
Trump në gjurmët e Reagan, si presidenti po tenton zhdukjen e sindikatave amerikane...
Dita e Punës në SHBA këtë vit nuk ka ardhur me festime për sindikatat. Arsyeja është një sulm frontal i Presidentit Donald Trump ndaj punëtorëve federalë të organizuar.
Javën e kaluar, Trump firmosi një urdhër ekzekutiv që kufizon të drejtat e afro një milion punëtorëve federalë të organizuar në sindikata, duke përfshirë agjenci si Shërbimi Kombëtar i Motit dhe NASA, me arsyetimin se bëhet fjalë për “çështje sigurie kombëtare”. Më herët gjatë vitit, një urdhër tjetër kishte goditur sindikatat në Departamentin e Shtetit, Mbrojtjes, Drejtësisë dhe Shëndetësisë.
Ky është një kthesë dramatike për lëvizjen sindikale amerikane, e cila nën administratën e Joe Biden kishte marrë hov me greva dhe fitore të mëdha në kontrata, që nga industria e automobilave në Detroit, te portet e Bregut Lindor, deri te Hollivudi. Biden u quajt presidenti më pro-sindikalist në historinë amerikane, madje duke u bërë i pari që iu bashkua një greve në terren gjatë vitit 2023.
Por Trump po e përmbys terrenin. Liz Shuler, presidente e AFL-CIO, tha për CNN: “Ky është sulmi më i madh ndaj lëvizjes sindikale në historinë tonë”. Sipas saj, ajo që ndodh sot me punëtorët federalë nesër mund të bëhet model për korporatat private.
Sulmi ndaj zemrës së lëvizjes sindikale
Gati gjysma e anëtarëve të sindikatave në SHBA punojnë në sektorin publik, ndërkohë që vetëm 6 përqind e punonjësve në sektorin privat janë të organizuar. Kjo e bën sektorin publik “zemrën” e sindikalizmit amerikan dhe synimin kryesor të Trump.
Everett Kelley, president i Federatës Amerikane të Punonjësve të Qeverisë, paralajmëroi se presidenti po përdor punëtorët federalë si “rast prove”, duke i dhënë sinjal sektorit privat: “Bëni të njëjtën gjë, ne ju mbështesim”.
Urdhri i fundit jo vetëm që heq të drejtën e negociatës kolektive për punonjësit federalë, por edhe ndalon mbledhjen automatike të kuotave sindikale nga pagat. Si pasojë, AFGE është detyruar të shkurtojë rreth një të tretën e stafit të vet.
Një déjà vu e rrezikshme: nga Reagan te Trump
Kjo lëvizje rikujton vitin 1981, kur presidenti Ronald Reagan pushoi nga puna të gjithë kontrollorët ajrorë amerikanë pasi sindikata e tyre shpalli grevë. Atëherë ky veprim e dobësoi në mënyrë të pakthyeshme fuqinë sindikale në SHBA.
Shuler paralajmëron se rasti i sotëm është edhe më i rëndë: “Nëse me një firmë shkatërrohen të drejtat e negociatës për gati një milion njerëz, atëherë kemi një problem që godet gjithë lëvizjen”.
Sindikatat përgatiten për betejë ligjore dhe sociale
Organizatat sindikale federale kanë ngritur dhjetëra padi kundër urdhrave të Trump, por vendimet gjyqësore deri tani kanë qenë të përziera dhe asnjë çështje nuk ka marrë fund. Megjithatë, udhëheqësit sindikalë thonë se do të vazhdojnë betejën në gjykata dhe, nëse duhet, edhe në sektorin privat.
Matt Biggs, president i Federatës Ndërkombëtare të Inxhinierëve Profesionalë dhe Teknikë, paralajmëron: “Nëse punëdhënësit publikë dhe privatë mendojnë se është ‘stinë e hapur’ për të shkatërruar sindikatat, gabojnë rëndë. Punëtorët janë të zemëruar. Ne nuk do të zhdukem. Po bëhemi më të fortë.” /Përshtatur nga “CNN”
Lini një Përgjigje