TAGS-AT E JAVËS

Rajoni dhe Bota 1 Nëntor 2025, 18:13

Reklama që “hodhi në erë” negociatat tregtare, kryeministri i Kanadasë i kërkon falje Donald Trump

Shkruar nga Pamfleti

Reklama që “hodhi në erë” negociatat tregtare,

Kryeministri kanadez Mark Carney i ka kërkuar falje Presidentit amerikan Donald Trump, pas transmetimit të një reklame televizive, e cila ndezi dhe ndërpreu negociatat tregtare mes dy vendeve.

Reklama, e financuar nga qeveria e Ontarios, përfshinte një fragment të redaktuar nga një fjalim radiofonik i ish-presidentit Ronald Reagan në vitin 1987, ku ai kritikonte tarifat tregtare, duke paralajmëruar se ato “dëmtojnë çdo punëtor dhe konsumator amerikan”.

Trump reagoi ashpër, duke e quajtur reklamën “të rreme” dhe urdhëroi pezullimin e bisedimeve tregtare, si dhe rritjen e tarifave ndaj mallrave kanadeze

Duke folur me gazetarët gjatë një vizite në Korenë e Jugut, Carney konfirmoi se kishte folur privatisht me Trump gjatë një darke zyrtare dhe se i kishte kërkuar falje personalisht.

“Vendimi për ta transmetuar reklamën nuk ishte diçka që unë do ta kisha bërë. Për këtë arsye, i kërkova falje Presidentit Trump. Si kryeministër, mbaj përgjegjësinë për marrëdhënien me Shtetet e Bashkuara,” tha Carney

Ai shtoi se reklama ishte diskutuar paraprakisht me kryeministrin e Ontarios, Doug Ford, qeveria e të cilit kishte financuar fushatën.

“Z. Ford mori vendimin e tij, është i pavarur dhe mund ta bëjë, por reklama nuk ishte e dobishme,” , u shpreh Carney.

Doug Ford, i cili më vonë ndërpreu fushatën, deklaroi në rrjetet sociale se reklama kishte si qëllim “të hapte një debat mbi ndikimin e tarifave te punëtorët amerikanë”.

Kujtojmë që marrëdhëniet mes Otavës dhe Uashingtonit janë përkeqësuar ndjeshëm që nga rikthimi i Trump në detyrë, me vendosjen e tarifave të reja për mallrat kanadeze dhe deklaratat provokuese të presidentit amerikan, i cili ka thënë se “Kanadaja duhet të bëhet shteti i 51-të i SHBA-së.”

 

Lini një Përgjigje