
Kriza në SYRIZA po thellohet, ndërsa 4 deputetë kanë njoftuar largimin nga grupi parlamentar, duke shtuar presionin mbi drejtimin e partisë.
I fundit që shpalli pavarësinë politike ishte deputeti i Korinthit, Giorgos Psychogios, i cili u bë deputeti i tretë që largohet nga SYRIZA brenda ditës. Më herët të njëjtin vendim morën edhe Panagiotopoulos dhe Gavrilos, ndërsa mediat greke raportojnë se priten largime të tjera në orët në vijim.
Ndërsa një ditë më parë dha dorëheqjen edhe Symeon Kedikoglou.
Procesi kishte nisur me dorëheqjen e deputetit të Atikës Lindore, Giorgos Karameros, i cili hoqi dorë nga mandati parlamentar për t'iu bashkuar projektit të ri politik të ish-kryeministrit Alexis Tsipras.
Edhe deputetja e Selanikut, Katerina Notopoulou, dorëzoi mandatin e saj, duke deklaruar mbështetjen për iniciativën e re politike të Tsipras.
Vetë Alexis Tsipras kishte dhënë dorëheqjen nga mandati i deputetit më 6 tetor 2025, duke ia paraqitur vendimin kryetarit të Parlamentit grek, si pjesë e përgatitjeve për krijimin e formacionit të tij të ri politik.
Përveç deputetëve, brenda 48 orëve të fundit kanë dhënë dorëheqjen edhe disa prej figurave më të rëndësishme të ashtuquajturit "grupi presidencial" i SYRIZA-s.
Mes tyre janë zëvendëssekretarja e partisë Anastasia Sapouna, anëtari i Byrosë Politike Giannis Mantzouranis, i cili është larguar plotësisht nga partia, sekretari i Rinisë Panos Lambrinidis-Stahtos, sekretarja organizative Eleni Symeonidou, si dhe anëtaret e Byrosë Politike Gkely Visviki, Despina Sinou dhe Stamatia Tsoumea.
Largimet masive po konsiderohen si tregues i përçarjes së thellë në SYRIZA dhe i rreshtimit të një pjese të rëndësishme të strukturave të partisë pas nismës së re politike të Alexis Tsipras.
Lini një Përgjigje