2022, vendimi nr. 111 shtoi në listë edhe 62,234 metra katrorë të tjerë në afërsi të bregdetit, përmes pasurive 250 dhe 233, të dyja brenda ZK 3358, të dyja pa objekt përdorimi. Pozicioni gjeografik i zonës, pranë bregdetit të Fierit, e bën këtë sipërfaqe veçanërisht të lakmueshme për çdo projekt energjetik apo industrial që do të lidhej me rrjetin e transmisionit. Kush i ka marrë këto toka me qira mbetet pyetje pa përgjigje, pasi vendimi publik nuk specifikon qartë përfituesin.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

Skema arriti një nivel të ri arrogance institucionale më 15 mars 2024, me vendimin nr. 33, i cili nuk përdor më formulimin standard "Këshilli Bashkiak vendosi", por shkruan hapur "Kryetari i Bashkisë Vendosi". Armando Subashi nuk po propozon më për miratim në Këshill, po vendos vetë, drejtpërdrejt, sikur pasuria publike e Fierit të ishte pronë e tij personale. Pasuria 247/1, ZK 3358, me sipërfaqe 18,234 metra katrorë, jepet pa kaluar fare nëpër organin kolektiv të vendimmarrjes, në shkelje të plotë të ligjit nr. 139/2015 "Për vetëqeverisjen vendore", i cili përcakton qartë se kryetari propozon dhe Këshilli Bashkiak vendos për çështje të kësaj natyre.

Fotovoltaikët dhe ligji që nuk ekzistonte ende: si Bashkia Fier i parapriu Parlamentit me gjashtë muaj

Vendimi më i freskët i dosjes mban nr. 7, datë 29 janar 2026, dhe ka si objekt rivlerësimin e bonitetit të disa ngastrave kadastrale në ZK 3038, fshati Povelçë, sektori Boçovë, Njësia Administrative Dërmënas.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

Kërkuesi është shoqëria "ECO VOLTAGE", një emër që nuk gjendet qartë në regjistrin e QKB-së. Vendimi bazohet në Urdhrin Administrativ nr. 29, datë 5 janar 2026, të kryetarit të bashkisë, i cili ngriti grupin e punës për rivlerësimin e bonitetit. Pyetja qendrore e këtij rasti është e thjeshtë dhe shkatërrimtare: mbi çfarë baze ligjore u krye rivlerësimi i bonitetit në janar 2026, kur ligji i ri për tokat bujqësore, që lejon instalimin e parqeve agrofotovoltaike dhe eolike mbi toka me bonitet deri në 8, u miratua nga Kuvendi vetëm në korrik 2026? Bashkia Fier i parapriu ligjit me gjashtë muaj, sikur ta dinte paraprakisht se çfarë do të votonte parlamenti.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

KLSH e ka konstatuar tashmë këtë lloj shkeljeje në një rast identik, në Bashkinë Divjakë, ku kryetari i bashkisë nxori urdhër për dhënien me qira të 65.5 hektarësh tokë pa frut dhe KLSH e cilësoi veprimin "në kundërshtim me VKM nr. 54, datë 05.02.2014, Kreu I, Pika 6". E njëjta VKM, e njëjta pikë, i njëjti lloj shkeljeje. Në Divjakë u konstatua dhe u dokumentua. Në Fier po ndodh në përmasa shumëfish më të mëdha dhe prej gati një dekade.

Privatizimi përmes fotovoltaikëve: qëllimi përfundimtar i gjithë skemës

E gjithë kjo makineri nuk synon thjesht shkeljen e kompetencës. Qëllimi përfundimtar është privatizimi i tokës publike përmes një shtegu të hapur nga vetë VKM 54/2014. Kreu VIII, pika 4, e këtij akti përmban dispozitën sipas së cilës, kur qiramarrësi ka kryer investime mbi 150 për qind të vlerës së truallit dhe ka konsumuar mbi pesë vjet kontratë, i lind e drejta e privatizimit të pronës shtetërore. Pikërisht këtu hyjnë fotovoltaikët: një park fotovoltaik është një investim masiv që e kalon me lehtësi pragun e 150 për qind të vlerës së truallit, duke e kthyer kontratën e qirasë në biletë për privatizim. Kontrata e parë e madhe, VKB 101, daton në dhjetor 2017. Afati pesëvjeçar ka skaduar. Çdo panel diellor i instaluar mbi atë tokë e afron pronarin një hap më shumë drejt pronësisë së përhershme.

Armando Subashi mori kompetencat e ministrit dhe hapi rrugën për

Ajo që dihet me siguri është se asnjë nga vendimet e shqyrtuara nuk specifikon procedurën e konkurrimit, asnjë nuk dëshmon kalimin nëpër Ministrinë e Ekonomisë, asnjë nuk ka objekt përdorimi të qartë. Nga 360 hektarë tokë publike e dhënë në këtë mënyrë, çdo metër katror është dhënë në kundërshtim me ligjin. Firma që mungon në secilin prej këtyre dokumenteve është ajo e ministrit. Firma që është e pranishme në të gjithë është ajo e ish-gjyqtarit Armando Subashi.

A do t'i shpëtojë Subashi SPAK-ut?

Shtrohet pyetja nëse kjo dosje voluminoze do të përfundojë ndonjëherë në tavolinën e SPAK. Subashi është njeriu i bandave të Fierit dhe lidhjet e tij me pushtetin qendror janë të njohura. Skema ka vijuar pa u ndalur për gati një dekadë, me vendime të botuara e të disponueshme publikisht, pa u prekur nga askush. Gjasat që SPAK ta çojë deri në fund një hetim mbi këtë aferë janë të lidhura drejtpërdrejt me vullnetin politik për të prekur një kryebashkiak me shpinë të fortë. Historia e dosjeve të ngjashme në Shqipëri tregon se letrat e Kadastrës rrallë dërgojnë në burg një njeri me pushtet. Në rastin e Armando Subashit, letrat janë mbi 360 hektarë. /Pamfleti

 

armando subashi spak toka publike fotovoltaik fier ashk

4 Komente

  1. J
    Jeta

    Subashi i Asfalise Greke. Greqia deri te Shkumbini, perfshire Fierin. Skenari i Ramutit dhe Salehut. ...me "shqiptar" te tille eshte krijuar Greqia shtet, sot po keta "shqiptarë" jane vërsul te hane Shqiperine londineze.

    Lini një Përgjigje