Bota21 Maj 2024, 18:51

A mund të ndryshohet apo anulohet pakti mes Athinës dhe Shkupit për emrin e Maqedonisë?

Shkruar nga Angelos Syrigos
A mund të ndryshohet apo anulohet pakti mes Athinës dhe Shkupit
Presidentja maqedonase

A do të mundet lidershipi i VMRO-së ta ndërpresë në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Prespës pa ndonjë arsye të veçantë?

Ditën kur Marrëveshja e Prespës e nënshkruar midis Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut, u ratifikua nga parlamenti grek, udhëheqësi i atëhershëm i opozitës dhe kryeministri aktual Kyriakos Mitsotakis, e kritikoi ashpër përmbajtjen e saj.

Ai deklaroi nga foltorja:”Nëse Marrëveshja e Prespës ratifikohet sot në formën që është, nuk do të mund të anulohet të nesërmen, pasi ajo shfuqizon çdo ligj. E drejta ndërkombëtare e bën atë të pandryshueshme. Çdo modifikim i saj më vonë është tejet i vështirë. Çdo shkelje e marrëveshjes, mund të nënkuptojë izolim ndërkombëtar dhe një çështje gjyqësore ndërkombëtare për vendin tonë” (24 janar 2019).

Gjithsesi, Marrëveshja e Prespës u ratifikua në atë formë nga parlamentet e të dyja vendeve. Ajo që vlen për ne, vlen njëlloj edhe për fqinjin tonë veriore. Dominimi elektoral i partisë nacionaliste të qendrës së djathtë VMRO-DPMNE, është testi i lakmusit që do të sfidojë qëndrueshmërinë e Marrëveshjes së Prespës.

Problemi i parë nisi që me refuzimin de facto të profesoreshës të së drejtës kushtetuese Gordana Siljanovska-Davkova për t'u betuar si presidente nën emrin e pranuar ndërkombëtarisht dhe të njohur me kushtetutë të vendit të saj:Maqedonia e Veriut.

Tani mbetet të shohim se çfarë do të bëjë qeveria e ardhshme në ditët në vijim. Me shumë gjasa, do të fillojë një lloj loje në të cilën Shkupi do të përdorë herë pas here një emër tjetër përveç “Maqedonia e Veriut”. A do të mundet lidershipi i VMRO-së ta ndërpresë në mënyrë të njëanshme Marrëveshjen e Prespës pa ndonjë arsye të veçantë?

Neni 20, pika 9, thotë se dispozitat e tij “do të mbeten në fuqi për një periudhë të pacaktuar kohe dhe janë të parevokueshme”. Po ashtu, theksohet se nuk do të lejohet asnjë modifikim i kësaj marrëveshjeje të përfshirë në nenin 1(pika 3) dhe nenin 1(pika4) të Kushtetutës.

Po çfarë do të thotë kjo? Që kemi një marrëveshje kuadër, e cila do të rregullojë përgjithmonë marrëdhëniet midis dy shteteve. Edhe pse të gjitha dispozitat përshkruhen shprehimisht si “të parevokueshme”, ky përshkrim kundërshtohet nga fakti se që dispozitat në veçanti përshkruhen si të pandryshueshme.

Këto janë dispozitat e kontestuara 1(3) dhe 1(4) në lidhje me përdorimin e emrit “Maqedonia e Veriut”, njohja e termit “maqedonas/qytetar i Republikës së Maqedonisë së Veriut” dhe gjuha “maqedonase”. Kjo do të thotë se të dyja palët, kanë marrë parasysh mundësinë e një sfidimit në rrugë gjyqësore të marrëveshjes.

Ata thjesht zgjodhën të mos i referoheshin një mundësie të tillë në mënyrë të hapur. Por përcaktuan se në një rast të tillë, është e pamundur të anulohen paragrafët e kontestuar 1(3) dhe 1(4) të cilët mbeten të detyrueshëm. Pra çdo ndërprerje e marrëveshjes, nuk e liron Shkupin nga detyrimi për të përdorur termin “Maqedonia e Veriut”.

Mënyra e vetme për ta ndryshuar këtë, do të ishte nëse të dyja vendet do të bien dakord të ndryshojnë të gjithë marrëveshjen me një pakt të mëvonshëm, duke përfshirë paragrafët specifikë. Por duke pasur parasysh qëndrimet e të dy palëve, një skenar i tillë nuk ka gjasa të ndodhë.

Përkundrazi, ne do të vazhdojmë të jetojmë me kontradiktën se shteti do të quhet Maqedonia e Veriut, por gjuha e tij nuk quhet maqedonishtja veriore. Atëherë, si duhet të reagojë Greqia në këto kushte? A mund të kërkojë ajo përfundimin apo pezullimin e marrëveshjes për shkak të një shkeljeje materiale të saj (neni 60 i Konventës së Vjenës për të Drejtën e Traktateve)?

Në një rast të tillë, do të përfundonte automatikisht detyrimi i Shkupit për të përdorur emrin Maqedonia e Veriut. Të mos harrojmë se dispozita e parë e Marrëveshjes së Prespës, në nenin 1(pika 1), thotë se me hyrjen e saj në fuqi, përfundon Marrëveshja e Përkohshme e vitit 1995. Pra për shkak se Marrëveshja e Prespës ka hyrë në fuqi në fillim të vitit 2019 dhe Marrëveshja e Përkohshme është shfuqizuar, s’ka më asnjë “rikthim” në emrin e vjetër IRJM.  Këtë duhet ta kenë parasysh ata grekë që shpresojnë në anulimin e marrëveshjes.

Sepse siç kanë qenë gjërat që nga fillimi i vitit 2019, një ndërprerje e marrëveshjes do ta lërë vendin e quhet “Maqedoni”. Atëherë do të humbasim edhe të vetmin përfitim që morëm nga Marrëveshja e Prespës:përdorimin e emrit “Maqedonia e Veriut”.

Nuk është e këndshme për shumë nga bashkëqytetarët tanë, por ky është realiteti që mori formë në fillim të vitit 2019, për të cilin kishin paralajmëruar edhe Demokracia e Re dhe PASOK-u në parlament, si dhe shumë analistë, përfshirë edhe unë librin që botova në atë kohë.

Kësisoj, hapi më logjik është të ndiqet procedura e përcaktuar në nenin 19 të marrëveshjes: Kur konstatohet një shkelje materiale e marrëveshjes, si në rastin e fundit, Athina duhet ta njoftojë fillimisht Shkupin për këtë gjë. Më pas, ky proces mund të përfundojë edhe në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Marrëveshja e Prespës ka shumë vështirësi. Shërbimi i interesit kombëtar dhe mbrojtja efektive e identitetit të Maqedonisë greke, kërkon zhvillimin e një politike të matur, të ftohtë dhe sistematike nga ana jonë. Kjo qasje do të na lejojë të ruajmë qëndrimin pozitiv të komunitetit ndërkombëtar, që është ndoshta leva më efektive e presionit ndaj Shkupit./ Përshtati "Pamfleti" nga "Kathimerini"

Shënim: Angelos Syrigos, deputet i partisë Demokraca së Re sot në pushtet në Greqi, dhe  profesor i asociuar i së drejtës ndërkombëtare dhe i politikës së jashtme në Universitetin Panteion të Athinës.