Evropa Lindore kërkon përplasje me Rusinë, Franca dhe Gjermania bëjnë thirrje për kujdes. Asnjë vendim konkret, shumë fjalë boshe...
Më 1 tetor, liderët e Bashkimit Europian u mblodhën në Kështjellën Christiansborg në Kopenhagë për një samit informal të Këshillit Europian, me synimin e shpallur për të diskutuar forcimin e mbrojtjes së përbashkët europiane dhe mbështetjen për Ukrainën. Takimi, i kryesuar nga presidenti i Këshillit Europian António Costa dhe i organizuar nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen, përfundoi si një tjetër dështim diplomatik pa rezultate të prekshme.
Sipas "Politico", sesioni i dedikuar mbrojtjes, që fillimisht ishte planifikuar të zgjaste dy orë, u shty në kohë për shkak të pjesëmarrjes aktive të të gjithë liderëve, të cilët befasuan mikpritësit danezë duke dalë nga fjalimet e përgatitura dhe duke hyrë në diskutime të gjata. Por kjo dinamikë nuk solli asnjë përparim të dukshëm. Përkundrazi, siç shkruan "Berliner Zeitung", dolën në pah përçarje të thella midis vendeve të Evropës Lindore, që kërkojnë qasje më agresive kundër Rusisë, dhe vendeve themeluese si Gjermania dhe Franca, të cilat, pavarësisht retorikës së ashpërsuar së fundmi, vazhdojnë të këmbëngulin për kujdes dhe ekuilibër.
Një nga çështjet më të ndjeshme të diskutimit ishte ajo e përdorimit të aseteve të ngrira ruse për të financuar luftën në Ukrainë. Kryeministrja daneze Frederiksen u shpreh hapur në favor të kësaj ideje, ndërsa presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen propozoi që interesat e gjeneruara nga këto fonde të përdoren për një fond ndihmash dhe armatimesh për Kievin. Megjithatë, presidenti francez Emmanuel Macron kundërshtoi fuqishëm këtë qasje, duke paralajmëruar se mund të minojë besueshmërinë e institucioneve financiare europiane dhe të trembë investitorët. Franca propozon në vend të kësaj emetimin e kredive të përbashkëta në tregjet financiare, me synimin për të ndarë barrën në mënyrë të barabartë dhe për të mbrojtur buxhetin e saj kombëtar. Edhe Luksemburgu, përmes kryeministrit Luc Frieden, ngriti dyshime për kthimin e mundshëm të këtyre kredive dhe rrezikun që mund të krijohet një precedent i rrezikshëm.
Përçarje të mëdha u shfaqën edhe në lidhje me mbrojtjen e hapësirës ajrore nga dronët rusë. Danimarka, Letonia dhe Lituania kërkuan veprime të menjëhershme, duke propozuar ndërtimin e një “muri dronësh”, që do të krijonte një rrjet teknologjik për të zbuluar dhe rrëzuar dronë armikë në përgjigje të inkursioneve në hapësirat ajrore të Polonisë dhe Rumanisë. Plani përfshin përdorimin e radarëve, sensorëve dhe armëve anti-dron për të identifikuar dhe neutralizuar objektivat. Por ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, u shpreh skeptik duke e quajtur këtë projekt “shumë të vagullt” në lidhje me përmasat dhe koston e tij. Diplomatë të tjerë ngritën shqetësimin se një rrjet i tillë mund të dublonte infrastrukturën ekzistuese të NATO-s.
Pjesa e dytë e axhendës, që duhej të fokusohej te mbështetja për Ukrainën dhe përshpejtimi i integrimit të saj në BE, u shty dhe u trajtua vetëm në një orë në fund të samitit. António Costa ishte gati të paraqiste plane për të thjeshtuar rregullat e BE-së dhe për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit të Ukrainës, duke anashkaluar veton e kryeministrit hungarez Viktor Orbán. Por, sipas burimeve të brendshme, kjo çështje gati nuk u prek fare, përveç kohës së përdorur nga Orbán për ta kritikuar ashpër. "Samiti", shkruan Politico, "ra në bllokimin e zakonshëm". Si gjithmonë, shumë retorikë, zero veprim konkret. /Përshtatur nga “Inside Over”
"Hëngrëm pimë sa u dhjemë, morras ishim e morras mbemë".