TAGS-AT E JAVËS

Politike22 Maj 2023, 14:40

Beleri pritet të dalë para gjyqit, Dendias dhe Xhaçka takim “kokë më kokë” në Bruksel

Shkruar nga Pamfleti
Beleri pritet të dalë para gjyqit, Dendias dhe Xhaçka takim
Nikos Dendias me homologen shqiptare Olta Xhaçka

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias është takuar ditën e sotme pas mbledhjes së Këshillit të Punëve të Jashtëm të BE-së, me homologen shqiptare Olta Xhaçka.

Lajmi u bë publik nga vet kryediplomati grek, i cili shpërndau dhe një foto nga takimi “kokë më kokë” që pati me ministren Xhaçka në Bruksel.

Në reagimin e tij në Twitter, Dendias, theksoi se temë e diskutimit ishte dhe arrestimi i kryetarit të zgjedhur të Bashkisë së Himarës, Fredi Beleri.

“Në margjinat e takimit të sotëm të Këshillit të Punëve të Jashtëm të BE-së, u takova me homologen e Shqipërisë Olta Xhaçka. Gjatë diskutimit u ngrit edhe çështja që ka të bëjë me kryetarin e zgjedhur të Bashkisë Himare, Fredi Beleri”, tha Dendias.

Ndërkohë Fredi Bejleri është transferuar ditën e djeshme nga paraburgimi i Vlorës për në paraburgimin 313 në Tiranë.

Sot pritet të zhvillohet në GJKKO seanca e rivlerësimit të masës së sigurisë “Arrest me burg”, e dhënë nga gjykata e Vlorës një ditë përpara zgjedhjeve lokale. Ndërsa i arrestuari tjetër Pandeli Kokaveshi vazhdon të qëndrojë në spital pas problemeve me zemrën.

Gjyqtare e çështjes në seancën që do të mbahet në GJKKO, në orën 13:00, është Atalanta Zeqiri, ndërsa do të përfaqësojë organin e akuzës (SPAK), Dorina Bejko.

Beleri u arrestua gjatë orëve të para të mëngjesit të së premtes, 12 maj, dy ditë përpara zgjedhjeve, nën dyshimet si i përfshirë në shit-blerjen e votave.

Beleri ndodhej në ambientet e restorantit të tij në Himarë kur u shoqërua ne polici.

Ai u shoqërua nga efektivë të prokurorise Vlorë, në drejtim të komisariatit dhe më pas u transferua në komisariatin e Vlorës.

Bashkë me Belerin u shoqëruan dhe dy persona të tjerë, Pandeli Kokaveshi, pjesë e shtabit elektoral të Fredi Belerit dhe avokati i tij. Kokaveshi vuante nga problemet e zemrës, dhe disa orë pas shoqërimit të tij në polici është thirrur ambulanca që e ka marrë dhe e ka transferuar drejt spitalit pasi ka shfaqur probleme.

Pas tre orësh nga shoqërimi u lirua avokati personal i Fredi Belerit, i cili u shoqërua gjithashtu në prokurori.

Në fletën e arrestit të lëshuar ndaj Belerit theksohet se ai u ndalua në flagrancë duke blerë vota, ndërkohë që në dosjen e prokurorisë thuhet se blerja e votave është kryer nga Kokaveshi në ambientet e tualetit të një lokali në mesditë dhe jo në momentin e arrestimit.

nikos dendias olta xhaçka bruksel

Lini një Përgjigje