
A rrezikon Nju Jorku tatëpjetën nga lufta Mamdani & Trump?
Dy politikanë të aftë, por me ide radikale, po përgatiten të përmbysin skenën politike të qytetit më të madh të Amerikës.
Më 4 nëntor, Zohran Mamdani, një 34-vjeçar i krahut të majtë, pritet të fitojë pa vështirësi zgjedhjet për kryetar bashkie të Nju Jorkut, me premtimin për programe të reja sociale që do të financohen nga taksimi i të pasurve.
Ndërkohë, Donald Trump, presidenti 79-vjeçar i SHBA-së, ka paralajmëruar se do të “vërë rregull” në qytetin e tij të lindjes, duke kërcënuar të dërgojë më shumë agjentë federalë dhe të pezullojë fondet për Nju Jorkun.
Planet e Mamdanit konsiderohen nga analistët si politikisht jorealiste, ndërsa ato të Trump-it përbëjnë një kërcënim të drejtpërdrejtë për qytetin, dhe ndoshta edhe për ligjin. Presidenti ka folur për një shtrirje të operacioneve kundër emigracionit, duke sjellë në Nju Jork të njëjtat taktika agresive që ka përdorur në Çikago dhe qytete të tjera të drejtuara nga demokratët. Përplasja mes këtyre dy figurave pritet të jetë dramatike, me Nju Jorkun si skena dhe viktimë e betejës politike.
Nju Jorku ka një rëndësi që shkon shumë përtej kufijve të vet. Është motori ekonomik i Amerikës, me mbi $2.3 trilionë ekonomi metropolitane, më shumë se ajo e Kanadasë, dhe përbën rreth 9% të ekonomisë kombëtare. Ai është qendra e financave, shërbimeve profesionale, mediave dhe gjithnjë e më shumë e teknologjisë dhe kërkimeve mjekësore.
Politikisht, qyteti është një qendër ndikimi të pazëvendësueshme. Megjithëse Manhattan mbetet bastion demokrat, donatorët e tij kontribuojnë më shumë për fushatat federale sesa çdo qytet tjetër pas Uashingtonit. Shtëpia e Bardhë, për herë të parë që nga koha e Franklin D. Roosevelt, drejtohet nga një rrjet figurash me origjinë nga Nju Jorku, përfshirë vetë Trump-in, të dërguarin e tij për paqe Steve Witkoff dhe sekretarin e Tregtisë Howard Lutnick. Nga ana tjetër, Chuck Schumer dhe Hakeem Jeffries, gjithashtu nga Nju Jorku, udhëheqin demokratët në Senat dhe në Dhomën e Përfaqësuesve.
Por modeli ekonomik i Nju Jorkut po çahet. Një përqindësh i qytetarëve siguron mbi 40% të të ardhurave nga tatimi mbi të ardhurat, ndërsa shumë nga të pasurit po largohen dhe punët e paguara mirë po pakësohen. Ndërkohë, jeta për qytetarët e zakonshëm është bërë e papërballueshme: qiratë mesatare janë mbi dyfishin e mesatares kombëtare; çmimi i kujdesit për fëmijët ka arritur në 26 mijë dollarë në vit, 40% më shumë se pesë vite më parë. Me këtë bazë të brishtë tatimore, shteti i Nju Jorkut do ta ketë të vështirë të mbajë programet sociale dhe arsimore, të cilat kushtojnë 72% më shumë për frymë se në Teksas.
Në kujtesën kolektive, kryebashkiaku i fundit efektiv mbetet Michael Bloomberg, teknokratik dhe i zoti, por pa karizmë politike. Sot, qytetarët kërkojnë diçka tjetër, politikë me emocion dhe gjuhë popullore. Trump mori një përqindje më të lartë votash në zgjedhjet e fundit sesa çdo republikan tjetër në dekada, ndërsa Mamdani, me aftësinë e tij për komunikim dhe tonin “anti-establishment”, fitoi bindshëm ndaj ish-guvernatorit Andrew Cuomo në primaret demokrate. Dikur kritikat e tij ndaj Izraelit do ta kishin diskualifikuar, sot ato i japin një imazh autenticiteti për shumë votues.
Por, sipas vëzhguesve, të dy rrezikojnë ta përkeqësojnë gjendjen e qytetit. Mamdani premton kujdes fëmijësh falas, transport publik pa pagesë, pagë minimale 30 dollarë/orë deri në vitin 2030, dhe bllokim të qirave për katër vjet për 2 milionë banorë. Qëllimi për ta bërë qytetin më të përballueshëm është i lavdërueshëm, por mjetet e tij janë ekonomikisht të dëmshme. Transporti falas do të çonte në shërbim më të keq; pagat e larta do të trembnin punëdhënësit; ngrirja e qirave për disa do të rriste kostot për të tjerët.
Për të financuar këto programe, Mamdani duhet të bashkëpunojë me shtetin për të rritur taksat mbi të pasurit, gjë që do të përshpejtonte largimin e tyre dhe mund të fuste qytetin në një spiral fiskal vetëshkatërrues. Ndërkohë, problemet reale, burokracia e fryrë, sindikatat publike dhe rregulloret e tepërta, do të mbeteshin të paprekura.
Trump përfaqëson një rrezik më të drejtpërdrejtë dhe autoritar. Ai ka kërcënuar të pezullojë fondet federale që përbëjnë 6.4% të buxhetit të Nju Jorkut. Ligjërisht ai nuk mund ta bëjë këtë pa miratimin e Kongresit, por ka treguar se nuk ngurron të veprojë jashtë ligjit, siç bëri duke ngrirë 18 miliardë dollarë fonde infrastrukturore gjatë bllokimit qeveritar. Një ofensivë e re ndaj emigrantëve mund të shkaktonte trazira dhe t’i jepte atij justifikimin për të dërguar Gardën Kombëtare në rrugët e qytetit.
Ndërsa fitorja e Mamdanit duket e sigurt, ai po përpiqet të zbutë tonet dhe të shfaqet më moderat. Nju Jorku duhet të shpresojë se kjo nuk është vetëm një taktikë elektorale dhe se Trump do të kuptojë se përplasja me qytetin e tij mund t’i kushtojë më shumë sesa do të fitojë.
Në fund, Nju Jorku dhe SHBA do të kishin më shumë për të fituar nëse qyteti do të bëhej laboratori i një politike pragmatike, jo i ekstremizmit të majtë apo autoritarizmit të djathtë. Në një metropol kaq kompleks, vetëm një drejtues i matur mund të çlirojë zhvillimin urban, të thjeshtojë rregullat dhe të nxisë mundësi të reja: nga transporti publik te arsimi.
Frika është se Nju Jorku po kthehet në arenën e një përplasjeje mes dy burrave me ide të këqija. /Përshtati “Pamfleti” nga “The Economist”
Nuk fiton me e djadha por emajta.