Papa Leone XIV në homelinë e Vigjiljes së Pashkëve tha se “edhe ne mund të ndërtojmë një botë të re, me paqe dhe unitet”
Bota e shkatërruar nga luftërat dhe padrejtësitë rikthehet në fjalët e Papës. Në Vigjiljen e Pashkëve, Leone XIV përsërit apelin e tij për “të mos u paralizuar” nga e keqja. Sepse gurët mund të rrokullisen edhe nga varret tona.
Ati i Shenjtë rendit të këqijat e kohës sonë: “mosbesimi, frika, egoizmi, mllefi”, si dhe “lufta, padrejtësia, mbyllja mes popujve dhe kombeve”. Janë blloqe të mëdha, gurë “aq të rëndë dhe të ruajtur mirë sa duken të palëvizshëm”.
Por nuk është kështu, thekson Papa, sepse “shumë burra dhe gra, gjatë shekujve, me ndihmën e Zotit, i kanë rrokullisur këta gurë, ndonjëherë me shumë mundim, madje edhe me çmimin e jetës, por me fryte të mira nga të cilat përfitojmë ende sot”. Ai shton se këta njerëz “patën guximin të flasin” me “fjalët e Zotit”.
Prandaj, vjen thirrja për të parë një rrugëdalje. “Le të frymëzohemi nga shembulli i tyre dhe në këtë natë të shenjtë ta bëjmë tonin angazhimin e tyre, që kudo dhe gjithmonë, në botë, të rriten dhe të lulëzojnë dhuratat e Pashkëve: harmonia dhe paqja”, shprehet ai.
Mesha nisi në mënyrë solemne në orën 21:00, në atriumin e Bazilikës së Shën Pjetrit, me bekimin e zjarrit dhe përgatitjen e qiririt të Pashkëve. Më pas vijoi procesioni drejt altarit me qiririn e ndezur dhe këndimi i “Exsultet”. Pas kësaj u zhvillua Liturgjia e Fjalës, me rikthimin e traditës së nëntë leximeve, të cilat Papa Françesku i kishte reduktuar në pesë.
Gjithashtu u rikthye edhe orari tradicional i mbrëmjes për vigjiljen, pasi dy papët e fundit e kishin zhvendosur meshën në orët e pasdites.
Gjatë meshës, Papa Leone XIV pagëzoi dhjetë të rritur: pesë nga dioqeza e Romës, dy nga Portugalia, dy nga Britania e Madhe dhe një nga Koreja.
Pas Udhës së Kryqit, e përqendruar te plagët e shkaktuara nga luftërat, edhe nata e Pashkëve, e para për Leone XIV, reflekton mbi momentin e vështirë që po kalon bota dhe mbi nevojën për të kërkuar rrugë dialogu dhe pajtimi, edhe aty ku ato duken të pamundura.
“Nata e shenjtë shpërndan urrejtjen, përkul ngurtësinë e të fuqishmëve, nxit harmoninë dhe paqen”, theksoi Papa në fillim të homelisë, duke risjellë fjalët e himnit liturgjik të Vigjiljes së Pashkëve, sepse “Zoti, përballë ngurtësisë së mëkatit që ndan dhe vret, përgjigjet me fuqinë e dashurisë që bashkon dhe rikthen jetën”.
Në këtë kuadër, Papa fton: “Edhe ne mund të ndërtojmë një botë të re, me paqe dhe unitet”.
Konferenca Ipeshkvnore Italiane, në mesazhin e saj të Pashkëve, thekson se “nuk mund të mësohemi” me luftërat dhe dhunën, ndërsa Pashkët kujtojnë se “e keqja nuk ka fjalën e fundit”.
Ndërkohë, kardinali Pierbattista Pizzaballa, nga Jerusalemi, deklaron në homelinë e tij: “Zoti nuk pret që luftërat tona të mbarojnë për të filluar të ringjallë jetën. Ai fillon në errësirë. Fillon në heshtje. Fillon në një varr ende të mbyllur”.
Sot, Papa Leone XIV do të kremtojë meshën e Pashkëve në Sheshin e Shën Pjetrit, e cila do të përmbyllet me bekimin tradicional “Urbi et Orbi”, drejtuar qytetit dhe botës, gjatë së cilës pritet një apel i ri kundër të gjitha luftërave.
Lini një Përgjigje