Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka emëruar gjeneralmajorin 43-vjeçar Mykhailo Drapati si komandant të ri të Forcave të Armatosura të Ukrainës, duke zëvendësuar gjeneralin Oleksandr Syrsky. Vendimi përbën riorganizimin më të madh të udhëheqjes ushtarake që nga fillimi i pushtimit rus në vitin 2022.
Ndryshimi vjen pas disa ditësh protestash në Kiev dhe qytete të tjera, të nxitura nga ndryshimet në kabinetin qeveritar. Reagimet u përqendruan te largimi i ish-ministrit të Mbrojtjes, Mykhailo Fedorov, një vendim që kritikët e cilësuan si politik dhe potencialisht të dëmshëm për përpjekjet e Ukrainës në luftë.
Për të ulur tensionet, Zelensky njoftoi se Fedorov do të rikthehet në qeveri, megjithëse ende nuk është bërë publike detyra që ai do të marrë. Sipas raportimeve, Fedorov synon të rikthehet në Ministrinë e Mbrojtjes, post që aktualisht mbahet nga ish-komandanti i operacioneve speciale, Yevhen Khmara.
"Kemi bërë një rrugë të gjatë. Mbrojtja e Ukrainës vazhdon dhe çdo ushtar meriton të trajtohet me respekt", deklaroi Zelensky, duke falënderuar Syrskyn për kontributin e tij në drejtimin e ushtrisë.
Syrsky, i cili udhëhoqi mbrojtjen e Kievit në muajt e parë të pushtimit rus dhe drejtonte ushtrinë që nga fillimi i vitit 2024, ishte përballur me kritika për mënyrën e komandimit dhe disa vendime operative që, sipas kritikëve, shkaktuan humbje të panevojshme në radhët e forcave ukrainase.
Pasardhësi i tij, Mykhailo Drapati, konsiderohet një nga komandantët më të aftë të ushtrisë ukrainase. Me mbi një dekadë përvojë në luftimet kundër forcave ruse, ai njihet për mbështetjen e modernizimit të ushtrisë dhe përdorimit të teknologjive të reja. Media ukrainase Babel e ka cilësuar atë si një nga komandantët më efektivë në fushën e betejës, duke theksuar se roli i tij do të fokusohet edhe në reformimin e strukturave ushtarake.
Lini një Përgjigje