Uashingtoni dhe Teherani shprehin optimizëm për arritjen e një marrëveshjeje, ndërsa zyrtarët iranianë thonë se diskutimet e brendshme kanë hyrë në fazën përfundimtare...
Shtetet e Bashkuara dhe Irani deklarojnë se janë pranë arritjes së një marrëveshjeje, megjithëse vazhdojnë të ekzistojnë mospërputhje në raportimet mbi detajet e saj.
Sipas burimeve të Shtëpisë së Bardhë, pas arritjes së një mirëkuptimi fillestar pritet të zhvillohen edhe 60 ditë negociata të mëtejshme për finalizimin e çështjeve të mbetura pezull. Nga ana tjetër, zyrtarët iranianë konfirmojnë se diskutimet e brendshme mbi kushtet e marrëveshjes me Uashingtonin ndodhen në fazën e fundit.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, deklaroi të premten se shumica e çështjeve janë sqaruar dhe se konsultimet e brendshme po vazhdojnë. “Deri tani është arritur mirëkuptim për shumicën e çështjeve dhe ndodhemi në fazën përfundimtare të konsultimeve të brendshme”, citohet të ketë thënë Baghaei nga mediat shtetërore iraniane.
Ai shtoi se Teherani po monitoron nga afër qëndrimet e palës amerikane dhe do të përcaktojë pozicionin e tij në varësi të zhvillimeve diplomatike.
“Edhe në këtë moment që po flasim, po zhvillohen takime ndërmjet institucioneve kompetente”, tha ai.
Sipas Baghaeit, koha, vendi dhe detajet e njoftimit të marrëveshjes do të varen nga ecuria e procesit diplomatik. Ndërkohë, një zyrtar amerikan deklaroi se marrëveshja që po finalizohet mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit “përfshin gjithashtu edhe Libanin”, pa dhënë detaje të mëtejshme mbi këtë aspekt.
Lini një Përgjigje