TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 6 Shtator 2025, 16:30

Britania e Farage: Gratë afgane drejt talebanëve, fëmijët ‘në diskutim’!

Shkruar nga Pamfleti

Britania e Farage: Gratë afgane drejt talebanëve, fëmijët

Lideri i Reform UK konfirmon kthesën ekstreme të politikës së emigracionit: Gratë dhe burrat do të deportohen, fëmijët “mund të diskutohen”...

Nigel Farage, kreu i partisë britanike Reform UK, ka deklaruar hapur se nëse bëhet kryeministër, do të deportojë gratë azilkërkuese që vijnë nga Afganistani, pavarësisht se do të përballen me regjimin brutal të talebanëve. Ky është një kthim i fortë nga deklaratat e mëparshme të Farage, i cili kishte pohuar se nuk do të dërgonte mbrapsht gratë në një regjim fundamentalist islamik.

Gjatë një interviste me redaktoren politike të Sky News, Beth Rigby, në konferencën e partisë Reform UK në Birmingham, Farage u pyet nëse do të “ndalonte dhe deportonte” gra dhe fëmijë. Përgjigja e tij ishte e drejtpërdrejtë: “Po”.

Kur u konfrontua me deklaratën e tij të gushtit, ku thoshte se nuk po diskutonte për gratë dhe fëmijët, Farage pretendoi se atëherë i referohej vetëm burrave emigrantë. Ai kishte thënë më parë: “Ka aq shumë meshkuj ilegalë në Britani, nuk jemi ende në fazën për të diskutuar për gratë dhe fëmijët”.

Por këtë herë ai ishte i qartë: “Ata që kalojnë Kanalin anglez, burra dhe gra, do të ndalohen dhe do të deportohen. Për fëmijët, do të mendojmë...”.

Manipulime me premtime

Një tjetër kthesë e habitshme e Farage ishte në lidhje me premtimin e tij se do të ndalonte anijet me emigrantë brenda dy javësh nga marrja e pushtetit. Gjatë fjalës në konferencën e partisë, ai tha qartë: “Nuk mund të vish ilegalisht këtu dhe të rrish – do i ndalim anijet brenda dy javësh nga marrja e qeverisë”.

Por në intervistën me Rigby, ai ndryshoi tonin, duke thënë se duhej “miratimi i legjislacionit” për të realizuar këtë gjë.

Në përpjekje për të mohuar premtimin e mëparshëm, Farage tha se nuk kishte thënë “brenda dy javësh nga marrja e pushtetit”. Megjithatë, videoja dhe transkripti zyrtar i Reform UK tregojnë të kundërtën.

Farage tha se do të miratojë një ligj të ri të quajtur “Akt për Migracionin e Paligjshëm”, që do të përfshijë:

-Daljen nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut;

-Mbylljen e hoteleve për azilkërkues;

-Strehimin e tyre në baza ushtarake;

-Fillimin e fluturimeve të deportimit brenda dy javësh nga miratimi i ligjit.

Sipas tij, ky kombinim masash do të frenojë valën e emigrantëve që nisen nga Franca.

Shpresa e Farage për pushtet: Pret rrëzimin e qeverisë britanike në 2027

Edhe pse zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme pritet të mbahen në 2029, Farage pretendon se qeveria britanike do të rrëzohet në vitin 2027 për shkak të krizave ekonomike dhe sociale. Reform UK po përpiqet të fitojë terren në zgjedhjet lokale të 2026 në Uells, Skoci dhe Angli, duke synuar kontrollin e këshillave lokalë dhe asambleve kombëtare. /Përshtatur nga "Sky News"

Lini një Përgjigje