TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shtator 2025, 18:48

Batisja e Trump te “Hyndai” zemëron Seulin, qeveria koreane zhvillon takim urgjent

Shkruar nga Pamfleti

Batisja e Trump te “Hyndai” zemëron Seulin, qeveria koreane

Qeveria e Koresë së Jugut ka mbajtur një takim emergjent pas arrestimit të qindra shtetasve të saj gjatë një operacioni masiv emigracioni në një fabrikë të Hyundai dhe LG Energy Solution në shtetin amerikan të Gjeorgjisë.

Autoritetet amerikane konfirmuan se rreth 475 persona, shumica koreanë, u kapën duke punuar në mënyrë të paligjshme në impiantin e baterive, një ndër investimet më të mëdha të huaja në rajon.

Pamjet e publikuara nga ICE (Immigration and Customs Enforcement) tregojnë punëtorë aziatikë të lidhur me pranga, disa me jelekë të verdhë ku shkruhej “Hyundai” dhe “LG CNS”.

Presidenti Donald Trump mbrojti operacionin duke thënë: “Ata ishin emigrantë të paligjshëm dhe ICE thjesht bëri detyrën e saj. Ky është një mesazh i qartë për të mbrojtur punëtorët amerikanë.”

Agjencia amerikane e hetimeve për sigurinë (HSI) e quajti aksionin të domosdoshëm për të frenuar abuzimin me vizat afatshkurtra dhe për të parandaluar shfrytëzimin e sistemit të emigracionit.

Ministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun, tha se ndjen një “përgjegjësi të madhe” për arrestimin e qytetarëve të vendit të tij dhe udhëhoqi një mbledhje emergjente mbi çështjen. Ai njoftoi dërgimin e diplomatëve në Gjeorgji dhe ngritjen e një ekipi të posaçëm për menaxhimin e krizës. Ministri nuk përjashtoi mundësinë e një vizite urgjente në Uashington.

Ndërkohë, kompania LG Energy Solution tha se po pezullon shumicën e udhëtimeve të biznesit drejt SHBA-së, në pritje të zhvillimeve të mëtejshme.

Ngjarja vjen në një moment kritik, kur SHBA dhe Koreja e Jugut janë të përfshira në bisedime delikate tregtare, ndërkohë që Seuli ka premtuar dhjetëra miliarda dollarë investime në prodhimtarinë amerikane për të balancuar tarifat e vendosura nga Uashingtoni.

Trump, nga njëra anë, ka nxitur fuqishëm investimet e huaja në industri amerikane, ndërsa nga ana tjetër ka shtrënguar ndjeshëm politikat e vizave për punonjësit e kompanive të huaja.

Shumë nga të arrestuarit ishin në SHBA me viza biznesi, turistike apo përmes programit të heqjes së vizave (Visa Waiver Program), të cilat nuk autorizojnë punë aktive në territorin amerikan.

Lini një Përgjigje