Bota21 Maj 2024, 18:05

Moska mesazh NATO-s, nis stërvitjen bërthamore në kufi me Ukrainën; teston raketat hipersonike

Shkruar nga Pamfleti

Moska mesazh NATO-s, nis stërvitjen bërthamore në kufi me

Ministria e Mbrojtjes nënvizoi se stërvitja zhvillohet në përgjigje të deklaratave provokuese të bëra nga zyrtarët perëndimorë...

Rusia ka provokuar sërish. Moska njofton se ka nisur stërvitje taktike të armëve bërthamore pranë Ukrainës.

Ishte Ministria e Mbrojtjes ruse që bëri te ditur se stërvitjet bërthamore pranë Ukrainës janë një përgjigje ndaj "kërcënimeve" nga Perëndimi.

"Me urdhër të komandantit të përgjithshëm, një stërvitje ushtarake që përfshin praktikën e përgatitjes dhe përdorimit të armëve bërthamore taktike filloi në rrethin ushtarak jugor nën mbikëqyrjen e Shtabit të Përgjithshëm", tha ministria.

Gjatë stërvitjes, forcat raketore do të praktikojnë përgatitjen për përdorimin e sistemeve të raketave taktike Iskander, ndërsa avionët do të kenë raketa hipersonike Kinzhal me ngarkesa speciale dhe do të shkojnë në zonën e tyre të patrullimit.

Ministria nënvizoi se stërvitja zhvillohet në përgjigje të deklaratave provokuese të bëra nga zyrtarët perëndimorë dhe synon të ruajë gatishmërinë kundër reagimit dhe të sigurojë sovranitetin kombëtar.

Roli i armëve bërthamore strategjike është t’i godasin objektivat e armikut larg vijës së frontit, ndërsa armët bërthamore taktike janë krijuar për t’u përdorur në fushat e betejës. Rusia ka arsenalin më të madh të armëve bërthamore në botë.

Më herët presidenti i Francës, Emmanuel Macron, përsëriti deklaratën se vendi i tij nuk mund ta përjashtojë dërgimin e trupave në Ukrainë, për ta ndihmuar atë në luftë.

Zyrtarët në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, u duk se i dhanë Kievit dritën jeshile për të përdorur armë me rreze të gjatë veprimi - të dërguara në Ukrainë - për të goditur objektiva brenda Rusisë.

Më herët zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se “NATO-ja po përgatitet për një konflikt të mundshëm” me Rusinë dhe përmendi stërvitjet e aleancës ushtarake Steadfast Defender si “dëshmi” për këtë. /Pamfleti