
Ajo ëndërronte një të ardhme në Itali, një rrugë që kishte nisur para 14 vitesh kur kishte mbërritur në Rimini me nënën, për t’u bashkuar me babain. Sot është 20 vjeçe, moshë normale për dikë që ka ardhur nga larg, nga Bangladeshi, dhe ka jetuar si shumë bashkëmoshatarë të saj: shkollë, shoqëri, dashuri. Por prindërit kishin plane të tjera: fillimisht e detyruan të udhëtonte në Daka, nën pretekstin se gjyshja ishte sëmurë, e më pas e shtynë drejt një martese të detyruar dhe përpjekjeve të vazhdueshme për ta bërë me fëmijë kundër vullnetit të saj.
"I përket burrit tënd dhe duhet të ngelësh shtatzënë", i përsëriste nëna. "Nuk kthehesh në Itali pa mbetur shtatzënë, duhet të bësh vetëm atë që themi ne", shtonte i ati. Prindërit, përkatësisht 43 dhe 55 vjeç, u arrestuan më 1 tetor dhe u vendosën në arrest shtëpie në qytetin e Rimin-it. Prokuroria e Riminit i akuzon për nxitje të martesës së detyruar dhe keqtrajtime, në kuadër të operacionit të quajtur “Saman 2”, një referencë e qartë ndaj rastit tragjik të Saman Abbas, 18-vjeçares pakistaneze të vrarë nga familjarët në Itali për refuzimin e një martese të imponuar.
“Pasi mbërrita në Daka, më morën telefonin dhe kartën bankare. Më detyruan të vishja hixhabin, të hiqja dorë nga xhinset dhe bluzat, më kërcënuan”, tregoi e reja. Gjoja për të parë gjyshen e sëmurë, ajo u çua në një shtëpi ku shumë “kanditatë” trokisnin derën, të gjithë të përzgjedhur nga prindërit. "Duhej të sillnin CV të vërteta dhe të tregonin autoritetin e tyre. Por babai zgjodhi menjëherë djalin e një miku të tij, i bindur, i pëlqyeshëm, dhe i gatshëm të bëhej si djali që ai nuk kishte pasur kurrë".
Djali i zgjedhur ishte shumë më i madh, kishte jetuar 20 vjet në Malajzi dhe u kthye në Daka për martesë. Ceremonia u organizua për pesë ditë në dhjetor 2024, me dhurata të arta nga dhëndri dhe shpenzimet e mbuluara nga familja e vajzës. Por ajo nuk e donte këtë njeri. "Qava pa pushim ditën e dasmës, por të gjithë mendonin se ishin lot gëzimi", tha ajo. Gjatë natës së parë, refuzoi marrëdhënien seksuale dhe kur ai reagoi, e kërcënoi me kallëzim për shpifje nëse nuk pranonin jetën bashkëshortore. Ajo bëri dushin ritual të “pastrimit”, ai jo, një mënyrë për t’i treguar familjes që martesa nuk ishte “konsumuar”.
Më pas, filluan përpjekjet për ta lënë shtatzënë me çdo kusht. Prindërit i jepnin ilaçe qetësuese dhe medikamente për fertilitet, ndërsa ajo fshehurazi merrte pilula kundër shtatzënisë. "Nëna kishte hyrë në një garë me hallën time, për të më bindur të martohesha", tha ajo. Ndërsa për të atin ishte çështje nderi dhe dominimi: "Një martesë me një burrë të pasur do të tregonte status përpara komunitetit. Refuzimi do të ishte turp".
Babai, që udhëtonte shpesh mes Italisë dhe Bangladeshit, e përhapi “lajmin e suksesit” në komunitetin bengalez në Rimini, duke shpërndarë ëmbëlsira për të treguar se ia kishte dalë ta martonte vajzën me forcë.
Ndërkohë, në Daka, vajza raportoi përdhunime të përsëritura nga bashkëshorti me qëllim që të ngelte shtatzënë. "Babai i kishte thënë nënës të më lidhte në shtrat dhe të më thyente kockat nëse tentoja të ikja". Në derën e dhomës u vunë dryna. Por mes janarit dhe shkurtit, duke simuluar pajtueshmëri, ajo arriti të bindte nënën ta kthente në Itali, duke u justifikuar se donte të kishte një shtatzëni të qetë. Në të vërtetë, ishte në kontakt me qendrën e këshillimit në Rimini, përmes një shoqeje.
Menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Marconi në Bolonjë, karabinierët ishin aty për ta marrë. Vajza u dërgua në një vend të mbrojtur. Nëna, e liruar përkohësisht për shkak të hetimeve, njoftoi të atin, i cili nisi ta kërcënonte vajzën me audio-mesazhe kërcënuese në ËhatsApp. "Mallkimi i një nëne të ngjitet në eshtra", i përsëriste ajo. Ndërsa babai i thoshte: "Në barkun tim ka lindur një gjarpër helmues i zi, do ta shohësh sa herë që të vuash".
Sot, e reja 20-vjeçare jeton në një qytet të panjohur nën mbrojtje shtetërore, në pritje që drejtësia të bëjë punën e saj. Prindërit mbeten në arrest shtëpie, por hija e këtij abuzimi nuk largohet lehtë. /Corriere Della Sera
Lini një Përgjigje