Presidenti kërcënon sërish me largim nga aleanca; ekzistojnë pengesa formale, por ato nuk janë të pakapërcyeshme…
Nëse Shtetet e Bashkuara mund të dalin nga NATO, kjo prej kohësh nuk është më një pyetje thjesht teorike. Presidenti Donald Trump e ka vënë vazhdimisht në dyshim anëtarësimin. Gjatë mandatit të tij të parë, thuhet se ai ka qenë pranë vendimit për t’u tërhequr.
Së fundmi, ai është shprehur i zhgënjyer që aleatët evropianë nuk duan ta mbështesin në konfliktin me Iranin për sigurimin e Ngushticës së Hormuzit. “Ne ndihmojmë vende të tjera dhe, nëse ato nuk na ndihmojnë, atëherë kjo është sigurisht diçka për të cilën duhet të mendojmë”, u përgjigj ai kur u pyet nëse po shqyrton një dalje nga aleanca perëndimore ushtarake. Ai e quajti mosmarrëveshjen për konfliktin me Iranin një “test të madh” për besnikërinë e aleatëve.
Nga pikëpamja formale, nuk është e vështirë të dilet nga NATO. Baza juridike e aleancës është Traktati i Atlantikut të Veriut, i cili në nenin 13 përmban një dispozitë për tërheqjen: “pas një periudhe 20-vjeçare nga hyrja në fuqi e traktatit, çdo palë mund të tërhiqet prej tij një vit pasi të ketë njoftuar për këtë qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.
Njoftimi duhet t’i bëhet qeverisë amerikane, sepse ajo është depozituesja e traktatit. Kjo do të thotë se ajo ruan dokumentet e ratifikimit të anëtarëve. Për një tërheqje, qeveria amerikane do të duhej vetëm të regjistronte një njoftim të tillë në dokumentet që vetë administron dhe të informonte anëtarët e tjerë. Afati i kërkuar prej 20 vitesh nuk përbën pengesë. Traktati u nënshkrua më 4 prill 1949 dhe kjo periudhë ka kaluar prej kohësh.
Megjithatë, në Shtetet e Bashkuara mund të lindë një përplasje ligjore dhe politike. Trump ka ndërprerë tashmë shumë marrëveshje ndërkombëtare, por Traktati i Atlantikut të Veriut ka një veçori: ai është ratifikuar me miratimin e Senatit, siç parashikon Kushtetuta.
Nga kjo, Kongresi nxjerr të drejtën për të pasur rol në çdo vendim për tërheqje. Në vitin 2023, ai miratoi një ligj sipas të cilit presidenti nuk mund ta “pezullojë, përfundojë, denoncojë ose tërheqë” SHBA-në nga traktati pa “këshillën dhe pëlqimin” e Senatit. Për këtë kërkohet miratimi i 2/3 të senatorëve ose një ligj i Kongresit. Ky rregull është vendosur qëllimisht për të mbrojtur aleancën nga veprime të njëanshme; edhe brenda Partisë Republikane ka shumë mbështetës të NATO-s.
Megjithatë, ky ligj nuk garanton plotësisht që Trump do të mbetet në aleancë kundër vullnetit të tij. Shumë presidentë kanë këmbëngulur për epërsinë e ekzekutivit në politikën e jashtme dhe kanë pretenduar se mund të marrin vendime pa ndërhyrjen e Kongresit. Në një opinion të Departamentit të Drejtësisë nga viti 2020 u argumentua se tërheqja nga traktatet ndërkombëtare është një e drejtë ekskluzive e presidentit, të cilën Kongresi nuk mund ta kufizojë me ligj. Edhe pse ky qëndrim lidhej me marrëveshjen “Open Skies”, ai është formuluar nga një administratë e drejtuar nga Trump dhe ka pak gjasa të ndryshojë në rastin e NATO-s.
Nëse Trump do të shpallte tërheqjen nga aleanca, kjo mund të çonte në një konflikt midis institucioneve kushtetuese. Nuk është e qartë nëse një mosmarrëveshje e tillë do të zgjidhej në favor të Kongresit në gjykatë. Lindin dy pyetje që kanë qenë të diskutueshme edhe në raste të tjera: kush ka të drejtë të padisë dhe nëse kjo është një çështje që gjykatat duhet ta shqyrtojnë. Në vitin 1979, Gjykata e Lartë hodhi poshtë paditë e anëtarëve të Kongresit kundër vendimit të presidentit Carter për të përfunduar një marrëveshje mbrojtjeje me Tajvanin, duke argumentuar se bëhej fjalë për një çështje politike dhe jo juridike. Procedura të tilla mund të zgjasin për një kohë të gjatë.
Në praktikë, është edhe më e rëndësishme se Trump nuk do të kishte nevojë të largohej formalisht nga NATO. Do të mjaftonte që ai të ndërpriste pjesëmarrjen e SHBA-së në aktivitetet e përditshme të aleancës. NATO funksionon mbi bazën e unanimitetit në organet e saj.
Në këtë kuadër, Trump mund të ndiqte një politikë të “karriges së zbrazët”, siç bëri Franca në vitet gjashtëdhjetë në Komunitetin Ekonomik Evropian. Ai mund të tërhiqte personelin amerikan nga strukturat drejtuese të NATO-s dhe të ndalte bashkëpunimin operacional me aleatët. Këto masa do ta paralizonin dhe dobësonin aleancën, pasi një pjesë e madhe e aftësive dhe besueshmërisë së saj në parandalim mbështetet në fuqinë ushtarake amerikane.
Nga ana tjetër, mund të jetë më e vështirë për Trump të tërheqë plotësisht ose në masë të madhe trupat amerikane nga Evropa. Në fund të vitit të kaluar, Kongresi vendosi një kufi minimal prej 76 mijë ushtarësh. Megjithatë, edhe në këtë rast, administrata mund të zgjedhë të hyjë në një përplasje ligjore, diçka që presidenti nuk e ka shmangur në raste të tjera. /Përshtatur nga FAZ/
Neni 5 i Aleances i Atlantikut te Veriut e percakton qarte qe ne se nje nga anetaret e saj goditet(sulmohet),atehere ajo,pra NATO, vepron si nje e vetme ne kunderpergjigje. Pra ,or PEDOFIL,sic e the edhe vete qe po ndihmon te tjeret,nuk u sulmuan SHBA-te,por KRIMINELET IZRAELIT te KAPEN PER HUNDE dhe te FUTEN ne CORRSOKAT.Ne fakt as vete Izraeli nuk ishte nen sulm edhe pse e meritonte per GENOCIDIN ne Gaza.
Teresa’s nga traktatet ushtarake ka dy ane , processing de facto dhe de jury , problemi dyte eshte me I veshtire dhe kerkon kohe . Ne kur dilemma nga traktati I Varshaves , solemn de fact o , po de jury ne kemi qene antar Te traktatit Te Varshaves deri kur ndodhi shperberja pra deri ne 1990 kur de facto kosher dale qe me 1968 Po lighters Teresa’s eshte e mindshare po kerkon kohe dhe migration e kushtetuten Amerikane