Bota12 Mars 2023, 20:45

A po përgatitet Aleksandër Vuçiç për sanksione ndaj Rusisë?!

Shkruar nga Pamfleti

A po përgatitet Aleksandër Vuçiç për sanksione ndaj

Presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrja Brnabiç kanë dhënë sërish sinjale se mosvendosja e sanksioneve po u kushton shumë...

Presidenti serb Aleksandar Vuçiç e ka kuptuar se marrëveshja me Kosovën nuk është kushti i vetëm që ai duhet të përmbushë për të hyrë në BE. Të gjithë e dinë se Brukseli nuk do pranonte një “Kalë Troje” nga Rusia. Për këtë arsye gjatë, gjithë këtyre ditëve po vijnë sinjale nga Beogradi se nuk do të jetë e largët dita kur do të ketë sanksione ndaj Moskës.

Në një intervistë për mediat vendase, kryeministrja Brnabiç është shprehur se qeveria dhe presidenti Aleksandër Vuçiç sot po paguajnë çmimin për mbështetjen që i kanë dhënë Vladimir Putinit.

Sipas saj, Serbia do të kishte më shumë favore nga ndërkombëtarët gjatë negociatave për Kosovën, nëse politika e jashtme do të kishte ndryshuar.

“A po na kushton mos vendosja e sanksioneve – po. Këtë çmim po e paguan edhe Serbia. Presidenti serb Aleksandar Vuçiç u tregua i sinqertë kur ua shpjegoi qytetarëve. Ne paguajmë një çmim të caktuar sepse kemi mundur të marrim një çmim më të mirë për obligacionet e qeverisë, kredi më të favorshme, më shumë investime”, tha Brnabiç për TV Prva.

Më i drejtpërdrejtë ka qenë vetë Presidenti serb Aleksandar Vuçiç. Ai tha për mediat serbe se nuk mund të zotohet se nuk do të vendosë sanksione kundër Rusisë në të ardhmen.

"Unë nuk zotohem se nuk do ta bëjmë atë (duke folur për vendosjen e sanksioneve kundër Rusisë), dhe nuk mund të zotohem pasi do të ishte e papërgjegjshme, por pozicioni ynë është aq i fortë sa nuk na është dashur ta bëjmë atë deri më tani", ai tha për “TV Happy”.

Që nga nisja e luftës në Ukrainë, Serbia nuk ka pranuar të vendosë sanksione ndaj Kremlinit.

Presidenti Aleksandër Vuçiç ka deklaruar shpesh herë se nuk mbështet luftën, por për shkak të rrethanave specifike, Rusia ka mbështetje te populli serb. Në Beograd janë zhvilluar disa herë protesta të partive nacionaliste ku mbështet pushtimi rus i Ukrainës. Gjithashtu, në radhët e mercenarëve që marrin pjesë në luftime në krah të Rusisë, nuk mungojë dhe mjaft qytetarë serbë.

Ky qëndrim i qeverisë serbe ka bërë që Bashkimi Europian disa herë të kërkojë nga Beogradi ndryshimin e linjës së politikës së jashtme. /Pamfleti

vucic putin serbi beograd sanksione